Roman dashurie: Mbrojtësi (32)

  • 11 July 2019 - 15:53
Roman dashurie: Mbrojtësi (32)

 Po bëj shaka. E di se nuk ka nevojë për këtë. Ke parë se unë nuk insistoj kur refuzohem. Një herë, kur më erdhi që të të puthja, ti më shtyve. Me atë rast kuptova se nuk kam çka të kërkoj. Do të donte ta kishte lëshuar toka. Gjëja e vetme që e mbronte të mos dorëzohej, ishte kujtimi i Lules me këmishën e tij rreth qafe. Për këtë shkak u ngrit, vendosi që të largohej, në mënyrë që ta pengonte rrëfimin e mëtejmë. - Po shkoj në shtëpi. Ganja i ka ftuar shoqet sonte, prandaj më duhet që t'i ndihmoj që t'i përgatitë disa ëmbëlsira. - Prit, unë do të të çoj me veturë.

- Nuk ka nevojë. Mjaft ke bërë për mua sot. Megjithatë, ai insistoi. Para banesës së saj ishte e qartë se diçka kishte mbetur pa u thënë. Valdetja megjithatë donte që këtë ta thoshte me fjalë të tjera. - A je tani i disponuar që të shkojmë në atë darkën të cilën unë nuk e pranova? Unë paguaj. Dreni mohoi me kokë. - Tani e bën këtë meqë ndihesh e obliguar që sot erdha kur më thirre. Nuk ka nevojë ta bësh këtë, ti e di se më pëlqen shumë... si njeri dhe se nuk kërkoj asnjë shërbim, që të ma kthesh borxhin. - As që mendova ashtu! Me të vërtetë doja të bisedoja me ty. - Sikur ai idioti të mos vinte atje te ti, as që do ta ndjeje nevojën që të më shihje. - Nuk është e vërtetë... por... Përsëri gjendeshin në 'terren të vështirë'. - Çka? Ajo ndiente sesi ai e shikonte dhe analizonte çdo shprehje të fytyrës së saj. U nervozua pse skuqej aq lehtë.

- Thjesht isha në një gjendje të çuditshme dhe... në daç më beso, në daç mos më beso! Si duket kjo i bëri përshtypje atij, sepse ia kapi dorën. - Sinqerisht, as unë nuk kam kaluar mirë. Sa i përket darkës, mundet. Por, nesër! Nëse je e lirë dhe nëse të lejon i dashuri yt imagjinar. - As që do ta pyes, bile! Nesër, në sa ora? - Do të vij te ti në tetë. Në rregull? Ajo vetëm buzëqeshi dhe doli nga vetura.

KAPITULLI 30

Ganja e shikonte sesi vinte grimin. - Ky farë Dreni ka ndikim të mirë te ti, të shndërron në grua. Ke lëshuar flokët, ke ndryshuar gardërobën... - Nuk e bëj këtë për Drenin, por sepse ndihem më mirë. Si duket Ganja nuk e kishte ndërmend të ndalej me kaq. - Nuk do të ishte keq sikur ta bëje edhe një ndryshim të vogël. - Cilin? Valdetja filloi ta shikonte veten me panik në pasqyrë, gjë që e bëri motrën e saj të qeshte. - Mos u shqetëso! Nga jashtë je me të vërtetë e bukur. E pata fjalën për ndryshim në sjelljen tënde. - Çka? - Që të jesh e sinqertë. Më saktësisht, të jesh më e hapur dhe ta shfrytëzosh këtë mbrëmje që t'ia pranosh se sa shumë je e dashuruar në të. - As që më shkon ndërmend. A dëshiron që ai të bëjë shaka me mua, a? - Nuk besoj se do ta bëjë këtë. - Sikur të më refuzonte, do ta vrisja veten. - A të kujtohet që ai edhe mua më refuzoi njëherë? Më beso, ai e bën këtë si xhentëlmen, pa dhembje. Valdetja bëri me kokë. - Do të ndihesha e poshtëruar, sikur t'ia pranoja të gjitha. Nuk mundem. - Provo. Ndoshta do ta lehtësohej veten, sepse do ta kuptoje ku gjendesh. Është marrëzi të shoqërohesh me dikë në të cilin je e dashuruar, vetëm duke e zgjatur vuajtjen tënde. Ju të dy kurrë nuk do të jeni miq të sinqertë. Edhe pse Ganja kishte të drejtë, Valdetja vazhdonte që të mohonte me kokë. Për të, kjo do të ishte trimëri e çmendur. Më së shumti e frikësonte mendimi që, pasi që ajo t'ia shfaqte dashurinë, ai do të fillonte ta evitonte. E, si t'i thoshte se e donte, kur ai, me gjasë, kishte një dashnore tjetër, për të cilën edhe është duke marrë kredi për banesë?! (vijon)

(Kosova Sot Online)