Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (1)

  • 25 June 2019 - 15:21
Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (1)

Ganen e njoh që nga shkolla e mesme. Tani kjo periudhë më duket aq e largët, sikur të kishte ndodhur 100 vjet më parë. Asokohe isha shoku më i mirë i Arianit, por nga ne të dy unë isha një kodosh më i madh, meqë vazhdimisht ndërroja të dashurat. Që të dy luanim basketboll dhe i kishim adhurueset tona, të cilat vinin për të na shikuar dhe për të bërë tifo për ne. Pa modesti të rreme, ishim mjaft të pashëm dhe ishim të vetëdijshëm për këtë. Ariani kishte një trup më të bukur sesa unë, por unë kisha më shumë sukses me femra dhe shoku im ma kishte zilinë paksa për këtë gjë. Por, unë mundohesha që të mos mburresha para tij, për suksesin tim me femrat. Ndoshta për shkak se ishim aq të lidhur, u ndjeva paksa i zhgënjyer kur ai më njoftoi me Ganën.

Ishte thatanike dhe nuk binte në sy, gati anoreksike. Aspak nuk më pëlqente, bile më ishte antipatike. - Sikur ta kisha ditur ku e gjete këtë skelet, Arian? - e pyeta, derisa Ganja shikonte banesën tonë njëdhomëshe të cilën e kishim marrë bashkë me qira. Ai më shikoi me zemërim. - Kujdes çka flet, Mal! - më tha. - Ajo është e dashura ime! Për pak sa nuk ia plasa gazit. - E dashura?! A mund ta di prej kur ti ke të dashur? - Nga dje. A je i kënaqur? - Uh! Ti qenke dashuruar. Si ndodhi një gjë e tillë? E përqeshja, por në fakt isha i zemëruar me të. Këtë e përjetoja si ofendim personal. Si kishte marrë guximin që të fillonte një lidhje, e mua të mos më tregonte asgjë? Unë gjithmonë i tregoja atij për të gjitha lidhjet e mia të dashurisë. Ariani tentoi që të arsyetohej. - Nuk të tregova asgjë, meqë e dija se do të më kritikoje. Të njoh mirë ty. - Mirë paske menduar. Je duke bërë një gabim të madh. Assesi nuk mund të të paramendoj në një lidhje. Sikur edhe që mund të pritej, shoku im u mbyll në vetvete. Dhe, nga ai moment filloi t'i shihej fundi miqësisë tonë. Unë nuk e kuptoja atë, ai nuk më kuptonte mua. Gati si për inat, fillova që të dilja edhe më shumë, dhe çdo mbrëmje shkoja me një vajzë tjetër, duke u mburrur për suksesin tim me femrat. Ariani më shikonte ndonjëherë me keqardhje, derisa përqafonte Ganen, të cilën vazhdoja që ta konsideroja si person të pavlerë dhe aspak atraktive. Por, dashurinë e tyre s'kishte gjë që mund ta prishte.

Dukej se nuk bëhej fjalë për një joshje të çastit, sikur që shpresoja unë. Ariani dukej se e kishte seriozisht. Disa muaj më vonë mora vesh se Ariani e kishte njoftuar Ganen me prindërit e tij. Por, mua nuk më interesonte më asgjë. Mendoja se shoku im më i mirë ishte bërë axhami dhe shpresoja që mua kurrë të mos më ndodhte një gjë e tillë. Pas disa viteve ia dola që të diplomoja dhe të punësohesha. Edhe pse në fillim e kisha vështirë të mësohesha me ritmin e punës, nuk mu desh shumë që të krijoja miqësi me kolegët. Vazhdoja t'i thyeja zemrat e femrave, duke evituar femrat e martuara, të cilat i konsideroja burim të problemeve, duke u përqendruar vetëm te femrat e lira. E, femra të tilla kishte shumë, të cilat nuk më shqiteshin fare. Por, unë isha i sinqertë ndaj tyre. Që në fillim ua bëja me dije se qëllimi im ishte vetëm argëtimi, e jo ndonjë lidhje. Për dallim prej meje, Ariani ishte shumë afër martesës. Ai më ftoi në dasmë. (vijon) 

(Kosova Sot Online)