Ngjarje e vërtetë: Nuk mund ta duroj vetminë (4)

  • 03 June 2019 - 15:20
Ngjarje e vërtetë: Nuk mund ta duroj vetminë (4)

Duke u kthyer në shtëpi, isha më e pikëlluar sesa ndonjëherë më parë. Edhe pse e lodhur nga rruga, gjatë tërë natës nuk arrita të shtija gjumë në sy. Para syve vazhdimisht më dilte fytyra e qeshur e Danit, sytë e tij të mrekullueshëm, të kaltër, përqafimet e tij, puthjet... Të nesërmen në mëngjes dukesha më keq sesa ndonjëherë më parë. Nëna vërejti mërzinë time dhe mundohej që të më ngushëllonte si dinte dhe si mundte. - Shpirt, të lutem mos ji kaq e mërzitur. Kthjellu, gjithçka do të vijë në vendin e vet. Nesër është ditë e re! - Ditë e re, për çka? Nuk dua ta pres të nesërmen, nëse në të nuk është Dani - thashë duke ia krisur vajit. - Shhht! Qetësohu! E di se tani e ke vështirë, por më beso, jeta vazhdon, me apo pa Danin - më tha ajo, duke mi rrahur supet. - Por, nënë, si nuk kupton?! E dua, por nuk mund të jem me të! - sa s'bërtita. - Oj bijë, nuk kuptoj ku qëndron problemi - më tha nëna me zë të qetë. - Si ku qëndron problemi? Ai atje, e unë këtu. Ai duke u mbytur nga puna, e unë në fakultet. A nuk të duket ky një problem në vetvete? - e pyeta e shqetësuar. - Nuk mundem më ta duroj këtë ndarje. O Zot, pse nuk mund të jemi vazhdimisht bashkë? - thashë dhe ia krisa vajit. - Nëse kjo është arsyeja e vetme e mërzisë tënde, atëherë përgjigjen mund ta gjesh te Dani, çka mendon? - më pyeti nëna, duke ma bërë me sy.

- Nuk e kam idenë se çka po thua - i thash. - Lehtë është! E thërret dhe e pyet se çka mendon rreth jetës së përbashkët. Për gjithçka tjetër mjafton një organizim i mirë. Nëse edhe ai të do, sikur që shoh se ti e do atë, atëherë ai do ta pres me gëzim këtë propozim. Në të kundërtën, të paktën do ta dish ku qëndron dhe nuk do të vuash si një kafshë e plagosur për dikë që nuk e meriton këtë. Hajde, çikë! A duhet të ta vizatoj? - më pyeti, derisa unë e shikoja pa thënë gjë. Mu në atë moment cingëroi telefoni. Isha tepër e lumtur kur pash se ishte Dani ai që më thërriste. Dola nga kuzhina me vrap, në mënyrë që të bisedonim më rehat. - Hej, vogëlushe, çka ka? - më pyeti ai pa më përshëndetur. - Sa mirë që më thirre. Duhet të bisedojmë - thash, duke u munduar që të mos më dridhej zëri. - Të dua shumë dhe më mungon pa masë. Mendoj se një lidhje e këtillë më nuk ka kuptim. Në fakt, çka mendon për jetë të përbashkët? - Më vjen keq që edhe unë më duhet të ta them këtë, por edhe mua më duket se një lidhje e këtillë nuk ka kuptim.

Për fat të keq, unë nuk jam për ndonjë bashkëjetesë - këtë pjesën e fundit mezi e dëgjova, nga dhembja e cila filloi të më shponte. - Atëherë, lamtumirë - i thashë dhe e mbylla telefonin. E dija se kjo nuk ishte arsyeja. Dhe, isha e sigurt se i dija arsyet e vërteta të ndarjes. Ai ndihej keq meqë nuk mund të ndryshonte asgjë në lidhje me punën e tij, qytetin e lindjes dhe faktin se nuk mund të mi ofronte të gjitha komoditetet, me të cilat unë isha rritur dhe mësuar. Kurrë nuk i kisha treguar se kisha hetuar pasigurinë e tij, meqë nuk doja që ai të mendonte sesi e gjykoja, aq më keq, se ndjeja keqardhje për të. E kam dashur me të vërtetë, prandaj më vjen keq që u ndamë. Ndoshta do ta kisha më lehtë sikur ta dija se ai më la për një femër tjetër, apo thjesht, për shkak se u zhduk dashuria e tij ndaj meje. Kështu, dhembja ishte e dyfishtë. Tani, kur kanë kaluar disa vjet, çdo gjë është prapa meje. Jam një grua e lumtur dhe kam dy fëmijë. Kjo ka bërë që mërzia të largohet tërësisht nga jeta ime. Por, herë pas here nuk mundem e të mos e pyes veten athua, sikur të ishim munduar më shumë, a do të mund të ishim ende bashkë?

(Kosova Sot Online)