Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (120)

  • 26 May 2019 - 17:04
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (120)

E shikova Danielin, i cili po ashtu më shikonte me dhembje, pa më thënë asgjë. "Ajo, ajo më tha që të largohem"! U ngrita, duke ndier trupin sesi më ziente. Kthimi im këtu më kishte ngjallur emocione të forta. Kthimi këtu më kishte zemëruar. "Do të mund t'i ndihmoja. Do të mund të isha përkujdesur për të"!, bërtita, duke ecur lartposhtë. Ai vetëm më shikonte. "E, më pas, ajo kishte marrë guximin që të ma lante jastëkun?! Sikur gjoja i mungoja?!" Ulërija dhe ofshaja, duke u nxehur në fytyrë. "Gabby ishte binjakja ime! Nëse ndokush do të duhej të pikëllohej, atëherë kjo do të duhej të isha unë"! Isha e zemëruar dhe nervoze. E zemëruar për shkak se nëna i ishte kthyer alkoolit derisa kishte mundur të kërkonte ndihmë nga unë. Dhe, nervoze meqë kisha frikë nga dështimi i saj. U përpoqa që t'ia bëja me dije se Gabby nuk do të kthehej. U nervozova aq shumë, sa që i shqeva të gjithë pllakatet e Gabby-t.

Dikur fillova që të "merresha" edhe me fotot, duke i thyer edhe ato. Danieli më përqafoi dhe më uli në shtrat. "Ashlyn, ndal", më urdhëroi ai. Nuk mundja. Mendjen ma kishte kapluar pikëllimi dhe kujtimet. Si mori guximin nëna që të kërkonte nga unë që të largohesha? Si kishte marrë guximin Henry që të më merrte nën kontroll? Si kishte marrë guximin Gabrielle të sëmurej nga kanceri? Si kishte marrë guximin Ryan që ta vriste veten? "E strehova Ryanin. Duhej ta kalonim atë natë dhe, të nesërmen, ta gjenim një zgjidhje. Rebecca ishte qetësuar. Donte që ai të kthehej në shtëpi. Hailey kishte nevojë për të… Çfarë tuhafi. Ai është një bastard i cili e vrau veten"! Kjo nuk ishte e drejtë. Të gjithë ata më braktisën në kohën kur isha e gatshme që të bëja gjithçka për të qëndruar me ta. Do t'ua jepja tërë dashurinë që iu nevojitej. Pse nuk iu kisha mjaftuar unë? Ai ma kishte vënë dorën në bel, megjithatë unë vazhdoja që të bërtisja dhe të kundërshtoja. "Më lër të shkoj!" Ai më shtrëngonte edhe më shumë. Fillova që të qisja shqelma, duke u munduar që ta çliroja veten nga shtrëngimi i tij. Por, dhembja ime vetëm sa vinte e shtohej. "Më lër të shkoj!" "Jo". Ai nuk më lëshonte dhe më mbështeti për muri, me qëllim që t'i ndalte shkelmimet e mia. Trupi im u ngjit për murin e ftohtë dhe fillova që të qaja. "Kurrë nuk do të të lë të shkosh, Ashlyn. Nuk të lë të shkosh". "Po, po! Do të më lësh". Barku filloi që të më sillej dhe mu duk sikur do të villja. Ai nuk e bënte këtë me qëllim, por ai ishte duke më gënjyer mua. Meqë që të gjithë të tjerët më kishin braktisur. Shikimi filloi të më turbullohej dhe më ra të fikët. "Je duke përjetuar një sulm të panikut", pëshpëriti Daniel derisa frymëmarrja ime filloi që të shpeshtohej. "Qetësohu, për hatrin tim, zemër. Rregulloje frymëmarrjen". Ai më ktheu ashtu që të isha e kthyer me fytyrë kah ai.

Fillova që të lotoja në bluzën e tij, duke e tërhequr më afër. E humba toruan. Të tërën. Por, ai vazhdonte që të ishte aty, afër meje. Ishim ulur në kauç, përballë derës kryesore. Kur dëgjova çelësin duke u sjellë në derë, zemra filloi që të më rrihte më shumë. Dera u hap ngadalë dhe pash duke hyrë nënën, të pasuar nga Jeremy. U ngrita në këmbë dhe dëgjova nënën duke ofsharë. Sytë iu mbushën me lot, derisa supet filluan që t'i dridheshin. Unë duhej që të isha e zemëruar, ta urreja atë. Por, e tëra që munda të bëj, ishte ta përqafoja, ta afroja kah vetja dhe të qaja. Nuk dija çka të mendoja. Ndoshta që nesër, përsëri do të jem e zemëruar. Dhe, kishte të ngjarë që, pasi që të kthehesha në Uiskonsin, do ta urreja sërish. Por, tani? Pasditen e Kërshëndellave? Tani ne ishim vetëm dy qenie njerëzore, të bëra për të gabuar, për t'i djallosur gjërat dhe për të mësuar gjëra të reja. Ishim tepër jo të përkryera.


(Kosova Sot Online)