Roman dashurie: Mbrojtësi (31)

  • 10 korrik 2019 - 15:17
Roman dashurie: Mbrojtësi (31)

U nis në drejtim të automobilit. Valdetja ndjeu praninë e mashkullit pranë vetes dhe bëri gjithçka për ta mbajtur. - Mos, lëshoje. Mos e bëj për mua. Dreni ndërroi mendjen. Ana e tij mashkullore e detyronte që atij laperi të veshur në kostum t'ia thyente hundën, por e respektonte Valdeten shumë, sa për ta dëgjuar. Ajo e tërhoqi atë në drejtim të taksisë së tij dhe mori frymë lirshëm kur gomat e veturës së Ylberit bënë zhurmë në asfalt, duke u larguar.

KAPITULLI 29

Pasi që u nisën, Dreni nuk e hapi gojën fare. Shihej se i kishte ra pishman që nuk iu përgjigj me goditje sharjeve të Ylberit. - Ai është budalla, mos e lodh kokën me të. Më shpëtove, në njëfarë mënyre kjo është hera e dytë. Ai nuk tha gjë. Valdetja kuptoi se më mirë ishte sikur të mos i thoshte gjë. Bile edhe pasi që ai parkoi veturën, ajo nuk guxoi ta pyeste pse po shkonin në banesën e tij. Hyri me kujdes, sikur të frikësohej se nga prapa derës do të kërcente ajo vajza dhe do t'ia nxirrte sytë. U befasua - në banesë nuk kishte asnjë gjurmë që aty të kishte qëndruar ndonjë femër kohëve të fundit. Dreni e ndezi TV-në dhe u shtri në shtratin e tij të ulët. Valdetja u ul në një ulëse, në qoshe. - Tani më trego, prej nga ai atje, para librarisë. Nuk e shikonte. - Erdhi atje dhe kërkoi që të takoheshim. Pjesën tjetër ta shpjegova me telefon. - Pse do të vinte në librari, nëse nuk keni kontakt? - Ku ta di! I është tekë! Mos vallë po mendon se kam pasur ndonjë kontakt me të, duke i dhënë shkas që të më thërriste? Dren, mos më konsidero të marrë! - Nuk e kam të qartë si mund të vijë te ti, pas të gjithë asaj që ndodhi. Çfarë derr njeriu! - Pajtohem. U krijua një situatë e rëndë. Ajo e shikonte. Ende dukej i zemëruar, por vijat në fytyrën e tij vinin duke u zbutur. - Dëshiron të ta bëj një kafe? - Mirë. Nuk kam pirë gjatë tërë ditës. Kur më thirre, isha duke u kthyer nga banka. Jam duke marrë një kredi dhe kështu më shkoi tërë dita. - Kredi? Për çka? - Për banesë. Kam disa plane. Ajo u zbeh. Këtë e lidhi menjëherë me atë femrën. Kjo banesë mund të mjaftonte për dashuriçka, por për zgjerim dhe planifikim të familjes... E zjeu kafen dhe ia solli. Dreni u ngrit nga shtrati. - Pse nuk e thirre të dashurin tënd të vërtetë? Atë me të cilin u takove pas ditëlindjes time? Vetëm tani iu kujtuan rrenat e veta, të cilat i kishte thënë nga xhelozia dhe egoizmi. Drenit ia kishte borxh t'ia tregonte të vërtetën.

- Nuk mund ta thërrisja atë. Do të ishte njësoj sikur ta kisha thirrur Piter Panin. - Pse? A kaq axhami është ai, a? Ajo buzëqeshi. Ishte evidente që ai nuk e kuptoi krahasimin me Piter Panin. - Është i trilluar. Nuk ekziston. - Kush nuk ekziston? - I dashuri. Dreni vazhdoi që ta shikonte me sy të hapur. - Ke trilluar se ke të dashur? Pse? - Nuk e di... Mund t'ia tregonte të gjitha - sesi kishte shkuar me dhuratë para derës së tij dhe sesi Lulja ia kishte hapur derën. Por, po t'ia thoshte të gjitha, atëherë do të duhej t'i tregonte edhe se e donte. Nuk ishte e gatshme për një gjë të tillë. - Thjesht, disi isha në një fazë të keqe dhe më lehtë e kisha ta trilloja një të dashur, sesa të të them se nuk jam e disponuar për ndeja të ditëlindjes. - Me të vërtetë nuk kuptoj. Sillesh si vajzë shkolle, imagjinon një të dashur. Mos deshe të më bëje xheloz? - Assesi! Pse do të të bëja xheloz unë ty? Ishin shumë afër temës së rrezikshme. Valdetja e ndjeu këtë dhe u shtangua. Por, për fat, Dreni qeshi. (vijon)


(Kosova Sot Online)