Ngjarje e vërtetë: Më nuk mund ta duroja vetminë (3)

  • 09 June 2019 - 15:25
Ngjarje e vërtetë: Më nuk mund ta duroja vetminë (3)

- Më thuaj diçka - i thashë, duke iu afruar dhe duke ia lëmuar fytyrën e djersitur. - A di ti se çka d.m.th. të kesh fëmijë? Ti ende je tepër e re. Unë të dua vetëm për vetvete - tha ai me një zë të çuditshëm. - Nuk di çka të mendoj. Kjo më erdhi kaq papritur. Më trondite tërësisht. Ky nuk është një vendim, i cili mund të merret për një minutë. Nuk ke nevojë të sakrifikohesh kaq shumë për mua - vazhdonte të kundërshtonte ai. - Unë të dua dhe është krejt e natyrshme që dua ta kem një fëmijë me ty. Kjo nuk do të ndryshojë asgjë midis nesh - insistoja unë. - Mos e mashtro veten! E, çka nëse një ditë kupton se nuk jam ai që ke menduar se jam? Çka nëse do të dashurohesh në dikë tjetër? Fëmija im do të jetë vetëm barrë për ty. Ai do të të pengojë në jetë, ashtu sikur që mua më kanë penguar fëmijët e mi. Ai do të na lidhte përgjithmonë, por... - Unë këtë edhe e dua - e ndërpreva. - Për mua nuk ekzistojnë meshkujt e tjerë. Ti je mishërim i tërë asaj që kam dëshiruar ndonjëherë - mundohesha t'ia mbushja mendjen.

- Po. Besoj se kështu mendon, por mua më duhet kohë për të menduar. Më duhet të mendoj mirë për çdo gjë. Nëse gabojmë, atë gabim më nuk do të mund ta korrigjojmë. Ikim, tanimë është bërë vonë - tha duke u ngritur. Më priti derisa e mora çantën, e më pas u nisëm kah dalja. Nuk thamë më asgjë. Secili prej nesh ishte i preokupuar me mendimet e veta dhe ajo mbrëmje ishte një dështim i plotë. Pasi që u largua, ia krisa vajit. Lehtë e kishte ai. Kishte një familje të veten, e unë? Çka kisha unë? Asgjë! Tërë kohën paskam qenë duke e gënjyer veten. Gjithçka kam sakrifikuar për dashuri. Nuk kërkoja shumë, por duket se edhe atë që e kërkoja, për të ishte tepër. Në mes të natës dëgjova një shushurimë dhe u çova. Isha e tmerruar nga frika. Dera e banesës u hap. - Sofije! - dëgjova zërin e Lirakut, e më pas ai e ndezi edhe dritën. Ende ishte i veshur me ato rroba. Sytë i shkëlqenin. Ishte evidente se kishte pirë, por për habinë time, ecte me një hap të sigurt derisa më afrohej. - Mi fute ethet - i thash me ashpërsi. - Sofije, mendova rreth propozimit tënd. Do të pranoj të bëj krejt çka të duash, vetëm që të të mos mbetem pa ty. - Prej nga ky ndryshim i papritur i mendimit? - e pyeta e befasuar. - Nuk është ndryshim i papritur. Unë vetëm doja të të mbroja ty! Doja që ti ta shijoje jetën, t'i kishe duart e lira - më thoshte me një zë të pikëlluar.

- Por, unë dua që ta kemi një fëmijë! Në fytyrë i dukej lehtësimi. Mu afrua dhe më kapi ngryk. Zemra më rrihte aq fort, sa që mezi merrja frymë. Qesha me kënaqësi. Tani, tri vjet pas asaj mbrëmjeje, me ndërgjegje të qetë mund të them se jam njëra ndër gratë më të lumtura në botë. Kam dy fëmijë të cilët m'i kanë plotësuar të gjitha boshllëqet në jetën time. Kurrë nuk i kam rënë pishman për shkak të vendimit tim. Koha tregoi se sa kisha pasur të drejtë. Edhe pse gjendem në një situatë e cila shumë gra i bën të rrëqethen nga frika, unë aspak nuk ndihem e lënë anash. Kam çdo gjë që kanë edhe gratë e tjera. Fëmijë të shëndoshë dhe një burrë që më do. Dallojmë vetëm në një aspekt. Ato mbajnë mbiemrin e burrit të tyre, e unë jo. Për mua nuk ka rëndësi një copë letre, por dashuria e sinqertë dhe e thellë të cilën e ndjej ndaj Lirakut.

(Kosova Sot Online)