Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (5)

  • 26 May 2019 - 17:08
Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (5)

- Me të vërtetë mendon kështu? - tha Agimi, duke ngritur njërën vetull. Kjo ishte shenjë e befasisë dhe ky gjest gjithmonë donte të thoshte se ai ishte i tronditur nga ndonjë gjë. - Ne jemi familje - ia thashë atë që mendova. - Unë jam mashkull, e ti femër - tha Agimi me zë të qetë. - Kjo është gjëja e parë që më bie ndërmend kur mendoj për ty. Por, përkundër kësaj, e di ku e kam vendin. Për mua, ti gjithmonë do të mbetesh kunata ime - më tha duke buzëqeshur. - Tjetër gjë as që kam menduar - i thashë me gëzim. Megjithatë, fjalët e tij më tingëllonin në kokë. Kisha përshtypjen se ai, një gjë thoshte, e më pas e korrigjonte. Isha e hutuar më shumë sesa në fillim. Nëse unë jam femër, e ai mashkull, kjo donte të thoshte vetëm një gjë. Jo, jo! Kjo ishte e pamundur. Nuk mund ta joshja Agimin, kurrë! Kjo ishte gjëja e vetme që më ngushëllonte. - Një mashkull si ti kurrë nuk do t'ia lëshonte sytë një femre sikur unë - u mundova që zërit tim t'ia jepja një ton joserioz. - Nëse kam mësuar ndonjë gjë në jetë, atëherë kjo është se gjithmonë ndodh ajo që më së paku e presim. Ti… - Agimi më kapi për dore. Ndjeva sesi gishtat e tij butë ledhatonin dorën time. Nga tmerri nuk mund ta tërhiqja dorën, edhe pse një gjë të tillë doja ta bëja me gjithë shpirt. - Ke sytë më të bukur që kam parë ndonjëherë, je më e bukura nga të gjitha femrat që kam njohur. Bukuria jote është e veçantë... - filloi që të belbëzonte ai.

Kisha mbetur gojëhapur derisa e shikoja. - Agim! - ia tërhoqa vërejtjen. E tërhoqa dorën. - Mund të na shohë ndokush dhe ta keqinterpretojë këtë situatë - as vetë nuk e di si arrita ta thosha këtë. - Ti je ajo grua - përfundimisht tha Agimi. - Në fillim... Jo, në fillim nuk kishte dashuri, vetëm miqësi, por sa më shumë që të njihja, gjithnjë e më shumë u bëra rob i ndjenjave. Pranoj, duhet guxim për ta thënë atë që është e fshehur midis nesh. Nuk mund të hesht më! E di se kush je dhe e kujt je. E di se kurrë nuk do të jesh e imja. Unë kisha mbetur e tronditur. - Më fal, është më mirë që ta dish. A ka ndonjë shpresë për ne të dy? - më tha me një zë lutës. - Ti nuk je normal - u ngrita menjëherë. Dola me të shpejtë nga kafeneja, pa e kthyer asnjëherë kokën prapa. Çka ishte duke ndodhur? Asgjë nuk kishte kuptim. Agimi dhe unë? Si i kishte rënë në mend një gjë e tillë? Pse mu unë? Unë nuk jam aspak e veçantë. Më ofendoi kur më pyeti a kishte ndonjë shpresë për ne të dy. Natyrisht që nuk kishte. As që mund të paramendoja se, prapa buzëqeshjes së tij djaloshare dhe prapa dhuratave të tij, fshihej një mashkull i rrezikshëm. Pse për meshkujt asgjë nuk është e shenjtë? Pa marrë parasysh se sa mundohesha, nuk mund ta kuptoja. E, edhe naiviteti im ishte si i ndonjë fëmije. Mendoja se ishim miq, por meshkujt gjithmonë i bëjnë hesapet ndryshe nga femrat.

Nuk di si arrita në shtëpi. Zemra më rrihte si e marrë. Pasi hyra brenda, vetëm u ula. Nuk mund të lëvizja. Gjendja e tronditjes vazhdoi shumë më gjatë sesa që prisja. Rrëfimi i Agimit do të ndryshonte çdo gjë. Asgjë më nuk do të jetë njësoj. Shpresoja të flitej vetëm për një gjendje kalimtare, për ndjenja të cilat, me kalimin e viteve, do të zbeheshin. Por edhe po të ndodhte kjo, kurrë më nuk do të jemi si dikur. U drodha kur dëgjova zilen e derës. Kur e hapa derën, para meje qëndronte Agimi. Ai ishte personi i fundit që doja ta shihja. - Çka do? - e pyeta fare pa mirësjellje. - Nuk dua që kjo të ndryshojë ndonjë gjë midis nesh - tha Agimi, duke hyrë brenda. E shikoja. E tunda kokën nga mosbesimi. Vijon

(Kosova Sot Online)