Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (2)

  • 26 June 2019 - 15:04
Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (2)

 Shpresoj se do të vish - më tha - në fund të fundit, dikur ishim të pandarë. Në emër të asaj shoqërisë do të më vinte mirë që me ty ta ndaj kënaqësinë time. - Kënaqësinë tënde? Miku im i mjerë! Ndoshta ke dashur të thuash humbjen e lirisë tënde. - Hajde, Marko, mjaft me tallje. Së paku në llogari të martesës time! - Në rregull, do të vij. Dhe nuk do të të nguc, të premtoj. Dhe e kam mbajtur fjalën. Tash e një kohë të gjatë nuk e kam parë Ganën dhe më kishte befasuar sa shumë ishte hijeshuar. Më nuk ishte aq e zbehtë dhe e dobët. Në vellon e bardhë dukej tepër e bukur, shikimi po i shkëlqente nga gëzimi dhe kam vërejtur si po e shikoja me sytë e një mikut. Po posedonte një bukuri të hatashme, që kurrsesi të kalonte pa u vërejtur. Kur e kam parë se sa e dashuruar e shikon Artanin, kam ndjerë një zili. Pikërisht unë!

Kjo me të vërtetë ishte kulmi! Në martesë kam ardhur në përcjelljen e një biondinës, e cila ishte shumë e bukur dhe tërheqëse, Megi, të cilën e kisha njohur dy javë më parë derisa ishim në diskotekë dhe e cila ishte tepër e lumtur që e kam ftuar të vinte me mua. Megi ishte e kundërta e Ganës. Bukuria e saj binte në sy, ishte shumë e rregulluar me grim, ndërsa hapat me taka linin gjurmë. Nëse para martesës isha krenar me atë vajzën që e kisha me vete në fund të drekës pothuajse më vinte mundim, edhe pse ajo nuk ishte aspak fajtore për ndryshimin tim të disponimit. Kam ndjerë një pakënaqësi të thellë. Nuk po mund të ndaloja të mendoja për Ganën. Nusen e bukur të mikut tim më të mirë, të cilën në fillim nuk e kam vërejtur. E veshur me vellon e bardhë, dukej si të mos ishte reale, si një ëndërr e largët dhe e paarritur. Atë natë kam ëndërruar se si zbret nga altari dhe vjen në takim me mua, me duart hapur, por nuk po mund t'i afrohesha. Diçka më ndalonte në këtë, por nuk kam mundur ta kuptoj se çfarë. Ndoshta ishte frika ime nga lidhja me të. Jam zgjuar shpejt, i mbuluar me një djersë të ftohtë, duke e kuptuar se po qëndroj i shtrirë në skaj të shtratit. Çfarë më ka ndodhur, a mos jam çmendur, vallë, po mendoja. Ndoshta thjesht jam i lodhur nga jeta pa asnjë brengë, pa qëllim. Tashmë po i mbushja të tridhjetat dhe po më bien në mend fjalët e prindërve se duhej ta gjeja një vajzë për t'u martuar. Ishte kjo një situatë e re për mua. Pushtimi i femrave nuk më argëtonte si dikur. Kishte filluar të më gërditej. Mua, të cilin asnjë femër nuk mundet ta refuzojë, tashmë më vinte mundim nga të gjitha vajzat që më ofroheshin si në pjatë.

Çdo mbrëmje kur do të kthehesha në shtëpi nga ato netët e çmendura, do të ndjeja një shije të hidhur në buzë. Në një moment ndoshta mendova se mos po plakem, por mendova se ende nuk i kam mbushur tridhjetë. Si është e mundur kjo? Mos vallë kam shpenzuar energjinë e jetës, gjithë vitalitetin tim? Ishte kjo një pjesë e vështirë e jetës sime dhe shumë shpejt prindërit e mi e kanë vërejtur se kohëve të fundit kam ndryshuar. Në fillim kishin menduar se ishte kjo një nga taktikat e reja të mia të joshjes, pastaj e kanë vërejtur se diçka më mundon. - Mos je dashuruar, vallë, Marko - më pyetën. - Çfarë marrëzish ju bien në mend, a mos jeni çmendur? Kohëve të fundit nuk jam aq në vullnet të mirë, kjo është e tëra. Do të kalojë. Por nuk kalonte. Shpeshherë e kam takuar veten time derisa mendoja për gruan e mikut, duke pyetur se ku janë ata dy, a janë të lumtur në martesë. Nuk i kam parë më shumë se një vit nga martesa e tyre. Miqtë e përbashkët flisnin se ishin të lumtur, si dy pëllumba të dashuruar. (vijon)

(Kosova Sot Online)