Roman dashurie: Mbrojtësi (22)

  • 30 June 2019 - 15:17
Roman dashurie: Mbrojtësi (22)

- Mos, Gane, më lësho! - Nuk të lëshoj. Duhet të jesh më e mençur. Kemi pasur mjaft gjëra të këqija në familje. Mjafton që të ndodhë diçka, që unë të çmendem. Si nuk të vjen keq për mua? Vazhdimisht jam në fluturim, e kërcënimet e terroristëve janë të pranishme në çdo aeroport. Nervat janë duke më lënë, duroj çdo lloj njerëzish dhe iu buzëqesh, meqë kjo është pjesë e jetës sime. Dhe, deri më tani kam menduar se me ty jam rehat, që je e mençur dhe nuk do të lejosh që të të ndodhë diçka e keqe. E tani çka? Sa herë që do të shkoj në punë, do ta kem frikën se do të përziesh diçka me ndonjë të panjohur. E atë si e njohe? As këtë nuk ma the? Je tepër e dyshimtë, deri para disa muajsh nuk ke pasur asnjë mashkull, as si të njohur bile, e tani përnjëherë aty është edhe ai i marri që të sulmoi, e edhe ky bukuroshi. Çka ndodhi me ty, Valdete?

Llomotitjet e Ganës bënë që Valdetja të fillonte menjëherë të qante. Aq shumë donte që të mos e kujtonte atë natë, e nga Ganja priste më shumë sesa ngushëllimi, e më pak sesa dyshimi. - Pse qanë tani? Tani është vonë. Kur të thosha që të mësoje nga unë sesi sillesh me të tjerët, sidomos me meshkujt, ti shikoje murin. As Malta nuk të bëri punë. Mendoja se atje do të shihje si funksionon bota dhe sesi ka nevojë që të përshtatesh me të gjithë, por edhe atje ti shkove me të panjohur. - Këtë ma ke miratuar kur të kam pyetur herën e parë! - Atëherë nuk e dija se je e marrë. Është mirë që ai italiani nuk të ka dhunuar. Nuk mund të luash, e më pas të thuash jo. Ose pranon për seks, ose nuk pranon. Sqaroji gjërat njëherë e mirë! Pas këtyre fjalëve, Valdetja u vesh me shpejtësi dhe doli jashtë.

KAPITULLI 17

Ishte aq ftohtë, saqë lotët thuajse i ngriheshin në fytyrë. Ecte ndokund, në drejtim të panjohur dhe mendonte sesi Ganja megjithatë kishte të drejtë. Duke u kthyer nga Malta, mendonte se përfundimisht do të mund të komunikonte me njerëzit, se kishte mësuar të ishte më pak e turpshme, se ishte relaksuar. Por, doli që ende nuk ishte e aftë për jetë. Ja, kjo i kishte ndodhur në lidhje me të, të cilin e ndoqi edhe në parking.

Ai i pëlqente, e ajo vetëm e shikonte atë si cak që qëndronte para banesës së Ganës. Në librari vendosi kontakte me blerësit dhe vetëm atëherë kishte ndjenjën se, të paktën, një moment, për dikë kishte ndonjë rëndësi, aq gjatë saqë zgjat interesimi i një lexuesi për librin. Ganja ishte gjithmonë e fortë dhe e pavarur. Iu kujtua momenti kur policia i kishte ardhur në derë dhe e kishin njoftuar për fatkeqësinë e prindërve. Valdetja kishte rënë në dysheme dhe kishte qarë, derisa Ganja nuk e kishte thirrur ndihmën e shpejtë dhe i kishin dhënë diçka për qetësim. Kishte organizuar funeralin, kishte pranuar njerëzit, e në fund e kishte kthyer përsëri jetën e dy vajzave të reja në rend. Përkujdesej për Valdeten si për fëmijën e saj, duke mos treguar asnjëherë se kishte nevojë edhe vetë që të shtrihej përtokë dhe të qante. Për tërë këto mendime, Valdetja ndihej e panevojshme, e padobishme për të tjerët. Shikonte rreth vetes dhe e njohu qytetin. Si me çudi, u gjet para banesës së tij. Me dorën që i dridhej, i ra ziles. Ishte errësuar, por nuk ishte aq vonë, saqë ai të dilte për të punuar si taksi. (vijon)

(Kosova Sot Online)