Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (5)

  • 08 July 2019 - 14:50
Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (5)

Pasi ndërpreva duelin e tyre, që të dyja në fillim më shikuan pa fjalë, e më pas filluan që të qeshnin. Zotëri, nuk ka nevojë për këtë. Zonja dhe unë thjesht po luajmë. - Po luani? Mos dëshiron të më thuash se kjo është mënyra sesi ajo e shprehë respektin ndaj teje? - I dashur, qetësohu - Liria në ato momente e hoqi kapelën nga koka, e la anash shpatën dhe mu afrua. - Hajde, të shkojmë në dhomë. Bedrije, do të zbres poshtë për disa minuta, e më pas do të përfundojmë - iu drejtua më pas shërbëtores, e mua më kapi për dore dhe më shtyri kah dhoma e gjumit.

Kjo ishte edhe më e çuditshme për mua. Për më shumë se dy vjet më nuk ishim as bashkëshortë, secili flinim në dhomën e vet, e dhoma jonë e gjumit rrinte e zbrazët. Për këtë shkak, kur ajo më shtyri kah dhoma e gjumit, m'u zgjua kureshtja, por edhe njëfarë frike. Mendova, nëse në dhomën e gjumit dëshiron që të më kërkojë falje për skenën e mëparshme, atëherë çka mund të kishte bërë kur unë nuk isha në shtëpi? Nuk e dija a të gëzohesha, apo të shqetësohesha, por kureshtja ime u shua së shpejti. - Kështu, tani përfundimisht jemi vetëm dhe mund të bisedojmë të qetë - tha, pasi e mbylli derën. E shikoja, ashtu të veshur me rroba të bardha, të cilat i rrinin shumë mirë. - Mendoja sesi kishe harruar që e kemi këtë dhomë, e sidomos për çka shërben ajo - i thashë me ironi. - Nuk jam e vetme që kam harruar, e sidomos për rolin e saj kryesor - ma ktheu me të njëjtën masë. - E dija, e kam ditur me saktësi sesi heshtja që mbretëronte midis teje dhe Bedrijes nuk mund të zgjatë. Ti je një axhami i lazdruar, që nuk kupton se ekzistojnë njerëz të tjerë dhe ata që kanë emocione. Nuk mërzitesh për asgjë. Qëllimi yt je ti vetë.

Gjithnjë e më shumë pyes veten si u mashtrova kaq shumë në rastin tënd. Mendoja, njiheshim, do të bëheshe një grua e mrekullueshme, por gabova. Egoizmi yt më dërgoi deri në buzë të varrit. Nëse tërë ajo që kam bërë për ty nuk ishte një dëshmi e mjaftueshme e dashurisë, atëherë jam i sigurt se ka ardhur koha që secili prej nesh të shkojë rrugës së vet, në kërkim të lumturisë. Të kam dhënë krejt çka kam pasur, kam mundur dhe ditur. Më nuk kam shumë, por edhe atë që e kam nuk jam i sigurt se dua ta ndaj me ty. Vitet e përbashkëta nuk më kanë kënaqur, e as plotësuar, vetëm më kanë bërë më të mërzitur dhe të humbur.

Mjaft me këtë! Jam mërzitur me atë që ti duhet t'i kesh të gjitha, në momentin kur i dëshiron. Prindërit e tu mendojnë se kështu duhet të jetë. Ata të kanë vajzë, prandaj nëse duan që të trajtojnë ashtu, atëherë kthehu te ta. Unë nuk të kam fëmijë, por do të duhej të kisha partnere të barabartë, si në kënaqësi, po ashtu edhe në gjithçka tjetër. E, që të dy e dimë se kurrë nuk ke qenë diçka si kjo. Ti dhe vetëm ti! Për ty në këtë botë nuk ekziston askush tjetër. E dashur, shiko rreth vetes! Edhe unë jam njeri, e edhe shërbëtorja jonë është krijesë e gjallë. A nuk kupton se sa e lëndojnë atë fjalët e rënda që ia thua, por tani të është dashur ta shpikje edhe luftën me shpata? - Qetësohu, njeri! Do të të kapë infarkti nëse vazhdon me këtë ritëm - më tha derisa ulej në shtrat. Ma bëri me dorë që të ulesha afër saj. E shikoja dhe, përkundër të gjithave, ende e dëshiroja, sidomos tani, kur ishim ulur në shtrat dhe kur mu kujtuan ditët tona të para të dashurisë dhe epshit. (vijon)


(Kosova Sot Online)