Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (112)

  • 18 May 2019 - 13:29
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (112)

A ia kishte dhënë Jace Ryanit ato droga? A do të ishte tani Ryani gjallë sikur t'i refuzoja ata, për ta kaluar natën? Ai do të ishte gjallë tani, sikur unë të mos isha në lidhje me studenten time. Ndjenja e fajit ishte tepër e madhe.

Dhe, ajo ma mbushte kokën me arsye nga më të ndryshmet, pse nuk do të duhej ta doja Ashlynin. E, Ashlynin nuk e kisha parë tash e katër ditë. Kjo ishte periudha më e gjatë që kishim kaluar pa e parë njëri-tjetrin. Isha në "Jeep"-in tim, të parkuar para bibliotekës, ku isha duke qëndruar për 15 minuta. Qielli ishte i vrenjtur dhe bora binte prajshëm.

Nën dritat e rrugës, e pashë atë duke ecur në drejtim kah unë, me një qese të madhe të letrës në dorë. Me gjasë do t'i ketë thënë Henryt se do të bunte te ndonjë shoqe, duke i premtuar atij se do ta thërriste çdo orë. Gjë që d.m.th. se ajo do të qëndronte te unë gjatë, të paktën, 15 orëve vijuese. Mënyra sesi i binin dritat dhe sesi flluskat e borës luanin rreth saj, më bënë optimist se, një ditë, çdo gjë do të vinte në vendin e vet. Thjesht, kisha nevojë që gjërat të më shkonin mirë me Ashlyn Jennings. Pasi që ajo të diplomojë qershorin e ardhshëm, do ta dua atë haptazi, ashtu si e meriton që ta dua. Me çështjen e fakultetit do të merremi kur t'i vijë koha, e jo tani. Po, ndjenja e fajit ishte e madhe, por edhe shpresa ishte një armë po aq e fortë. Ajo e hapi derën e veturës dhe u ul, duke marrë qesen në prehër. "Ça ke aty?", e pyeta. Ajo bëri me kokë, në shenjë mohimi. "Së pari më puth, e më pas vazhdo me pyetjet". E putha, sikur që më tha. "Çka ka në qese?" përsërita. "Thesari im, me letrat e Gabby-t.

Dhe të Jack-ut, Jose-s dhe Morganit", u përgjigj ajo. "Sonte do të dehemi dhe do t'i hapim letrat". Pasi që qesha me përgjigjen e saj, i rrotullova sytë. "Jo, vërtetë? Çka ka në qese"? Ajo e ngriti njërën vetull dhe më shikoi. "Letra dhe alkool". "Nuk mendoj se sonte është koha e përshtatshme për këtë, shpirt. Përpos kësaj, ti as që pi alkool", i thashë. Ajo buzëqeshi. "Jo, nuk pi". Ajo e futi dorën në qese dhe e nxori një letër. "Por, prioriteti nr 8 e kërkon këtë". "Ashlyn…" Ia tërhoqa vërejtjen, meqë nuk doja që ajo t'ia fillonte alkoolit. Ende nuk e kishte tejkaluar pikëllimin nga vdekja e Ryanit dhe kisha frikë që, një ditë, ajo thjesht do të dorëzohej. "Daniel. Argëtim. Të kujtohet kjo? Le të argëtohemi sonte, OK?" Ofshava dhe pohova me kokë. "Në rregull", i rrudha sytë dhe i drejtova kah ajo. "Eja këtu".

Ajo e afroi trupin e saj kah unë. Sytë më shkuan te buzët e saj. Ia vura dorën në supe, duke e tërhequr edhe më shumë kah vetja. Ajo ofshau derisa unë ia preka buzët me gisht. Ma kapi gishtin me buzë dhe ma thithi lehtazi. Kjo më bëri që ta puthja me afsh. Shikonim njëri-tjetrin në sy, derisa zemra më rrihte si e marrë. "Të dua". "Edhe unë ty", ma ktheu ajo, derisa fjalët e saj ma përshkuan tërë trupin. Ajo ofshau nga afshi dhe përsëriti: "Të dua, të dua, të dua"! Kur arritëm te shtëpia afër liqenit, pash se dritat e dhomës së ditës ishin të ndezura. Më pas pash dy femra me sytjena duke u endur poshtë-lartë. Dreq! U ktheva kah Ashlyn, e cila po ashtu i kishte parë ato. Ajo u kthye kah unë me një shikim pyetës. (vijon)

(Kosova Sot Online)