Histori rrëqethëse/ Ja dashuria e ndaluar që tronditi botën

  • 24 May 2019 - 18:27
Histori rrëqethëse/ Ja dashuria e ndaluar që tronditi botën

Romanca e tyre shkaktoi një tërmet diplomatik dhe politik. Por historia e jashtëzakonshme e dashurisë mes presidentit të parë të Botsvanës me një angleze të bardhë të klasës së mesme, zgjati, pavarësisht pengesave dhe zemërimit. Sir Seretse Khama u dashurua me britaniken Ruth Williams.

Tashmë kjo histori do të rrëfehet në ekranin e madh. Aktorët britanikë David Oyeloëo dhe Rosamund Pike do të portretizojnë marrëdhënien që u bë fokus i krizës mes Britanisë dhe fqinjit të Botsvanës, Afrikës së Jugut, pikërisht në kohën kur do prezantohej apartejdi. Seretse ishte një student i edukuar në Oksford, princ i familjes mbretërore të asaj që njihej si Behuanaland, një protektorat britanik.

 

Në vitin 1948, në moshën 27-vjeçare, ai u martua me britaniken Ruth, 24 vjeç,  punonjëse në një agjenci sigurimesh. Martesa e tyre u kundërshtua me forcë nga babai i saj dhe familja e atij. Ai ishte princi i një tribuje dhe ishte dërguar në Londër nga xhaxhai i tij për të studiuar për juridik.

 

Pasi të mbaronte studimet, duhej të kthehej në vendlindje për t’u martuar me një vajzë nga fisi. Qeveria britanike dhe xhaxhai i tij bashkuan forcat për të kërkuar nga Seretse që të heqë dorë nga gruaja e tij e bardhë, ose të heqë dorë nga kurora. Ruth Williams ishte vajza e një ish-kapiteni të ushtrisë indiane, që punoi më vonë në tregtinë e çajit. Ajo pëlqente muzikën xhaz, ai po ashtu.

 

Të dy u takuan kur mota e Ruth, Muriel, e mori atë në një mbrëmje vallëzimi në vitin 1947. Seretse i kërkoi të kërcenin dhe aty nisi romanca. Ishte një histori e jashtëzakonshme pasioni. Ruth duhej të kërkonte nga babai i saj leje për martesën, por ai refuzoi që të martohej me një person me ngjyrë. Ajo nuk e kishte menduar kurrë se historia e saj do shkaktonte një tërmet të tillë, deri në pikën kur një zyrtar i shkoi në zyrë dhe i tha: “Nëse e bën këtë gjë, do të rrëzosh perandorinë britanike në Afrikë”.

 

Duket e çuditshme, por ishte tamam kështu. Afrika e Jugut ishte gati për të prezantuar politikat e apartejdit dhe martesa e një britanikeje me një afrikan do të shkaktonte një krizë kushtetuese dhe brenda Komonuelthit. Një zyrtar nuk pranoi t’i martonte dhe ata e bënë këtë gjë në fshehtësi. Të dy u larguan drejt Afrikës, duke menduar se gjërat ishin zgjidhur. Por xhaxhai i tij, Shefi Tshekedi mblodhi këshillin e të moshuarve të fisit dhe deklaruan se nuk e njohin Ruth-in si mbretëreshë të fisit.

 

Seretse dhe mbështetësit e tij e kuptuan se xhaxhai i tij, Tshekedi, në fakt donte të bëhej mbret. Kryeministri i Afrikës së Jugut vazhdonte i tërbuar. Ai tha se kjo martesë është e neveritshme. Me gruan e tij shtatzënë, Seretse u ftua për në Londër. Ruth mbeti në Afrikë. Ishte një kurth. Britanikët insistuan që ai të heqë dorë nga froni. Kur refuzoi, i thanë se nuk do e lejonin të kthehej në vendlindjen e tij. Mbështetësit e Seretse formuan një komitet dhe i dërguan një letër Mbretëreshës, duke i kërkuar që të lejojë ‘shefin’ e tyre të kthehej.

Seretse u kthye, por hoqi dorë nga froni. Në fakt ai mbajti të parat zgjedhje demokratike në vend dhe u votua presidenti i asaj që u bë shteti i Botsvanës. Çifti ka një vajzë dhe tre djem. Njëri prej tyre është tashmë president i Botsvanës. Secretse vdiq në krahët e gruas në moshën 59-vjeçare. Ajo vdiq në moshën 78-vjeçare në vitin 2002.

(Kosova Sot Online)