Roman dashurie: Mbrojtësi (26)

  • 04 korrik 2019 - 15:10
Roman dashurie: Mbrojtësi (26)

Përpos me Drenin, Valdetja filloi që të shihej edhe me një kolege të re nga libraria, Merin, me të cilën menjëherë krijoi një kontakt të mirë, kështu që nuk ndihej më aq e vetmuar. Meri kishte 30 vjet, një vajzë 5-vjeçare dhe sapo ishte ndarë nga burri, prandaj takoheshin në shtëpi dhe në qytet. Atyre ditëve Valdetja kuptoi se kishte rënë në dashuri me Drenin. Thjesht, mund të pranonte se dridhej sa herë që gjendej në afërsinë e tij, por megjithatë i kontrollonte emocionet shumë mirë. Vërente që qeskat e zeza të syve të Drenit nuk kalonin dhe ishte e sigurt plotësisht që në jetën e tij ishin duke ndodhur ndryshime, qoftë edhe nëse gjendet në ndonjë lidhje për çka është i lodhur dhe i përgjumur. Por, asgjë nuk e pyeste, priste që ai t'i rrëfehej vet.

KAPITULLI 23

Pranvera kishte ardhur para kohe dhe e kishte ndritur qytetin. Dita e parë e nxehtë e shtyri Valdeten që, pas punës, të shëtiste me Merin nëpër dyqane dhe të blinte këpucë të reja, më elegante sesa ato që i kishte deri më tani.

Kur, pas një shëtitje të gjatë, u nda nga Meri, Valdetes i cingëroi telefoni. Ishte alarmi, i cili ia kujtonte që atë ditë ishte ditëlindja e Drenit. Hyri me të shpejtë në një galeri dhe bleu një pikturë të bukur, ku shihej një kalë i zi me kalorësin në të bardha. Më pas, te shtëpia, e paketoi dhuratën dhe vendosi t'ia bënte një befasi të vogël. Nuk e thirri, por shkoi drejt te dera e tij. Trokiti. Nuk u përgjigj kush. Mendoi se do të ishte dëm sikur të mos e gjente në shtëpi. trokiti edhe një herë, tani më fort. Iu duk sesi dëgjoi një shushuritje. Kjo i dha shpresë, prandaj i ra ziles. Shumë shpejt u dëgjuan hapat, e më pas u hap dera. Por, aty nuk doli Dreni. Ishte një zeshkane e gjatë, me buzë të mrekullueshme, e veshur me këmishë meshkujsh, këmbëzbathur. - Po? Urdhëroni? Valdetja mbeti e tronditur. E shikonte vajzën e panjohur sikur të ishte dreq. - Kë kërkoni? Ishte evidente se as asaj nuk i pëlqente kjo bisedë me një femër të panjohur. - Më falni, kërkon Drenin. Jam mikesha e tij dhe ia kam sjellë një dhuratë për ditëlindje. Jam Valdetja. Vajza ia zgjati dorën, por vazhdonte që të mbetej e përmbajtur. - Më vjen mirë. Lulja. Valdetes iu kujtua që këtë emër e kishte dëgjuar edhe më parë nga Dreni. Por, nuk i kujtohej ku dhe si. - Dreni nuk është këtu. Gjendet jashtë shtetit dhe do të kthehet sonte vonë. - Nuk ka problem... A mund t'ua lë juve dhuratën? - Paj, nuk e di... Valdetja kuptoi se vajza nuk donte që ajo t'ia shqetësonte... atë që ajo e kishte Drenin. Të mos i bënte dhurata. Qoftë as për ditëlindje! - Në rregull, kuptoj. Ditën e mirë! - Ditën e mirë! Edhe pse gjendej te lifti, ndjente sesi vajza e bukur vazhdonte që ta shikonte.

KAPITULLI 24

Nuk kishte të drejtë që të hidhërohej me Drenin. E vetëdijshme se ai nuk ishte i saj, dhe se ishin vetëm shokë, mundej vetëm të zemërohej që nuk i kishte treguar se jetonte me dikë. Kur e pa Ganja në atë gjendje, menjëherë i lidhi gjërat. - A të zemëroi miku yt taksist, a? - Ti nuk duhet t'i dish të gjitha! - E ndjej, motër. E di si merr frymë. Çka ndodhi? Ma thuaj, që të të këshilloj. - Shkova sot t'ia jap një dhuratë, meqë e ka ditëlindjen. Derën ma hapi një vajzë, tepër e bukur. Kishte veshur këmishën e tij. - E ai? Çka të tha ai, çka e kishte atë? - Nuk ishte aty. - Dhe, ti tani mendon se ajo është e dashura e tij? - E, kush tjetër mund të jetë? - Ndoshta, motra?! (vijon)

(Kosova Sot Online)