Roman dashurie: Mbrojtësi (29)

  • 08 July 2019 - 14:47
Roman dashurie: Mbrojtësi (29)

Me bisht të syrit e shikoi shefen e cila hyri në librari dhe e shikoi vëngër, meqë në ndërkohë ishte bërë rendi i tre njerëzve që prisnin për t'i paguar librat e tyre të përzgjedhur. - Një bisedë duke pirë kafe nuk kushton asgjë. Kur përfundon? Shefja u afrua. Ishte grua e mirë ajo, por me parime tepër të ashpra të punës. Valdetja e dinte se duhej ta hiqte qafesh Ylberin sa më parë. - Në orën pesë. Ik tani! - Do të vij te ti pesëmbëdhjetë minuta para pesëve. Thjesht, që të mos më presësh. Ia bëri me sy dhe u largua. Për fat, shefja nuk tha asgjë për tollovinë në punë.

KAPITULLI 27

Natyrisht, orari i punës së Valdetes ishte deri në katër, e jo deri në pesë, sa i kishte thënë Ylberit. Edhe pse e dinte se ai mund të kthehej që të nesërmen, i zemëruar që e kishte gënjyer, mendonte vetëm për të sotmen, e jo edhe për të ardhmen. Për këtë shkak i erdhi të plaste kur shefja iu tha që, bashkë me Merin, duhej të rrinin më gjatë në punë atë ditë, meqë duhej ta përpilonin listën e librave për t'i porositur. Tentoi që të nxirrej me arsyetimin se nuk ndihej mirë, por parimet e punës së shefes nuk pranonin arsyetime të tilla, sikur që ishte dhembja e kokës. Kështu, ajo ishte ende në punë, kur Ylberi erdhi me veturë. - Meri, kam nevojë për ndihmën tënde. A e sheh atë atje, me veturë? Meri u ngrit në majë të gishtave. - Qenka i pashëm. - Është idiot! Më duhet që t'i iki, e të mos më shohë. - Por, ti e di se nga këtu nuk ka dalje tjetër.

- E di, por megjithatë më duhet që të bëj diçka. Nuk kishte asnjë plan. Meri rrudhi supet e pafuqishme. Me kalimin e kohës, e me të përfunduar së përpiluari lista e librave, duart e saj bëheshin gjithnjë e më të djersitura. E kishte kapluar paniku. - Nëse i frikësohesh kaq shumë, atëherë thirre policinë. - Dhe? Çka t'iu them? - Nuk e di... e, pse i frikësohesh kaq shumë? - Ky është një rrëfim i gjatë dhe i pikëlluar. Di vetëm që kurrsesi nuk duhet të lejoj që ai të më shohë të vetme dhe të hyj në veturën e tij. - Nuk kuptoj... Meri ishte tepër e shqetësuar për sigurinë e koleges, meqë në fytyrën e saj shihej një frikë tepër e madhe. - Pse nuk e thërret ndonjë mik, që të vijë të të marr? - Nuk e di kë do të mund ta thërrisja tani. Por, më pas iu kujtua njeriu i vetëm të cilin do të mund ta quante mik. Frika dhe krenaria, të cilat deri tani e kishin penguar që ta thërriste Drenin, tani u mbizotëruan nga një frikë edhe më e madhe. (vijon)

(Kosova Sot Online)