Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (3)

  • 05 July 2019 - 14:56
Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (3)

Ajo ishte një e pacipë dhe gjithmonë ishte në kërkim të aventurave të reja dhe gjërave të reja, femër kjo e punuar për ta shikuar vetëm veten e saj, e për të tjerët as që dëshironte të dëgjonte. Vetja e saj ishte në rend të parë, të dytë e të tretë, të katërt, të pesë, të gjashtë dhe në të shtatin, tetin e të nëntin. Në vendin e dhjetë ishin prindërit e saj, më pas shoqet e saj, e unë pothuajse nuk ekzistoja më. Mua më konsideronte si një idiot të cilit i kishte marr krejt çfarë ajo kishte dashur. Shtëpia jonë e bukur, pa asnjë njollë të vetme, pas një muajit u shndërrua në nj mbeturinë. E kam kuptuar se dëshira ime që ajo të ndryshonte ishte vetëm një dëshirë, asgjë më shumë. Kam shpallur një shpallje në gazetë, janë lajmëruar disa femra e unë kam vendosur për një. Bedrijen e kam zgjedhur sepse më ka pëlqyer në shikim të parë. Në shënimin e saj shkruante se kishte përfunduar shkollimin e mesëm, por se po punonte si shtëpiake edhe në dy vende tjera. Edhe sikur të mos kishte kualifikimet dhe të mos kishte punuar më herët si amvise, do ta pranoja. Kishte diçka të veçantë te ajo që dallohej përmes syve të saj, nga secili shikim, lëvizje.

Edhe fakti se ishte shumë e bukur nuk përbënte problem. Kur po atë ditë kam arritur në shtëpi e kam lajmëruar Lirien se ditën vijuese në shtëpi vjen Bedrija, amvisja. Ishte gëzuar, por më atë gëzim nuk e kishte në sytë e saj kur jam kthyer nga puna. Ishte e tëra jashtë vetes. - A është kjo dashnorja jote? E ke marrë në mënyrë që të qëndrojë gjithmonë pranë? A mos vallë më tërheqëse për ty janë femrat e vjetra? Ti je me atë "kuzhinierja e vjetër gatuan më mirë", apo jo - po bluante me gjuhën e saj helmuese pa ndërprerë. - Mos fol marrëzira, çfarë dashnore. Vetëm sa e kam njohur kur është lajmëruar në shpalljen që e kam vendosur, e mes të tjerash nuk ka rëndësi se vjeçe është për punën që duhet bërë. Më e vjetër se unë është katër vite, ndërsa kishte dhe specifikat e punës, mes tjerash, sikur të merrja një femër më të re, çfarë do të thoshe tani kur që tani je xheloze? Qetësohu, ndalo! Nuk të vjen turp se ndoshta të dëgjon - e pyeta Lirinë. - Mos u brengos, nuk mundet të dëgjojë as ty e as mua. E kam përzënë - më tha përnjëherë krejt e qetë. i - Përzënë? Si ke mundur ta përzësh kur as punës nuk ia ka filluar - i kam bërtitur Liria vetëm po buzëqeshte, e më pas më tha se ajo është e zonja e shtëpisë dhe se bën çfarë t'ia do qejfi. Mu turbulluar. Kam marrë telefonin në të cilin kisha numrin e Bedrijes dhe e kam lajmëruar.

- Bedrije, jam unë, për punë. Më duhet të rrëfej gjithçka ka ndodhur me gruan time dhe të lus të kthehesh në punë. Unë dhe ajo nuk jemi kuptuar mirë, e ju pa të drejtë jeni viktimë e këtij keqkuptimi. - Zotëri i nderuar, mirë gjendeni me fjalë të bukura. Po pranoj rrëfimin tuaj, por nuk e di nëse jam e sigurt të kthehem në shtëpinë tuaj pa marrë parasysh sa më nevojitet puna. Gruaja juaj nuk shërbehet me këto fjalë të bukura. Ajo sot më ka hedhur me gur e drunj, u sjell me mua thuajse unë nuk kam fije kulture. Keqkuptimet tuaja zgjidhni mes vetes, por mua mos më përfshini aty. Jam grua e ndershme, e pagën time dua ta fitoj në mënyrë të ndershme. Nëse keni pasur mendime tjera, e në bazë të fjalëve të gruas tuaj duket se po, atëherë jeni mashtruar shumë. Nuk jam prostitutë, e as që kam qenë ndonjëherë, e ndaj vetes nuk lejoj situata amorale - m'u përgjigj me këto fjalë. (vijon)

(Kosova Sot Online)