Roman dashurie: Mbrojtësi (25)

  • 03 July 2019 - 15:00
Roman dashurie: Mbrojtësi (25)

KAPITULLI 21

Erdhi me qeset plot pemë, lëngje dhe ëmbëlsira. Vërejta se i kishte prerë flokët dhe dukej më serioz me stilin e ri të flokëve. Po ashtu vërejta edhe qeskat e zeza, nën sytë e tij. - Më fal që je ftohur për fajin tim. Ku e ke motrën? - Shkoi për të fjetur. - Mirë. Nuk do të rri shumë. Erdha për të parë se si je. Mendoj se duhet të kërkoj falje. Thjesht, atë mbrëmje u nis diçka e mbrapshtë në jetën time dhe... nuk pata fuqi që të të thërrisja më herët. - Nuk ka lidhje. A erdhën ata njerëz nga të cilët fshiheshe? - Mund të thuhet edhe kështu. Ai heshti dhe për një moment mu duk bosh. - Dëshiron kafe? Çaj? - Jo, asgjë, të thash se nuk do të rri shumë. Edhe një herë të kërkoj falje që u solla si budalla, budallai i njëjtë që të sulmova... por, atëherë më kishe çmendur me insistimin që të ngadalësoja. - Nuk më pëlqen vozitja e shpejtë. - Shpresoj të kesh kuptuar se jam profesionist dhe nuk ka nevojë të kesh frikë kur vozitesh me mua? - Edhe im at ishte profesionist, kishte punuar si shofer më shumë se 20 vjet. Dreni u mërrol. - Nuk e di çfarë lidhje ka kjo?

- A e di që më kanë vdekur prindërit? - Më tregoi Ganja... por, nuk e di... O, Zot! Sa i marrë që jam! A në fatkeqësi trafiku vdiqën ata, a? Valdetja vetëm pohoi me kokë. - Tani e kam të qartë pse reagove ashtu atë ditë. Më fal, nuk më kishte shkuar në mend. U ngrit dhe e përqafoi. E shtrëngoi aq fort, saqë asaj iu desh ta shtynte, që të mund të merrte frymë. Përnjëherë fytyrat e tyre ishin tepër afër, aq afër saqë ndjente frymën e tij të freskët. U shikuan në sy, e ai filloi ngadalë ta puthte. Sapo filloi ta puthte, Valdetja sikur u kthjell. - Mos! Ai u ndal menjëherë. - Më fal, u habita. - Nuk ka lidhje. Tani shko, të lutem! - Në rregull. Dëgjohemi. - Po. Tung! Pasi mbeti vetëm, ajo e pyeti veten pse e kishte refuzuar atë puthje, pasi edhe vetë e donte. E dinte se kjo kishte të bënte me Ilirin. Po, edhe vetë i vinte turp nga vetja para Drenit, sikur nuk mund të hiqej balta nga ajo. Ai me të mund të kishte vetëm një aventurë, vetëm seks dhe asgjë tjetër. Me të nuk do të bënte fëmijë. Kujt i duhej një nënë e fëmijëve, e cila ishte dhunuar?! Mezi e zuri gjumi atë ditë. Vazhdimisht i kthehej momenti kur buzët gati iu ishin bashkuar dhe në imagjinatën e vet paramendonte sesi do të dukej sikur të mos e kishte shtyrë.

KAPITULLI 22

Gjatë muajit të ardhshëm dolën 2-3 herë për pije. Gjithherë silleshin si miq të mirë dhe nuk përmendnin gjërat nga e kaluara. Ndërkohë, ndodhi diçka me të vërtetë e jashtëzakonshme - Ganja u dashurua në një punëtor të sigurimit të aeroportit, prandaj filloi t'i ndryshonte shprehitë jetësore. Më nuk i vinin shoqet aq shpesh, e Valdetja nuk e dëgjonte duke folur për dikë tjetër, pos për të dashurin e saj, Erxhan. Bile, ajo e përmendi edhe martesën, gjë që tregonte se bëhej fjalë për një dashuri të vërtetë. Valdetes i pëlqeu Erxhani. Ai sillej me kujdes ndaj motrës së saj, ishte gjithmonë i qeshur dhe, përkundër asaj se dukej si një bodibillder i budallosur, ai të habiste me mendjemprehtësinë e vet. Marrë në përgjithësi, ai ishte dhëndër ideal për Valdeten. (vijon) 

(Kosova Sot Online)