Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (3)

  • 27 June 2019 - 15:17
Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (3)

Më pas, krejt rastësisht, një ditë e takova Arianin në qytet dhe ai iu gëzua shumë takimit me mua. Më përqafoi përzemërsisht dhe më pyeti si jam. - Ja, shkon disi … - pëshpërita. - Shkëlqyeshëm je, po shihet! - më ndërpreu derisa mundohesha t'ia bëja me dije se nuk isha edhe aq mirë. - Je në formë, sikur në kohët e vjetra. Pse ndonjëherë nuk vjen te ne? - shtoi. - Nuk ke qenë qyshkur jemi martuar. - Paj, do të vij një ditë. Edhe pse kjo tingëllonte si një fjali kurtuazie, unë e thashë seriozisht. Pse jo? Fundja, isha mërzitur të dilja çdo mbrëmje me shoqëri, kështu që çdo ndryshim ishte i mirëseardhur për mua. Dhe, kështu, pas katër ditësh, e thirra mikun tim dhe e pyeta a vlente ftesa ende, e ai më tha se Ganes dhe atij do t'iu vinte mirë po t'i vizitoja. Shkova me një buqetë të madhe të luleve për zonjën.

Ariani më priti shumë përzemërsisht. Nuk prisja një ngazëllim të tillë, fundja, nuk është se ishim ndarë në kushtet më të mira të mundshme. Por, ai me të vërtetë u gëzua kur më pa, gjë që nuk mund të thuhej për Ganen, e cila më përshëndeti ftohtë. Ma ofroi një pije, e më pas se ku u zhduk diku. Dukej se, për kushedi çka, ishte e zemëruar në mua. Konstatova se ishte mjaft e bukur: martesa ishte evidente se i kishte bërë mirë. Kishte fituar disa kile, e sytë i shkëlqenin me një shkëlqim të ri. Tani kuptova pse miku im donte aq shumë të martohej me të. Isha tërësisht i thelluar në mendime të tilla, kur Ariani filloi të pëshpëriste diçka në besim pasi u largua gruaja e tij. - E di, Mal, mezi kam pritur të flas me ty. Vetëm ti mund të më kuptosh… E shikova i befasuar. - Njëmend? Pse bash unë? Shikimi i tij i shqetësuar ma zgjoi kureshtjen. - Shiko… isha aq i lumtur derisa isha në lidhje me Ganen, por vetëm tani kam kuptuar se sa kam gabuar që jam martuar me të. Kjo më befasoi tërësisht. - Por… - kjo ishte e tëra që arrita të thosha. - E di, do të tingëllojë çuditshëm, meqë me vite më konsideron për njeri të dashuruar dhe të lumtur. Por, në fakt, më mungojnë kohët e vjetra kur bëja një jetë të shkujdesur, nga dita në ditë, sikur ti, dilja çdo mbrëmje dhe ndërroja të dashurat. Mu në momentin kur seriozisht mendoja ta ndryshoja stilin tim të jetës, shoku im Arian vuante për të kaluarën! - Nuk mund të besoj … - Por, kjo është e vërteta. Gruaja ime vazhdon që të çmendet për mua, por mua ajo disi më është mërzitur pak. - Më fal, por unë nuk kuptoj. Pse nuk po i thua asgjë? - Mal, ti sikur nuk i kupton gratë. Atëherë ajo vetëm sa do të fillonte të më ngufaste edhe më shumë me dashurinë e saj, gjë që unë nuk do ta duroja assesi. Më me dëshirë do të filloja përsëri të dilja me ju. Nëse do të më pranoni! - Mos po dëshiron... që ta mashtrosh gruan? - e pyeta i tmerruar. - Hej, çka flet? Mashtrim është fjalë e rëndë. Më shumë do ta quaja shkarkim. Përpos kësaj, si thonë anglezët: Nëse nuk e di, nuk i bën dëm.

- Më fal për këtë që do ta them, por ti je një dyfytyrësh i vërtetë. - Oho, kush ma thotë! Ti që nuk e di kuptimin e fjalës 'moral'! - Çka flet? Shumë mirë e di se çka është morali. Unë jam beqar dhe mund të bëj çka të dua! - E, unë vetëm dua që të dal herë pas here. Çka ka të keqe këtu? - Nëse nuk do të jesh i sinqertë ndaj gruas tënde, ajo mund të kërkojë shkurorëzim nga ti. - Nuk dua shkurorëzim. Dua vetëm disa mbrëmje të lira... - më tha duke më buzëqeshur djallëzisht. M'u mërzitën fjalët e tij. Mua, i cili më parë gjithmonë kundërshtoja për shkak të dashurisë së madhe të tij ndaj Ganes. Por, Ariani arriti që ta merrte nga unë premtimin që, nesër, do ta merrja me vete në hapjen e një klubi të natës. Ia tha këtë ai gruas së tij, e cila dukej e çuditur dhe më shikoi e mërrolur. (vijon)

(Kosova Sot Online)