Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (118)

  • 24 May 2019 - 13:15
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (118)

Dua ta di kush ishe para se të më takoje mua Dua ta shoh botën që ti e sheh "Romeo's Quest" Bëmë një ndalesë të shpejtë, para se t'ia mësynim kah shtëpia e nënës. Kur Daniel e afroi veturën e huazuar afër lagjes, më ra në sy një veturë me shumë etiketa, të bendeve më të njohura. Ishte vetura e Bentleyt.

Futa dorën në kuti dhe nxora letrën dhe unazën që Gabby ia kishte lënë Bentley. Derisa mbaja unazën në dorë, nuk di pse ofshava. Ata do të ishin kaq të lumtur së bashku. "Unë do të pres këtu", tha Daniel, duke vërejtur shikimin në sytë e mi. "Të lutem, eja me mua", i thashë duke dalë nga vetura.

Ai e hapi derën e vet dhe doli jashtë, duke e mbyllur derën pa bërë zhurmë. Çdo hap që bëja në drejtim të shtëpisë më shkaktonte dhembje. Çdo hap që bëja me çizmet e mia të dimrit, më dukej sikur ndokush ma ngulte një thikë në bark. Duke mbajtur unazën dhe letrën me njërën dorë dhe me tjetrën duke u mbajtur për Danielin, u ngjita shkallëve për te dera kryesore. Papritmas filluan që të më vinin kujtime. "Më duket se e dua", më kishte thënë Gabby, në lidhje me Bentleyn, në një natë vere. Ai kishte hyrë në një dyqan për t'i marrë disa pije për ne. Kisha qeshur me motrën time. "Ti e do atë". Pasi që ma dha një buzëqeshje të turpshme, ajo pohoi me kokë. "Po, e dua"! E tunda kokën, në mënyrë që të më largoheshin këto kujtime.

E ngrita dorën dhe i rashë ziles edhe pse më me dëshirë do të ikja nga aty. Më vinte që të kthehesha mbrapshtë nga ku kisha ardhur. Sikur këtë e vërejti edhe Daniel, i cili ma shtrëngoi dorën. Unë u relaksova. Dera u hap dhe e pash Bentleyn. Ai u duk i befasuar dhe paksa i pikëlluar në fillim. Do të doja sikur të mos i kisha ngjarë kaq shumë motrës sime. Me gjasë, sapo më pa, iu kujtua ajo. Bentley zbriti shkallëve dhe ma shqiptoi emrin. "Ashlyn". Nervozizmi im, i cili më ishte larguar më herët, tani filloi që të më kthehej përsëri. Danieli ma lëshoi dorën dhe, kur e shikova, ai i zbardhi dhëmbët lehtazi. "Tung, Bentley"! Bentley qeshi, duke hapur edhe më shumë sytë. "'Tung, Bentley?' Kjo është e tëra që ke për të më thënë? Eja këtu, mori"! Ai më përqafoi duke më shtrënguar, e edhe unë ia ktheva me një shtrëngim të sinqertë. "Dukesh për mrekulli", më tha ai, me zë të ulët. "Edhe ti, Bent". E kryem përqafimin dhe, duke qeshur, të dyve na ishin mbushur sytë me lot. "Oh, Urime Kërshëndellat"! thashë, duke kruar pjesën e pasme të qafës.

Ai buzëqeshi hijshëm. "E, kë e kemi këtu"? U ktheva kah Danieli, i cili ishte duke pritur, pa bërë gjë. "Ky është Daniel... ", nuk dita çka të thosha për momentin. "Jam i dashuri i saj", tha Daniel, duke buzëqeshur lehtazi, duke ia zgjatur dorën Bentleyt. "Më vjen mirë që takohemi". Bentley u duk i ndruajtur dhe më shikoi mua. "Oh, edhe mua më vjen mirë që u njoftuam".

Pas një momenti, ai na ftoi që të hynim brenda. Më kaploi njëfarë hezitimi. Disi më dukej se, meqë nuk e kisha Gabby-n në krah, nuk duhej të hyja brenda. "Nuk mund të rrimë. Vetëm...". E ngrita dorën ku mbaja letrën dhe unazën. "Doja të t'i jepja këto". Ai e mori unazën dhe, sikur që pritja, ai ofshau thellë. "Ajo i kishte lënë këto gjësende në kutinë e gjërave me vlerë, të cilën ti ma dhe mua. Dhe, ajo ka kërkuar nga unë që të ta japë këtë letër". (vijon)

(Kosova Sot Online)