Ngjarje e vëretë: Më vardiset kunati (6)

  • 27 May 2019 - 15:46
Ngjarje e vëretë: Më vardiset kunati (6)

- Të dua. Një kohë të gjatë kam luftuar kundër kësaj ndjenje, por e kam humbur jo vetëm betejën, por edhe luftën. Zemra ime të takon ty. - Agim! - ia tërhoqa vërejtjen. Fytyra m'u skuq nga sikleti. Nuk dija ku të shikoja, e as çka të bëja me duart e mia. Peshoja herë në njërën, e herë në këmbën tjetër.- Pasi veç mora guximin të ta them këtë, atëherë do të them krejt çka mendoj. - A e di se kush jam unë? - e pyeta. Më vinte që ta nxirrja nga banesa, por u përmbajta. Nuk më duhej ai si armik. Kjo do t'i komplikonte gjërat në familje dhe do të krijohej një tendosje e cila do të ndikonte keq te të gjithë. - Këtu edhe qëndron problemi.

- O, Zot - thashë duke kaluar dorën nëpër flokë. - Unë e dua Robertin. E dua me tërë qenien time. Ai është krejt çka dua nga jeta. Atë e kam zgjedhur që ta kaloj jetën me të, e për aventura kurrë nuk kam qenë e interesuar. Aq më pak, pasi jam martuar me të. A nuk të vjen turp nga fjalët e tua? - e pyeta. - Më vjen turp, më bren ndërgjegjja, por më e fuqishme se krejt është ndjenja e dashurisë - tha Agimi qetë-qetë. Më dukej se ai e kishte veten nën kontroll, derisa unë isha sikur ndonjë vullkan para shpërthimit. - Çfarë dashurie, more? - thashë e tmerruar. - Si ke mundur të lejoje që të ndodhte kjo? - nuk e kisha të qartë. - Unë ty kurrë nuk të kam shikuar si mashkull. Për mua gjithmonë ke qenë vëllai i Robertit, pjesë e familjes sime, asgjë më shumë. Kjo që ti je mashkull, për mua nuk ka kurrfarë rëndësie. Njerëzit duhet të kenë moral, të dinë ta dallojnë të mirën nga e keqja, e ti ia ke mësyrë asaj që nuk të përket. Nuk kuptoj, ndoshta kurrë nuk do të kuptoj. Shkatërrove gjithçka. Mendoja se kishim një miqësi të përkryer, e nuk paskemi pasur asgjë. Si të të shikoj në sy e të mos më bien ndërmend të gjitha ato kopalla që sapo m'i the? Më pyete a ka shpresë për ty? Kjo më së shumti më ofendoi. Aq pak më njeh, nuk e di pse nuk i dëgjon fjalët që t'i them. Nga të gjithë meshkujt e botës, ti je i fundit me të cilin do të doja diçka. Unë e dua vëllain tënd. Sytë e mi janë të verbër për të gjithë meshkujt e tjerë, zemrën nuk mund t'ia jap askujt tjetër, meqë ajo tanimë nuk më takon as mua. Krejt kjo... - bëra me dorë. - A dëshiron të ta them mendimin tim? - e pyeta. - Natyrisht - Agimi ishte i qetë, sikur të mos i kishin bërë fare përshtypje fjalët që ia kisha thënë. - Ti je mësuar që të kesh krejt çka dëshiron. Femrat të kanë ndjekur ty, e jo ti ato. Bukuria jote është vetëm kornizë e një shpirti të shqetësuar dhe i cili kërkon diçka që nuk mund ta ketë. Në vendin tim do të mund të ishte cilado grua, ti do të silleshe njësoj. Molla e ndaluar gjithmonë është më e ëmbla. Çka do të ndodhte po të kisha pranuar? - e pyeta.

- Do të isha aventura jote, të cilën do ta braktisje pas njëfarë kohe. Do të ngopeshe nga unë sikur edhe nga të gjitha femrat e tjera. Më nuk do të isha e veçantë për ty, por vetëm njëra nga shumë të tjera. Askush nuk më ka zhgënjyer kurrë më shumë sesa ti. Do të duhej ta dije se, midis nesh, kurrë nuk mund të ketë asgjë. Nga ku e merr guximin që të më pyesësh a ka shpresë për ty? Nuk ka, nuk ekziston, e as që do të ekzistojë ndonjëherë. Çfarë femre do të isha unë sikur të pranoja një gjë të tillë? Për mua, kjo është kaq... - mundohesha ta gjeja fjalën e duhur, por nuk më shkonte për dore. - Ishe mjaft e qartë - tha Agimi. - Mos më gjyko vetëm pse provova. Isha i sinqertë me ty, sikur me asnjë femër deri më tani. - O, Zot, o Zot - ende nuk mund të besoja. - Jam gruaja e vëllait tënd, more! Do të lind fëmijë që do ta kenë mbiemrin tënd. Pas kësaj do të ishte shumë mirë që të mos më dalësh para syve. Sepse unë, nga ana ime, do të iki nga ti si nga dreqi. Pse nuk mund të kënaqeshe me raportin tonë miqësorë, i cili ishte i përkryer? Para teje nuk kisha sekrete, por ti e kuptove sjelljen time ashtu si ta pati ëndja. (vijon)

(Kosova Sot Online)