Ngjarje e vërtetë: Pas ndarjes nga i fejuari, mora vesh se isha shtatzënë (7)

  • 20 May 2019 - 15:40
Ngjarje e vërtetë: Pas ndarjes nga i fejuari, mora vesh se isha shtatzënë (7)

E përqafova dhe fillova të qaja. Ai më ngushëllonte: - Mirë, mirë! Por, kjo nuk dmth se duhet të jesh me të për këtë shkak. Jo vetëm që do të të humb, por edhe për shkak se nuk do të jesh e lumtur me të. - Jo, jo! Nuk do të jem me të, por ti, si do të jesh me mua, duke ditur se jam shtatzënë me dikë tjetër? Po qaj për këtë, për shkak se po të humbi… - Jo, jo! Nuk je duke më humbur! E kuptoj situatën dhe vlerësoj lart që je e sinqertë. Ke mundur të mos thuash asgjë për një kohë, e më pas të më gënjeje. Të dua shumë dhe dua që të jem me ty. - Nuk të pengon? Nuk mund të besoj! - Nuk më pengon, por atë tuhafin mbaje sa më larg vetes. Ai nuk do të marrë pjesë në lindje, por unë. -Ti... a kaq gjatë dëshiron të jesh me mua, a? - Ooo, si jo?! Dua që të jem edhe baba për këtë fëmijë. Tani më la pa fjalë fare. Ai ishte kaq i ri! Çka i duhej kjo, kur as unë nuk isha në gjendje që të merrja vendime afatgjata? - Dëgjo, Gëzim! T'i lëmë njëherë anash planet afatgjata. Ne duhemi dhe, tani për tani, kjo mjafton. Do të shohim çka do të sjellë e ardhmja. - Ja, përsëri flet si ndonjë inxhe! - më tha duke buzëqeshu, pa pasur për qëllim që të ma bënte me dije se isha më e vjetër sesa ai. Ishte ai i duhuri! Tanimë ai kishte filluar që ta analizonte situatën, duke më pyetur a më vinte mundim, çka doja të haja, a guxoja të lahesha në det… O Zot, në çka jam futur kështu! Si do t'u tregoj prindërve? Tanimë mund ta paramendoj nënën e zhgënjyer dhe babin e zemëruar!

E, kur ta marrin vesh për Gëzimin! Do të dalë sikur Aleksandërin e lashë për shkak të Gëzimit. Kurrë nuk do ta bëja një gjë të tillë. Ishin rrethanat që vendosën kështu. Do të më konsiderojnë të marrë. Më cingëroi telefoni. Ishte nëna. Nuk mund të flas me të. Nuk mund t'ia shpjegoja situatën me telefon. Nuk do t'ia hap. Por, ajo ishte këmbëngulëse, prandaj mendova se, nëse unë nuk do t'i lajmërohesha, ajo do ta thërriste Aleksandërin, gjë që do të ishte edhe më keq. - Alo, nënë. - Ku jeni ju? Na thatë se do të vinit te ne pas pushimeve, por nuk keni ardhur ende. Kaluan tanimë tri javë. A jeni mirë? - Po. Nuk të dëgjoj nga këto valë. Do të të thërras nga motra. - Do të vij pas disa ditëve për ta parë nipin. Ju keni shkuar te ajo? A do të jeni ende atje? Atëherë do të shihemi atje. - Do të shihemi, por do të të thërras pas disa orësh, tung! Bisedova me nënën nga banesa e motrës. Biseda qe e gjatë dhe e mundimshme. Pati edhe ofendime.

I tregova se isha ndarë nga Aleksandëri, por nuk i thashë gjë për shtatzënësinë dhe Gëzimin. Më quajti joserioze për shkak se isha ndarë nga një djalë aq i mirë. ai, sipas saj, paska të drejtë që jetën e merr kaq seriozisht, e jo sikur unë, që vetëm dua ta kaloj kohën duke harxhuar para! "E nënë, nënë. A thua, çka do të thoshe, sikur t'i dije të gjitha?" - e pyeta veten. Nëna erdhi, ashtu sikur që kishte thënë. I thashë Gëzimit që nuk do të shiheshim atë ditë, meqë e njoh nënën time. Do të më ngufasë aq shumë me predikimet e saj, sa që nuk do të më mjaftojë një ditë e tërë. Tanimë kam pasur përvoja të tilla me të, por temat nuk kishin qenë kaq serioze, me pasoja kaq afatgjata. Disa herë bile e kisha lutur që të më donte më pak, meqë tërë filozofia e predikimit të saj bazohej në atë se "ajo tërë këtë e bënte për të mirën time, meqë më do tepër shumë". (vijon)

(Kosova Sot Online)