Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (2)

  • 04 July 2019 - 15:12
Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (2)

Dua të them, kështu nuk do të mërziteshe. Do të kishe obligime dhe nuk do të mendoje vetëm ku do të shkonim. Jam i lodhur. Nuk mund ta duroj më këtë temp. Në punë më duhet që të jem i përqendruar, e nuk mund të përqendrohem te obligimet kur sytë më mbyllen vetvetiu. Nuk më kujtohet kur kam fjetur si duhet për herë të fundit. Do të duhej që daljet t'i linim për fundjavë, kur jam i lirë, e gjatë javës të mos dalim - vazhdova që të propozoja por ky propozimi im hasi në përqeshje sikur edhe propozimet tjera. Kështu filluan grindjet që të futen në martesën tonë, vetëm pas disa muajve të jetës së përbashkët. Me kalimin e kohës edhe grindjet u bënë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të ashpra. Unë kisha gjithnjë e më pak durim, e Liria gjithnjë e më pak mirëkuptim. Kërkesat i bëheshin gjithnjë e më të mëdha, kërkonte më shumë mjete materiale.

As vetë nuk më kujtohej pse isha aq naiv, bëja lëshime sa herë që donte të blinte gjëra të shtrenjta. Kështu, për vetëm disa muaj, ndërroi tre automobila luksozë, udhëtonte në vendet më elite në botë edhe atë me shoqen e vet më të mirë. Me t'u kthyer ankohej sesi ne ishim popull i mjerë dhe i keq, e unë si burrë, një fukara, i cili nuk mund t'ia plotësoj të gjitha kërkesat. Kur e tha këtë për herë të parë, ngela pa tekst dhe ia bëra me dije se sa para kishte shpenzuar në vetvete dhe për lukset e veta për vetëm disa muaj. Në vend që të shqetësohej për paratë e shpenzuara, ajo më akuzoi duke më quajtur tamahqar, i cili numëron çdo euro dhe qindarkë. Provova që të bisedoja me prindërit e saj, i binda se isha duke u munduar, por thjesht nuk mund ta kuptoja sjelljen e Lirisë. I luta që të bisedonin me të dhe të na ndihmonin për ta shpëtuar martesën tonë. E doja, me të vërtetë e doja me gjithë zemër, por me atë sjellje të fëmijës së llastuar, te unë ngjallte një kundërshtim gjithnjë e më të madh. Në vend që të më ndihmonin, prindërit e saj më thanë sesi Liria është mësuar t'i ketë të gjitha dhe sesi ata kishin shpresuar që unë mund ta bëja atë të lumtur, duke ia plotësuar këto kërkesa. Më nuk dija çka të bëja. Edhe shoqet i kishte sikur që ishte vetë, kështu që nuk kishte kuptim të bisedoja me to. Më vinte turp që prindërve të mi që nuk mund t'ia dilja më mban me Lirinë. Fitoja shumë, me të vërtetë shumë, por megjithatë këto para nuk mjaftonin për kërkesat e saj. Në mënyrë që të mos grindesha vazhdimisht me të, morra kredi në disa banka, për t'ia dhënë asaj tërë paratë që i kërkonte.

Prindërit e hetuan këtë dhe më pyetën çka kishte që nuk shkonte. Në fund, kokulur dhe i turpëruar iu tregova se për çka bëhej fjalë. Më këshilluan që t'ia ndalja të gjitha kartelat e bankës, gjë që edhe e bëra. Është e tepërt të thuhet se çfarë drame u shkaktua. Thjesht, nuk kuptonte që nuk mund ta bënte jetën e një mbretëreshe dhe se jeta nuk është përrallë, prandaj unë nuk kam para sa të dojë ajo. Prindërit e mi ishin në anën time dhe u përpoqën që të bisedonin me prindërit e saj, por edhe ata morën të njëjtën përgjigje sikurse unë. Nëna një ditë më tha që t'i pushoja nga puna gratë që punonin te ne, në mënyrë që Liria të kishte me çka të merrej në shtëpi. E dëgjova. Liria u çmend. Nuk ishte në gjendje të pastronte, e për të zier, as që bëhej fjalë. (vijon)

(Kosova Sot Online)