Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (128)

  • 04 June 2019 - 14:14
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (128)

Deri në fund të vitit të dytë të studimeve, përfundimisht shkrova fjalët në faqen e fundit. "Fund" E përfundova librin. Tani edhe zyrtarisht isha shkrimtar. Pasi mbarova librin tim të parë, e vetë-botova atë dhe shita shtatë kopje, ku dy prej tyre i bleva vetë. Më pas u ktheva në Exhvud. Dy vjet më herët. Nuk mund të duroja më; më duhej të shihja a ishte ai ende duke menduar për mua. Për shkak se, unë për asnjë sekondë nuk kisha pushuar së menduari për të. Qëndrova para ndërtesës së shkollës për një kohë të gjatë, duke shikuar drejt në klasën e tij. Ai ishte duke iu buzëqeshur studentëve, i ulur në këndin e tavolinës së vet, me gjasë duke i lutur që të bisedonin me të. Ai qiste me duar duke ecur nëpër klasë dhe, më pas filloi që të shkruante diçka në dërrasë të zezë. I kishte prerë flokët dhe e kishte lëshuar mjekrën. Dukej aq... i rritur!

Faqet m'u skuqën sikur që m'u kishin skuqur kur e kisha parë për herë të parë. Ai qeshte pasi një student tha diçka derisa ishte duke shkruar në dërrasë të zezë dhe duke e tundur kokën. Kur ra zilja, shikoja studentët duke marrë gjësendet dhe duke u nisur që të dilnin jashtë. Flladi pranveror u bë paksa më i theksuar dhe unë i kryqëzova duart mbi gjoks, në mënyrë që të mos ndjeja të ftohtë. Daniel më pas u kthye kah dritarja dhe shikoi poshtë. Shikimet tona u ndeshën dhe sikur çdo gjë brenda meje ngriu. Sytë e tij të zinj në fillim u hutuan, por më pas ai e ngriti dorën në drejtimin tim dhe më përshëndeti duke më thënë "tung". Mjaftoi ky gjest dhe këto fjalë që zemra ime të fillonte të rrihte si e marrë. "Tung", mezi i thash edhe unë. Ai e fshiu gojën me dorë, e më pas e fërkoi edhe qafën. U nisa në drejtim të tij, sikur edhe ai, derisa qëndronim ballë për ballë, vetëm me një xham në mes. Ai e vuri dorën në xham, e mbi të tijën, edhe unë e vendosa dorën time, mbi xham. Buzëqesha, por më pas pashë lotët në sytë e tij edhe pse edhe ai buzëqeshte. "Çaj"?, më pyeti ai, e unë pohova me kokë. Ai i futi duart në xhepa. "Mos qaj"! Kësaj here isha unë që qaja, supet më dridheshin. Ai më tha që ta prisja dhe unë menjëherë u shkreha në vaj, meqë edhe po të mos më thoshte, unë do ta prisja deri në pafundësi. Ai i mblodhi gjësendet e veta dhe u takuam para ndërtesës së shkollës.

Për një kohë të gjatë qëndruam përballë njëri-tjetrit, vetëm duke buzëqeshur, sikur fëmijë. U nisa që ta përqafoja e edhe ai me gjasë kishte menduar ta bënte të njëjtën gjë, meqë ia shkelëm njëri-tjetrit këmbët. U ndjeva sikur të isha përsëri ajo adoleshentja, kur e kisha takuar Danielin për herë të parë, në stacion të trenit. Kur duart e tij përfundimisht më përqafuan, mora thellë aromën e trupit të tij. Ai nuk kishte ndërmend që të më lëshonte. "Dukesh kaq i rritur", i thashë me zë të ulët, e ai qeshi, duke ma fërkuar shpinën. "Edhe mjekrën e paske lëshuar", i thashë, duke qeshur. "Po", tha ai, duke më lëshuar dhe duke e fërkuar mjekrën me dorë. "Më duhet të shkoj te berberi". "Pse?! Mua më pëlqen kështu". Doja ta ndërroja temën. - "Kalova kah shtëpia jote dje, por..." (vijon)


(Kosova Sot Online)