Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (8)

  • 11 July 2019 - 15:56
Ngjarje e vërtetë: Nuk e dija se ajo është duke vdekur (8)

I gjithë vendbanimi fliste rreth vdekjes dhe funeralit të Lirisë. Rreth asaj se gruaja më vdiq nga sida, nuk i kisha treguar shumëkujt. E kisha trilluar një rrëfim, i cili ishte lehtë i besueshëm. Ndihesha i mjerë që martesa jonë përfundoi kështu. I kishim të gjitha parakushtet për lumturi, por nuk i kishim shfrytëzuar asnjë. Por, është lehtë që të jesh gjeneral pasi të kryhet beteja. Mërzia kaploi të gjitha poret e jetës sime. Askush nuk pyeste pse Bedrija kishte vazhduar që të qëndronte në shtëpi pas vdekjes së Lirisë. Me gjasë të gjithëve, sikurse edhe mua, një gjë e tillë iu dukej logjike. Ajo ishte shërbëtorja jonë, e tani, kur kisha mbetur i ve, kisha nevojë më shumë sesa kurrë për një shërbëtore.

Me Bedrijen shpesh bisedonim rreth Lirisë, miqësisë së tyre dhe, në fillim, ajo e fajësonte veten që nuk më kishte treguar asgjë rreth gjendjes shëndetësore të Lirisë. Unë kuptova se ky kishte qenë vendim i vet Lirisë dhe se Bedrija ishte sjellë si një shoqe e vërtetë. Edhe më tej vazhdonim që të hanim kafjall bashkë, e edhe darkë, pasi që kthehesha në shtëpi. Pasi kaloi një kohë, mora guximin dhe e pyeta rreth jetës së saj private. Më tregoi se e kishte pasur një të fejuar në Londër. Kjo e kishte vizituar atë, dhe ishin duke shkuar bashkë me veturë te familja e tij, kur kishin pësuar aksident. Ai kishte vdekur rrugës për në spital, derisa ajo ishte shëruar pa problem nga disa thyerje të vogla. Por, ajo që nuk ishte shëruar kurrë, ishte zemra e saj e thyer. Më pas nuk kishte pasur ndonjë të dashur tjetër. Nuk mund të dashurohej. Kishte doktoruar në financa, por kurrë nuk i ishte dhënë mundësia që të punonte në profesion. Vinte nga një familje e varfër, nuk kishte të njohshëm, kështu që as stazhin nuk kishte arritur ta kryente. Kishte filluar të punonte si pastruese në shtëpitë e disa familjeve të pasura, e më pas edhe si shërbëtore, duke gatuar për ato familje. E shikoja me admirim. Të dy kishim hallet tona, të kaluarën tonë të hidhur. Atë mbrëmje buzët tona u bashkuan për herë të parë.

Filluam lidhjen, e unë ia tregova babait një pjesë të rrëfimit jetësor të Bedrijes. Ai ia mundësoi që të punësohej në profesionin e vet, kështu që ajo, përpos që ma mori zemrën, na ndihmoi edhe në biznesin tonë. U martuam 18 muaj pas varrimit të Lirisë, duke mos u mërzitur fort rreth asaj se çka mund të thoshin njerëzit. Njëherë më kishte ikur shansi për të qenë i lumtur, kështu që më nuk doja të më ndodhte një gjë e tillë. E kam dashur gruan time të parë, por e doja edhe Bedrijen. Liria i takonte së kaluarës, kurse Bedrija të tashmes dhe të ardhmes. Lirinë nuk e kisha bërë të lumtur, nuk i isha gjendur kur kishte më së shumti nevojë për mua, por do të jap çdo gjë nga vetja ime, që kurrë të mos e përsëris këtë gabim. 

(Kosova Sot Online)