Ngjarje e vërtetë: Dashuria e fshehur nën vello (5)

  • 14 June 2019 - 14:24
Ngjarje e vërtetë: Dashuria e fshehur nën vello (5)

Vazhdova me punën, stresi ishte kthyer sërish, por tani më nuk më dukej aq vështirë të jem atje, sepse me mendje isha në shtëpi, me gruan e cila, ndoshta, më priste. Mes nesh kurrë nuk është bërë fjalë për diçka tjetër, as nga ana ime as nga ana e saj, sepse ajo kurrë nuk më ka tërhequr fizikisht, edhe pse më pëlqente sharmi dhe inteligjenca e saj. Koha kaloi shpejt dhe papritmas e kuptova se puna është kryer dhe se mund të kthehem në shtëpi. Disa ditë para largimit i telefonova shefit të punëtorëve afganë dhe e luta që të ma blejë një ferexhe, duke i sqaruar se dëshiroj t'ia dhuroj një mikes time. Fahed më premtoi se do të ma sillte para udhëtimit, por kur në ditën e largimit shkova në zyrën tume, aty më pritën 20 ferexhe të vendosura në tavolinën time. Fahed më tha se nuk ishte vetëm dhuratë e tij, por edhe e punëtorëve të tjerë, të cilët dëshiruan që të tregojnë se e vlerësojnë faktin që e respektoj traditën e tyre. Kështu, i mora të gjitha ferexhetë. Selvia do të jetë e kënaqur, tani do t'i ketë për tërë jetën. Kur mbërrita në shtëpi, e ftova në darkë në një restorant, duke ia bërë të ditur se e kam një befasi për të. Ajo qeshi dhe e kisha ndjenjën se do të mund të dashurohesha në atë qeshje të ngrohtë të saj. Atë mbrëmje Selvia e kishte veshur një këmishë të bardhë që e theksonte lëkurën e saj të errët, të cilën e kishte kombinuar me pantallona të gjera dhe me një jelek pa mëngë. Madje kishte vënë edhe pak grim dhe e përqafova me kënaqësi të sinqertë pasi që e pashë sërish. -Dukesh për mrekulli sonte! Si je? Ajo menjëherë si e frikësuar u largua pak nga unë. -Mirë, e ti? Si ishte në Afganistan? -Shumë mirë, puna ka përfunduar dhe më nuk kam nevojë që të kthehem atje. - Aha, pra, do të rrish këtu? -Ende nuk e di me siguri. Ndoshta do të më dërgojnë sërish diku. E ndoshta do të kërkoj që të mos më dërgojnë më jashtë shtetit dhe të më punësojnë në ndonjë zyrë. Darkuam dhe biseduam për shumë gjëra. Më mirë nuk kisha kaluar me dikë më parë. Me të nuk kisha nevojë që të jem dikush që nuk jam, pa frikën se do të kuptohem gabimisht. Selvia e dinte se si t'i nxirrte edhe mendimet më intime të mia pa ndonjë mënyrë imponuese. Para përfundimit të darkës i thashë duke qeshur: -Ende nuk më pyete se çfarë befasie e kam për ty. Ajo i ngriti vetullat. -Mendoj se e di. Ma ke sjellë një ferexhe! -Një? Jo zemër, t'i kam sjellë njëzet. Të kaltra, të zeza, të bardha e me lule. Më të ngrohta për dimër, më të lehta për verë. Ajo u befasua. - Po tallesh! -Mezi po presh t'i shoh. Ku janë? - Në veturë. -E çfarë po pret? Mi trego! -Po ti çfarë do të më japësh për to? Më shikoi me dyshim. -Miqësinë time të përjetshme, u përgjigj. -Në rregull pra. Por, dëshiroj që sonte te veshësh ferexhenë dhe të më tregosh se si dukesh. Ajo u ngrit dhe u nis drejt daljes. -Shkojmë në banesën time. Të ftoj për pije dhe për shfaqje të modës me ferexhe. Vozita deri pas saj deri te ndërtesa dhe u parkova pas veturës së saj. Me një pako me ferexhe në duar, shkova në banesën e saj. Selvia banonte në një banesë të rregulluar mirë, në katin e parë të një ndërtese jo shumë të lartë të rrethuar me kopsht. Sapo hymë, me dorë ma tregoi divanin dhe më tha që ta pres aty. -Çfarë do të pish? - Një birrë të ftohtë, nëse ke. - Menjëherë! (vijon)

(Kosova Sot Online)