Ngjarje e vërtetë: Dashuria e varrosur në borë (8)

  • 24 June 2019 - 15:35
Ngjarje e vërtetë: Dashuria e varrosur në borë (8)

Në fund më ka thënë se kishte lënduar njërin prej dhëmbëve të parë, porse kjo nuk ishte ndonjë problem i madh të cilin nuk do të mund ta rregullonte dentisti. Ndërkohë, aty te ne kishte arritur edhe qeni me shoqërinë e tij. Pronari i qenushit tjetër e kishte parë se çfarë kishte ndodhur e edhe ai po ashtu i kishte ofruar gjithë ndihmën e mundshme. Marrë parasysh se i pari në "vendin e ngjarjes" kishte arritur babai yt, ai tjetri tashmë kishte shkuar, i bindur se ne të dy njiheshim që moti. Përpos dhimbjeve që i kisha në fytyrë, por edhe te pjesa e prapme e trupit tim, kam ndjerë shumë turp derisa isha përballë babait tënd. Kjo për faktin sepse ishte një mashkull që më pëlqente shumë, ndërsa që kishte hasur në mua derisa unë isha në gjendjen më të keqe të mundshme. Isha madje më shumë se sa e turpëruar shkaku i gjithë asaj që kishte ndodhur pikërisht para syve të tij. Ai ishte një zotëri i vërtetë, më kishte ofruar që të më përcillte deri te shtëpia ime. Kam pranuar ofertën. Sa e lumtur isha kur përballë ndërtesës ku banoja ma ka kërkuar numrin e telefonit, në mënyrë që të më thërriste e të bindej se isha mirë. Natyrisht, me gjithë dëshirë ia dhashë numrin tim të telefonit. Më ka thirrur mëngjesin tjetër dhe më ka propozuar që të shihemi dhe të pimë nga një kafe. I kam thënë se ashtu me dhëmbin e lënduar nuk mundem të dal, ndërsa ai më tha se kjo aspak nuk i pengonte dhe kështu më ka bindur që të dal për kafe. Dhe po, ja, kështu gjithçka ka filluar.

- Dashurinë time të duhur, atë të përjetshme, e kam gjetur nën borë, me dhëmbë të thyer - shtova unë, e që të dy kishin filluar që të qeshin. Vajza ime me këtë rast po kënaqej me tregimin, e kur kemi pirë çokollatën e nxehtë, shkoi rrugës së saj. Disponimi i Dianës kishte ndryshuar. Që të dy ishim të lumtur pasi ajo na ka vizituar në një ditë me borë e të ftohtë si kjo, duke na kujtuar atë ditën e ftohtë me borë, ditë kjo e cila na kishte bashkuar zemrat tona, jetët tona. Me të kam lidhur martesën e katërt, e cila që në fillim dallonte me të madhe në krahasim me martesat paraprake. E kisha më të qartë se kurrë më parë se martesat e tjera ishin vetëm mashtrim. Shërimi i këmbës së Dianës, të cilën e kishte thyer, ka zgjatur rreth dy muaj, madje më shumë se kaq. Për fatin tim të mirë dhe fatin e saj të mirë, puna si trajnere e vallëzimit po e priste ende.

Dhe jo vetëm kjo. Pas disa ditës ishte ftuar të merrte pjesë në një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. I kam thënë që të mos shkonte por, prapë le të bëjë çfarë të donte, sepse isha shumë i brengosur për shëndetin e saj, ngase e kam ditur se do të ushtronte shumë. Nuk më ka dëgjuar, ajo e ka pranuar thirrjen dhe së bashku me partnerin e saj valltar kanë arritur një vend të lartë në këtë garë. E kam përcjellë kudo që ajo shkonte, ndërsa që unë po kënaqesha ta shikoja derisa po ngjitej në podiumin fitues. Ajo për mua ishte gjithçka që një grua mund të ishte, ajo ma dhuron dashurinë dhe përfundimisht e kam kuptuar se si është të dashurosh dhe të dashurohesh. Pasi kam humbur besimin në femrat dhe dashurinë, ajo ma ka kthyer, ajo ma ka vërtetuar se sa e shenjtë është dashuria, se sa bukur është të marrësh dhe të japësh.

(Kosova Sot Online)