Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (108)

  • 14 maj 2019 - 14:58
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (108)

"'Çka dua të bëhem kur të rritem? Z. D, kjo duket të jetë një pyetje shumë e vështirë për dikë të moshës sime. Jeta është e vështirë dhe të rriturit gjithmonë na thonë neve 'fëmijëve' se, me kalimin e kohës, ajo bëhet edhe më e vështirë. Jam munduar ta kuptoj me tërë fuqinë time se çka është ajo që i bën njerëzit të jetojnë, të vazhdojnë përpara. Besimi? Shpresa? Pasioni? Z. Daniel, unë jam gej! Këto fjalë kurrë nuk ia kam thënë ndonjë profesori më parë. Por, që ditën e parë që ju pashë, kur hytë në klasë, kuptova se mund t'ju besoja. Edhe ju, po aq sa edhe unë, frikësoheni nga disa sekrete. Për këtë shkak thash ta ndajë sekretin tim me ju. Por, seksualiteti im nuk do të duhej të më definonte, apo jo? Unë jam edhe shumëçka tjetër. Më pëlqejnë vetëtimat, e dua bejsbollin. Kam sy të kaltër. I urrej bizelet.

Gjakun e kam të kuq dhe zemra më therë ndonjëherë, mu sikurse edhe juve, supozoj. A e dini se çka nuk mund të kuptoj? Nuk mund të kuptoj sesi njerëzit, të cilët do të duhej të të donin pa kushte, janë mu ata që, sa hap e mbyll sytë, kthehen kundër teje. Tash vonë më është dashur ta bindja veten time se ajo në fakt nuk është kthyer kundër meje, nuk isha unë ai të cilin ajo e fajësonte për vdekjen e babait - ajo më do. E di se më do. Vetëm se nuk mund t'i kuptoj mënyrat e ndryshme të dashurisë. Mënyrat, të cilat vetëm ne, adoleshentët, mund t'i kuptojmë, para se mosha më e rritur të na e marrë magjinë tonë. Të jesh adoleshent është edhe dhunti, por edhe mallkim. Kjo është mosha kur përrallat pushojnë së ekzistuari dhe Babadimri më nuk është real, por një pjesë e zemrës tonë dëshiron të thotë 'Çka nëse...'. Kjo është koha kur ndjen gjithçka, por kur që të gjithë të thonë se vetëm je duke e tepruar me reagime. Ju dhe shoqëria na shtroni pyetje të vështira, në të cilat ne adoleshentët nuk e kemi idenë sesi të përgjigjemi. Kush jemi ne? Ku e shohim veten pas pesë vjetësh? Çka duam të jemi? Gjëja që më frikëson më së shumti, është ta zgjedhë një fakultet, ta zgjedh një rrugë jetësore për ta ndjekur në këtë moshë kaq të re, naive. Askush nuk e di për veten se kush është, në këtë moshë. Askush nuk e ka idenë se ku do të jetë pas pesë vitesh. Pyetja e fundit është e preferuara ime: Çka duam të jemi? Kjo është pyetje e lehtë. I gjallë.

Dua të jem i gjallë dhe, nuk e kam idenë pse, duke parë se sa misterioze është jeta. Ndoshta është besimi, shpresa, pasioni, që të gjitha të mbështjella në një formë, që gjendet brenda gjoksit tim. Ndoshta zemra ime vetëm lutet për një të nesërme më të mirë, në vend të gjitha atyre të djeshmeve të këqija. Pra, për t'u përgjigjur në pyetjen tuaj në një mënyrë shumë depresive, të përzier me ankthin adoleshent, kur të rritem, dua të jem gjallë. Prandaj, tani, ju pyes juve, z. Daniel. Çka dëshironi të bëheni kur të rriteni? Meqë rritja kurrë nuk ndalet dhe ëndrrat rrallë vdesin". Ambienti ishte mbushur me një heshtje tepër të sikletshme.

Danieli e palosi letrën dhe e vendosi përsëri në xhep. Ai vazhdoi që të fliste, me një buzëqeshje të zorit në fytyrë."Nuk e di se çka dua të bëhem kur të rritem. Por, nëse ka ndokush që do ta merrja si mostër për të qenë kur të rritem, atëherë është ky djalë i ri i cili i shkroi këto fjalë. Dua që të mos kem frikë nga ajo që sjell jeta. Dua që t'i shijoj imtësitë e jetës. Dua që të zhytem në shpresë dhe të lëshohem në dashuri. Dua që të jem gjallë kur të rritem, meqë... kurrë nuk kam qenë gjallë gjatë tërë jetës sime. Mendoj se gjëja më e vogël që mund ta bëjmë për ta nderuar Ryanin, është që të fillojmë të jetojmë që sot dhe t'ia falim vetes gabimet për të gjitha të djeshmet e pështira.

(Kosova Sot Online)