Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (4)

  • 07 July 2019 - 12:37
Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (4)

Ndihesha shumë keq. Për një moment mendova se mos ishte ide e keqe që e thirra, por diçka brenda më thoshte sesi më duhej ta shihja përsëri dhe ai zë bëhej gjithnjë e më i zëshëm. - Kurrë nuk kam pasur asnjë mendim tjetër, përpos për punën, që ju kam punësuar. Ju lutem, nëse mundeni disi, harroni çka ka ndodhur me gruan time dhe kthehuni nesër në punë - e luta. - Nuk do të doja përsëri ta përjetoja situatën që ndodhu sot. A ma premtoni këtë? - më pyeti. - Të premtoj. Liria do t'iu kërkojë falje Bedrijes në mëngjes, sapo të vini - thashë, duke shikuar bashkëshorten. Ajo me neveri bëri me dorë dhe ia rriti volumin muzikës, që të mos e dëgjonte bisedën tonë. - Në rregull, atëherë do ta harroj këtë situatë të keqe që ndodhi dhe gjithçka do të konsiderohet mosmarrëveshje - tha ajo. E falënderova nga zemra, e më pas iu ktheva Lirisë, duke ia bërë të qartë sesi të nesërmen në mëngjes do ta bëjë mu atë që i premtova asaj. Ajo shau, duke thënë se më parë do të vdiste, sesa që t'i kërkonte falje asaj. Ia bëra të qartë se i kishte dy mundësi.

Që t'i kërkonte falje asaj, e tjetra që, nëse nuk e bënte këtë, të kthehej te prindërit e saj. Ajo të nesërmen megjithatë kërkoi falje edhe atë në praninë time. Që të tre u morëm vesh rreth obligimeve të saj, e ajo pranoi që t'i bënte të gjitha punët, bile edhe ato që i propozoi Liria. E dija që Liria nuk do të rrinte rehat, sesi do t'i gjente të gjitha mënyrat për ta poshtëruar Bedrijen, por disi shpresoja që edhe ajo, të paktën një herë në jetë, duhet të reagojë pozitivisht dhe, të paktën në një fushë, të mos sillet si fëmijë i llastuar. Për tre muaj Liria nuk u ankua në asgjë në lidhje me Bedrijen. Habitesha, me të vërtetë habitesha dhe mendoja se ajo çdo gjë e mbante në vete. Disa herë edhe haptazi e pyeta a kishte probleme me gruan time, por ajo më tha se ia kalonin mirë. Pa marrë parasysh sa e pabesueshme më dukej kjo, isha i lumtur që Liria nuk shkaktonte telashe më. Nuk isha i mësuar që Liria t'i nënshtrohej ndokujt për ndonjë gjë, prandaj vazhdimisht përcillja raportin e tyre. Atë mëngjes shkova në punë si zakonisht, por u ktheva në shtëpi vetëm dy orë më pas, edhe atë duke ecur. Ngadalë dhe në majë të gishtave hyra në shtëpi dhe brenda dëgjova zëra të çuditshëm. Zemra m'u dridh. Më mjaftonte vetëm që të ishin lidhur gruaja dhe shërbëtorja, dhe që unë të bëhesha teprica që duhej nxjerrë nga shtëpia. Mundohesha që ta largoja atë mendim, por nuk mundja, derisa në dhomën e ditës nuk hasa në një pamje jo të rëndomtë.

Liria dhe Bedrija, të veshura në të bardha, me mbrojtës në kokë dhe me shpata në duar, kishin duel. Për disa minuta qëndrova si i shtangur, duke mos iu besuar syve. - Lirie, e dija se nuk do të rrije rehat! Imagjinata jote e sëmurë me të vërtetë nuk ka kufi. Marre të qoftë! A të ka shkuar mendja se Bedrija mund të na padis? A të ka shkuar mendja se mund të dënohesh për keqtrajtim të personit tjetër në punë? Grua, grua! Çka tjetër do të pres nga ti?! Sa herë të kam thënë se nuk të mashtroj, prandaj pse e mundon këtë grua të mjerë? Sikur nuk i mjaftojnë të gjitha punët të cilat i duhet t'i bëjë në vend tënd? Sikur të ishe një grua më e mirë, ajo do të kishte më pak punë - i thash Lirisë me tërë zërin. (vijon)

(Kosova Sot Online)