Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (7)

  • 10 July 2019 - 15:22
Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (7)

Raporti ynë u përmirësua dukshëm, por ende vazhdonim që të flinim ndaras, kurse dhoma e gjumit ishte një vend i qetë, ku shkonim për të biseduar. Bedrija erdhi që të jetonte me neve. As kjo për neve nuk ishte kurrfarë shenje të cilës do t'i kushtoja ndonjë vëmendje serioze. Më pëlqente ta shikoja, meqë me të vërtetë ishte femër atraktive, e më ka tërhequr që nga momenti kur kishte ardhur në intervistë për punë. Shpesh gjatë natës mbyllja sytë dhe ëndërroja për të, por as që më shkonte mendja që të ndërmerrja diçka, meqë ende isha i kurorëzuar, e ato dyja, sikur që ishte e qartë, ishin mikesha të pandara. Muajt kalonin, kaloi edhe një vit.

Treshja në shtëpinë tonë vazhdonim që të kalonim mirë. Një mëngjes trokita në derën e Lirisë, sikur që bëja çdo mëngjes. Më pas shkoja në banjë, e gjatë asaj kohe Liria zgjohej, dhe më pas, së bashku, zbrisnim poshtë, ku na priste kafjalli, i përgatitur nga Bedrija. Liria më thoshte zakonisht "erdha", "ja, erdha", apo diçka të tillë, por atë mëngjes nuk bëri zë. Trokita përsëri. Nuk mora asnjë përgjigje. Trokita disa herë edhe më shumë, e kur as pas kësaj nuk u përgjigj, e hapa derën. Liria ishte e shtrirë në shtrat. Ishte tepër e zbehtë. - Gjumashe, çka ke këtë mëngjes? Hajde, është koha për kafjall, apo sot do të rrish e shtrirë gjatë tërë ditës? - e pyeta derisa i afrohesha. Nuk mora përgjigje. Ajo as nuk lëvizi. U ula në shtratin e saj dhe ia lëmova faqen. Ishte e ftohtë akull. U rrëqetha, e thirra edhe një herë, e shkunda, por çdo gjë ishte e kotë. Trupi i saj ishte i ftohtë. Bërtitjet e mia i kishte dëgjuar edhe Bedrija, e cila erdhi aty. E mori dorën e Lirisë dhe e puthi. - Ike pa thënë gjë, pa përshëndetjen e fundit, e ndoshta kështu është edhe më mirë. Pse je dorëzuar? Pse nuk na lejove të të ndihmonim? Duhej të rrije me ne. Shkenca sot ka përparuar, kushedi çka sjell dita e re. Faleminderit nga zemra për gjithçka që ke bërë për mua. Jam kaq e pikëlluar që u dorëzove - tha ajo me lot në sy. Këto fjalë më lënduan edhe më shumë.

- Çka thua? Për çfarë dorëzimi e ke fjalën? Çka ke ditur ti, e unë jo? - e pyetja, tërësisht i tronditur. - Liria ishte e sëmurë. Më tregoi një muaj pasi që fillova të punoja këtu. M'u rrëfye në tërësi, për dashurinë tuaj të dikurshme, rreth asaj se sa e llastuar dhe egoiste që ishte, për bredhjet e veta. Në njërin prej udhëtimeve të veta, kishte pasur edhe një aventurë. Ai e kishte infektuar. Kur kishte kuptuar se çka ishte duke ndodhur, tanimë ishte tepër vonë. E dinte se i afrohej fundi. Donte të t'i tregonte të gjitha dhe të të luste për ta falur, por ti i refuzove shpjegimet e saj. A të kujtohet ajo dita kur na gjete duke luftuar me shpata? Atë ditë kishte për qëllim ta hapte zemrën para teje, por ti nuk e dëgjove. Më pas vendosi që të heshtte për gjithçka, gjë që edhe e bëri. Shikoje këtë - më tha ajo, duke marrë një fletore dhe duke ma dhënë. Aty pash shkrimin e gruas sime, ku ajo tregonte gjithçka që i kishte ndodhur. Qava, qava sikur asnjëherë më parë në jetën time. Zemra më dhembte, jo aq shumë pse ajo më kishte mashtruar, por pse kisha qenë aq i verbër dhe nuk i kisha parë të gjitha ato shenja, që tregonin se Liria ishte e sëmurë për vdekje. Sa më vinte keq që nuk e kisha dëgjuar. Do t'ia falja tradhtinë dhe do ta mbështesja deri në fund, meqë përkundër të gjithave, ende e doja. (vijon)


(Kosova Sot Online)