Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (3)

  • 24 May 2019 - 13:11
Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (3)

Të gjitha ato dyshime të shqiptuara, më ofenduan tepër shumë. Derisa e shtroja tryezën, mendoja vetëm rreth fjalëve të tij. Jo, nuk kishte mundësi që Agimi të kishte ndjenja ndaj meje. Prejse e njoh, kurrë nuk kam parë që ai të më konsiderojë ndryshe, përpos si gruan e vëllait të tij dhe si shoqe, ndoshta. Unë isha e kënaqur me lidhjen tonë. Por, Roberti? Si mund t'i binte në mend që vëllai i tij... Mohova me kokë.

Të gjitha ato ishin marrëzi të kota. Unë nuk isha si ato bukuroshet, me të cilat shoqërohej Agimi. Nuk isha as e shëmtuar, larg qoftë, por bukuria ime askënd nuk e linte pa frymë. Edhe pse isha e kënaqur me pamjen time fizike, mundohesha që të mos e rreja veten dhe ta shihja veten të tillë sikur edhe që isha. - Bëra shaka - tha Roberti duke më shikuar çuditshëm. - Unë të tilla fjalë as për shaka nuk do t'i thosha. Agimin e ke vëlla, ai është pjesë e familjes tënde, e tani edhe pjesë e familjes time. - E di - në fytyrën e Robertit shihja një buzëqeshje tërësisht të panjohur për mua. Dukej se te ai kishte shenja të pendimit dhe të diçkaje tjetër, të cilin nuk mund ta definoja. - Me gjëra të tilla nuk bëhet shaka - ia tërhoqa vërejtjen.

Çka ke? - Roberti filloi që të më shikonte me kujdes. Tunda kokën. Urreja kopallat e tilla, e kjo ishte kopalla më e madhe që kisha dëgjuar ndonjëherë. Agimi? Ai kurrë nuk më kishte shikuar si femër. Kjo që nga fillimi ishte e qartë. Atij i pëlqenin vajzat e gjata me këmbë të gjata, e trupi im nuk i plotësonte kriteret themelore të tij. Po ashtu, e dija se sa rëndësi kishte familja për Agimin, edhe pse sjellja e tij nuk e manifestonte gjithmonë këtë. E njihja. A thua pse mendoja për gjërat e tilla, pa rëndësi?

Dhuratat e tij nuk kishin kurrfarë domethënieje, të paktën jo një domethënie, të cilën mund ta imagjinojnë të tjerët. I pëlqeja si njeri dhe mendimet e tij nuk shkonin më tej. Isha e sigurt se kjo ishte e vërteta. Disa ditë Agimi nuk erdhi. U mundova që t'i largoja të gjitha mendimet, të cilat më vinin, por kjo disi nuk më shkonte për dore. Mora guximin dhe e thirra në telefon. - Hej - m'u përgjigj me gëzim. - Ku je, që ke humbur? - e pyeta. - Kam punë - tani zëri i tij nuk ishte aspak i gëzuar. Bile, më dukej se në zërin e tij ndieja një dozë të pikëllimit. E, ai kurrë nuk ishte dukur i pikëlluar. Ai rëndom rrezatonte me energji pozitive dhe ishte i preferuar në shoqëri. E, kur kësaj i shtohet edhe sharmi i tij natyror, atëherë ai i joshte femrat si magnet.

Mua kurrë nuk më kishin pëlqyer meshkujt e tillë. Nuk mund të besoja që ai mund t'i ishte besnik vetëm një femre. Ndoshta gabohesha, por me të vërtetë kisha një mendim të tillë. - Si je? - e vazhdova bisedën. - Kam mbledhje. Dëgjohemi - ai ma mbylli. Për një moment ngela në vend. Ai kurrë nuk kishte biseduar me mua në këtë mënyrë. Dukej se kishte ardhur koha që ta shihja edhe anën tjetër të karakterit të tij. shpresoja që hidhërimi i tij të zgjaste pak. Mos ishte penduar që ma kishte besuar sekretin? E lash celularin. Ndihesha e vetmuar. Roberti punonte, e unë i mbarova të gjitha punët. Për të më shkuar koha më shpejt, e ftova një shoqe në kafe. Sikur edhe unë, ajo ishte amvise.

Thjesht, nuk mund të gjente punë, sikur edhe unë. Por, mua më shkonte për shtati një stil i këtillë i jetës, e kur të lindë fëmija, gjithçka do të ndryshojë. Më nevojitej dikush për t'i qarë hallet, e ajo ishte ideale për këtë. Dikush i tretë do të ishte shumë më objektiv, e dija këtë. Fillova që t'i flisja rreth Agimit dhe, pasi që ia thashë të gjitha që pata për t'ia thënë, vetëm mi nguli sytë dhe, për një moment, nuk më tha gjë. (vijon)

(Kosova Sot Online)