Ngjarje e vërtetë: Nuk mund ta duroj vetminë (3)

  • 02 June 2019 - 15:16
Ngjarje e vërtetë: Nuk mund ta duroj vetminë (3)

Kthimi në shtëpi më tronditi më shumë sesa kthimi i Danit në qytetin e tij, pas fundjavës tonë të parë. M'u duk se, me të hyrë në autobus atë ditë, një copë të zemrës e lashë në qytetin e Danit. Sikur ai të më thoshte që të rrija me të, do të pranoja pa hezitim dhe kurrë nuk do të ankohesha. Pasi u ktheva në shtëpi, fillova që të kisha ndryshime më të shpeshta të disponimit, sesa zakonisht. Kësaj në një masë të madhe i kishte kontribuuar edhe lajmi se Dani, pas një kërkimi të gjatë, kishte gjetur një punë më të mirë, e cila kërkonte një angazhim tërë ditor. Ai ishte gëzuar pa masë, kështu që u gëzova edhe unë. - Do të punoj ditë e natë, nëse do të ketë nevojë dhe do ta blej banesën time. Më pas, do të mund të më vizitosh sa herë që do të duash.

Çka thua ti, e dashur? - më pyeti i kapluar nga gëzimi. Nuk doja t'ia prishja gëzimi, por e dija se për çdo gjë nevojitet kohë, e ne edhe ashtu kishim humbur shumë kohë. Kjo gjë më pikëllonte shumë. Edhe pse Dani vazhdonte që të më thërriste shpesh, bisedat tona më nuk ishin aq të gjata dhe të lodhshme, sikur dikur. Gjithnjë e më tepër më fliste për probleme të ndryshme në punë, deri në detaje më tregonte rrjedhën e punës, duke përfshirë edhe disa gjëra private të kolegëve të tij, gjë që, më duhet ta them, më shkonte gjithnjë e më shumë në nerva. Edhe pse vazhdoja që ta doja me tërë zemrën, filluan që të më mundonin dyshimet nga më të ndryshmet, e më pas, për shkak të distancës që ekzistonte midis nesh, si dhe për shkak të pafuqisë që të bëja diçka në atë drejtim, fillova ta ndjeja një xhelozi të pashpjegueshme. Edhe pse Dani në çdo bisedë më thoshte se nuk kisha nevojë të shqetësohesha dhe se nuk ka lindur ende ajo femër, e cila do të mund ta zinte vendin tim në zemrën e tij, nuk gjeja qetësi. Falë telefonit dhe internetit, disi kaluam edhe pranverën, e më pas erdhi vera dhe një thirrje e hershme verore.

- Hej, gjumashe, çka po pret më? Merre kostumin e plazhit dhe hajde te unë. Ia dola që t'i marr disa ditë të lira. Hë, çka thua? - dëgjova zërin e gëzuar të Danit, tani kur më kishte dalë gjumi në tërësi. - A shaka pa kripë, a? Kur biseduam së fundmi nuk më the - i thashë me pabesim. - Doja të të befasoja, mendoja se do të të vinte mirë - tha ai, me një zë paksa më të ulët. - O i marrë, natyrisht që më vjen mirë, vetëm... - Shhht! Mos humb kohë. Mezi pres të të shoh - tha ai dhe e vetmja gjë që më mbeti, ishte t'ia krisja gazit. Thënë sinqerisht, nuk kishte rëndësi ku do të ishim dhe çka do të bënim. Rëndësi kishte vetëm fakti që do të ishim së bashku. Kujtimet që i mbaj në zemër për ato disa ditë, nuk do t'i ndërroja për asgjë në botë. Për dhjetë ditë përjetuam atë që dikush nuk përjeton as për dhjetë vjet martesë.

Nga qeshjet, lotët, marrëzitë, bisedat serioze, e deri te fjetjet nën qiellin e hapur dhe larjes në shi. Krejt çka dinim, mundnim, apo donim të bënim, bëmë gjatë atyre dhjetë ditëve. - O Zot, sa të dua! Nuk jam e sigurt a do të mundem më të jetoj larg teje - thash me pikëllim natën e fundit. - Edhe unë e kam vështirë, por për dallim prej teje, mundohem që të mendoj pozitivisht. Mos u mërzit, do ta gjejmë një zgjidhje. Unë shpresoja se do ta gjenim edhe pse, nuk e di për çka, në thellësinë e zemrës time disi ndjeja se lidhja ime me Danin kishte marrë fund me kaq, njëherë e mirë! (vijon) 

(Kosova Sot Online)