Roman dashurie:Kur e shijon dashurinë (129)

  • 05 June 2019 - 13:56
Roman dashurie:Kur e shijon dashurinë (129)

"Jam zhvendosur", më tha ai, duke ma bërë me dorë, që të ecnim përgjatë trotuarit, gjë që edhe e bëra. "Kalova ca kohë duke përmirësuar raportet me Jace-n, e më pas e shita banesën". "Por, ajo ishte..." "Ëndrra e prindërve të mi. Jo e imja. Tani jetoj në një vend tjetër, jo fort larg nga këtu. Një apartament tamam për të rritur", tha ai, si për shaka. Heshtëm, por situata nuk ishte aspak e padurueshme. "Si është Jace?" Ai buzëqeshi. "I pastër. Për herë të parë, pas një kohe të gjatë. Është duke ndenjur me Randy-n. Është kthyer në bend". "Mirë për të. Mirë për të dy ju", Danieli vetëm buzëqeshi. "Duhet të ma tregosh këtë apartamentin tënd të ri, një ditë". "Do të mund ta pinim nga një çaj atje, dua të them, nëse dëshiron ta shohësh banesën time të re", më ftoi ai. Natyrisht, u pajtova. Shkuam deri te banesa e tij dhe biseduam për gjithçka dhe çdo gjë. A e dini, ata njerëz, të cilët mund të mos i shihni me vite të tëra dhe, kur përfundimisht i shihni, ju duket sikur nuk ka kaluar koha fare? Ruani ata njerëz! Pasi që e vendosi çelësin në derë, ai u kthye që të më thoshte diçka, por asnjë fjalë nuk i doli nga goja, meqë buzët e tij ia mbylla me buzët e mia. Këtë e bëra papritmas, por më duhej që ta rikujtoja sërish shijen e buzëve të tij. Ai nuk hezitoi që të ma kthente puthjen. Duart e tij më përqafuan dhe unë ofshava, sikur të dehesha nga aroma e tij. U largova pak, sa për t'i parë sytë e tij të kaltër. "Oh, Zot, më fal", thash derisa bëra dy hapa prapa. "As që e di a je në lidhje me dikë! Thjesht, sapo erdha dhe fillova të të puth, sikur të isha..." Ai ma mbylli gojën duke më puthur sërish, kësaj here me gjuhë. Ofshava përsëri, me sy të mbyllur. "Nuk ke të dashur, apo jo"? Ai qeshi. "Jo. E ti, a ke të dashur"? Ndjenja e bashkimit të trupave tonë ishte aq e këndshme dhe e fortë, sa që nuk arrita t'i përgjigjesha. "Ë, Ashlyn?", pyeti ai, duke më kthyer në këtë botë. "Oh! Jo. Çfarë të dashuri, more", thashë. "Por, ti mund të më tregosh, e di. Nëse ke ndonjë person tjetër në jetë. Unë nuk kam pasur asnjë lidhje meqë, e di, si mund të isha në lidhje pas kësaj? Por, dua të them, tri vjet janë një kohë e gjatë për të pritur dhe plotësisht të kuptoj nëse ke filluar diçka..." Gishtat e tij ma mbyllën gojën. "Je duke llomotitur". Pohova me kokë. "Jam nervoze"! Ai u afrua më shumë, duke fërkuar hundët tona. Gishtat e tij mi lëmuan flokët, derisa sytë e tij kishin fiksuar sytë e mi. "Kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë femër tjetër, Ashlyn. Nuk mund të ketë". Qesha me vetëkënaqësi. "Eja brenda". Pasi që hyra në apartamentin e tij, buzëqesha. Ishte një apartament tipik i Danielit. Ai kishte instrumente muzikore në dhomën e tij të ditës dhe në një skaj, rafte të librave, me disa libra të vendosur kuturu. Iu afrova raftit me libra, duke i prekur disa prej tyre. Më pëlqente ndjenja kur prekë libra. Kishte aq shumë drama të Shakespeare-it. Aq shumë libra të historisë. "Kam çaj të gjelbër dhe një tjetër, të zi. Kam edhe një kuti të çuditshme të cilën ma dha nëna e njërit prej studentëve për Kërshëndella, vitin e kaluar. Çfarë çaji do"? pyeti ai, duke shkuar te kuzhina. Nuk më vinte asgjë ndërmend, meqë midis librave "Hamleti" dhe "Shumë zhurmë për asgjë", gjendej romani im, "To Find Juliet", jo një, por dy kopje. "Daniel", pëshpërita. Ai e ngriti shikimin dhe mu afrua. "Është një libër i mrekullueshëm", tha ai, duke i kryqëzuar duart. "Dua të them, heroi kryesor ndonjëherë di të jetë tuhaf i vërtetë, por çdo gjë tjetër është e përkryer. Më ka pëlqyer shumë". Ai e pastroi fytin dhe i mori të dy kopjet në dorë. "Më ka pëlqyer kaq shumë, sa që i kam blerë dy kopje, në rast se do të më humbë njëra, do ta kem tjetrën". (vijon)

(Kosova Sot Online)