Ngjarje e vërtetë: Pas ndarjes nga i fejuari, mora vesh se isha shtatzënë (1)

  • 14 May 2019 - 15:00
Ngjarje e vërtetë: Pas ndarjes nga i fejuari, mora vesh se isha shtatzënë (1)

 I dashuri im Lekë, hajde ndaji pesë minuta që të merremi vesh rreth detit! - sa nuk e luta të fejuarin tim Aleksandër para se të nisej për në punë, duke pirë kafen e mëngjesit. - Nuk di çka mund të bisedojmë më rreth kësaj teme!? Do të shkojmë në hotelin që biseduam, për shtatë ditë. A nuk sheh se jam për ngutë? E edhe ti do të bëje mirë të nguteshe, që të mos vonohesh përsëri. A mendon se do të tolerojnë përsëri që të vonohesh? Përsëri "më fiku" me përgjigjen e vet. Unë kurrë nuk kisha dhënë pëlqimin për hotelin të cilin ai e kishte përmendur, e as vendin ku do të shkonim, sikur që nuk isha pajtuar as me 7 ditë të qëndrimit në bregdet. Ai kishte propozuar, e unë menjëherë i kisha thënë se dua të qëndrojmë më gjatë në det, edhe atë në një vend tjetër, afër motrës sime, e cila së shpejti do të bëhet nënë. Më pas, doja që ta merrnim ndonjë kamp shtëpizë, sikur të prindërve të mi, e jo të rrimë në ndonjë hotel të shpifur. Ishim në lidhje qe afër dhjetë muaj. Lidhja jonë ishte intensive, e përditshme, kështu që vendosëm që të jetonim bashkë. Ai ishte i mrekullueshëm, me shumë adete të mira, të cilat në fillim më bënë përshtypje të madhe, aq më tepër për shkak se i dashuri im paraprak ishte një budalla i vërtetë.

Ai kishte zakon që të vishte ca lecka dhe, i tillë, të vinte te puna ime. E, unë punoj në një kompani serioze, ku duhet që të vishem tepër bukur. koleget mendonin se ish i dashuri im, në fakt ishte shoferi im, apo ndonjë tuhaf të cilin e shfrytëzoj kur të kem nevojë për të. Nuk guxoja t'iu tregoja se e kisha të dashur. Ndoshta është më mirë që çdo gjë përfundoi kështu, meqë ai nuk donte të ndryshonte, e unë nuk isha e gatshme që ta pranoja si të tillë. Ishte tepër i çrregullt dhe noshalant për botën time. - Lekë, a mund të bisedojmë? - iu drejtova të fejuarit pasi që erdhi nga puna. - Natyrisht, e dashur! - më tha ai dhe filloi që të më prekte ashtu si nuk do të duhej, para një bisede serioze, përsëri mbeta e hutuar, sikur të fillonte të më krijohej një personazh i ri i Aleksandërit tim të dashur. Më nuk dija si ta bëja që të bisedonte rreth një teme, të cilën ai e konsideronte të mbyllur, e unë jo. Shkuam në det. Në hotelin "e tij" dhe në vendin "e tij" meqë, sipas tij, ashtu ishim marrë vesh, e sipas meje, ai ishte duke ushtruar terror ndaj meje, meqë kurrë nuk kisha shprehur pëlqimin tim. Për herë të parë vërejta një "hendek" në lidhjen tonë të përkryer, sikur që e quanim shpesh.

Thjesht, nuk kishte kohë për marrëveshje tjera, meqë për të, ajo ishte punë e kryer. Patëm fat që të dy mundëm ta merrnim pushimin në të njëjtën kohë. Kjo me të vërtetë ishte gjë e mirë, duke pasur parasysh se njerëzit humbnin vendin e punës edhe për një kërkesë si kjo. Duhej të niseshim, e ai kishte caktuar vendin ku. Hoteli dhe plazhi janë të mrekullueshëm! Mirë që kishte vendosur Aleksandëri. Në fund të fundit edhe unë i kisha parë ato bukuri në reklama. As që më kishte shkuar ndërmend të thosha ndonjëherë se vendimi i tij, përzgjedhja e tij, ishte e pavend apo e pamend, por unë dua që të qëndroj më gjatë në bregdet, krahas një pagese më të vogël. Këtë nuk arrita t'ia them, meqë nuk ma mundësonte. I ngarkuar me obligimet në punë, e sidomos me përgatitjet para punës, nuk kishte kohë që të bisedonte me mua rreth dëshirave dhe planeve të mia. Me vetëbesim dhe prepotencë, sikur gjithmonë, ai mendonte se gjithmonë merrte vendimet më të mira. Por, hoteli dhe plazhi janë të mrekullueshëm, prandaj le të kënaqemi. Këtu jemi. Më vonë do të bisedojmë rreth asaj se si të vendosim rreth pushimeve verore. Meqë pushimet e ardhshme do të jenë pas një viti, ndoshta ai do të gjej kohë për të biseduar me mua deri atëherë. (vijon)

(Kosova Sot Online)