Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (131)

  • 07 qershor 2019 - 13:04
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (131)

Kurë se kisha ditur se është e mundur ta duash dikë aq shumë. E hapa zarfin dhe e nxora letrën e dytë. Përshëndetje, Nuk e di se a jemi takuar më parë, por pasi që sot do të martohesh me motrën time, mendova të të përshëndes. Pasi që nuk mund të dal para të gjithëve për ta mbajtur fjalimin e shoqërueses kryesore të nuses, po ta jap ty. Kur ishim të vogla, Ashlyn e gjeti një merimangë në dhomën tonë dhe në vend se ta shkelte, ajo dëshironte që ta hedhë jashtë në mënyrë që ta jetojë një jetë të mirë të merimangës. Më vonë ajo e shkeli pa qëllim. Ka qarë për tri ditë me radhë. Kur ishim 15-vjeçare, ajo ka dalë me një dështak, ndërsa kur u nda nga ajo, Ashlyn ka qarë për katër ditë me radhë. Kur kuptoi se isha e sëmurë, ka qarë për shumë ditë. Ajo e ka zemrën më të madhe në botë, dhe unë e di këtë sepse i kam parë të gjitha anët e saj. Këtu i ke disa këshilla: I lexo diçka nga Shakespare-i kur qan. Dilni në shëtitje kur bie shi dhe kërce në pellgje me të. Mos u nevrikos nëse të shan kur i vjen ajo koha e muajit, e tillë është gjithmonë në atë kohë. I dhuro lule vetëm për shkak se është e martë. Shtyje që të bëjë gjëra që e frikojnë. Buzëqeshi edhe kur je i zemëruar. Vallëzo me të në mes të ditës. Puthe shpesh. Duaje përgjithmonë. Faleminderit që e do shoqen time më të mirë, vëlla. Vazhdo kështu. -Motra jote e re, Gabby. E shikova letrën për një kohë të gjatë, ndërsa lotët më rridhnin në faqe. Dera e dhomës u hap dhe Jace e futi kokën brenda. I fshiva sytë dhe u ktheva në drejtim të tij. "A je gati Danny? Fotografi dëshiron që t'i bëjë disa fotografi të dëshmitarëve para ceremonisë", tha ai duke buzëqeshur. "Po, gati jam". "A di si ta lidhësh kravatën?", më pyeti. "Natyrisht", i thashë. Për besë, nëse lëvizë do të të rrah. Mos merr frymë", tha Hailey prapa meje. Po qëndroja qetë, duke shikuar nga dritarja. Hailey e shtrëngoi lidhësen e korsesë sime aq shumë sa ma zuri frymën. "Në rregull, liroje frymën", më tha. E lirova frymën, aq shumë sa më lejonte fustani. Një zog fluturoi pranë dritares dhe unë e ndoqa me gishtin tim, duke e shikuar derisa fluturonte gjithnjë e më lartë në qiellin e kaltër. "Dukem e trashë!", thashë unë duke e prekur materialin nga dantella. Sytë e nënës u përlotën derisa po më afrohej. "Ti je nusja më e bukur në botë", më tha. "Kjo është një ditë e mirë për t'u martuar, apo jo? ", e pyeta unë. Hailey menjëherë e solli shampanjën dhe tha se është ditë e përkryer për martesë. Dikush trokiti në derë dhe unë i thashë që të hyjë brenda, por jo nëse ishte Daniel. (vijon)

(Kosova Sot Online)