Ngjarje e vërtetë: Njerka na bëri magjia (1)

  • 12 July 2019 - 15:33
Ngjarje e vërtetë: Njerka na bëri magjia (1)

Kur u martuam, Ariani kishte 20, e unë 19 vjet. Ishim shumë të rinj dhe të dashuruar. Meqë që të dy ishim pa punë, jetonim me prindërit e Arianit, më saktësisht, me babanë e tij, Ilirin dhe me gruan e tij të dytë, Meritën. E ëma e Arianit, Nurija, kishte vdekur kur ai kishte vetëm 5 vjet. Edhe pse Iliri përbetohej se më së shumti e kishte dashur Nurijen, ai kishte pasur lidhje me Meritën edhe derisa ishte i martuar me Nurijen. Merita më pas kishte ngelë shtatzënë, por Iliri nuk donte që ta linte gruan me kurorë për të, duke i thënë Meritës se e donte tepër Nurijen, për ta lënë.

E, Merita në ndërkohë lindi djalin Tomor dhe gjatë tërë kohës kishte dëshirë për hakmarrje. Planifikonte sesi do ta detyronte Ilirin që ta kalonte jetën me të. Askush nuk e dinte se sa këmbëngulëse ishte ajo për ta realizuar qëllimin e saj. Iliri kishte ndier se ajo nuk ishte grua për të dhe nuk iu nënshtrohej kërcënimeve të saj. E akuzonte se me qëllim kishte ngelur shtatzënë, që ta ndante nga gruaja, por ai nuk do ta lejonte një gjë të tillë. - Nuk mund të më heqësh kaq lehtë qafe, jo! Ti do të jesh i imi - i kishte thënë kur ishin ndarë, gjë që ai e tregonte shpesh para të tjerëve. - Unë e kam jetën time dhe ti kurrë nuk do të bëhesh pjesë e saj - i ishte përgjigjur ai.

Por, megjithatë fati deshi që, pak kohë pas vdekjes së Nurijes, Iliri të martohej me Meritën, duke pranuar edhe djalin e dytë. Rrethanat rreth vdekjes së Nurijes ishin shumë të çuditshme. Ajo thjesht ishte sëmurë një ditë dhe, pas një muaji, kishte ndërruar jetë, askush nuk kishte mundur t'i ndihmonte. Sëmundja e saj ishte misterioze. Sapo dëgjoi për vdekjen e Nurijes, Merita filloi ta vizitonte Ilirin, gjoja me qëllime të mira. - Si do të jetosh vetëm? Hajde, mos u bëj kokëfortë, unë do të vij këtu dhe do të përkujdesem për ty dhe për djalin tënd. E, ku do ta gjesh një grua më të mirë se unë? Mos harro se edhe unë ta kam lindur një djalë. Kush do të përkujdeset për të? Sa e sa vjet është rritur pa baba - insistonte ajo. - Gruaja ende mirë nuk është ftohur në varr, e ti dëshiron që menjëherë të vish - i kishte thënë Iliri asaj gjatë njërit prej takimeve të tyre. - Ti fort mirë e di çka kam përjetuar unë faji yt! Më ke lënë të vetme, si qen të braktisur, e këndej e kisha barkun kosh, isha shtatzënë, pak para lindjes - e akuzonte ajo, derisa e tëra që donte Iliri, ishte që ajo ta linte rehat. Por, femrat si Merita nuk kanë mëshirë kur flitet për realizimin e qëllimeve të tyre. Edhe pse ishte i dërmuar nga dhembja, Iliri përsëri e pranoi. Kuptoi se puna dhe udhëtimet e shumta nuk i linin shumë kohë për Arianin dhe ishte i vetëdijshëm që dikush duhej të përkujdesej për të. Për këtë shkak pranoi që Merita dhe Tomori të shkonin te ai, për të jetuar.

Ariani nuk e kishte përjetuar lehtë jetën me njerkë. Në shtëpi ishin bërë shumë ndryshime, e edhe Merita sillej si njerkë e vërtetë, sikur njerka e Hirushes. E, Iliri u dha gjithnjë e më shumë pas rakisë. Kthehej vonë në shtëpi dhe, kohët e fundit, kishte filluar që të përdorte edhe tableta të qetësimit. Kthimi në shtëpi pas punës, për të ishte një mundim i vërtetë. Ishte i vetëdijshëm që gjithnjë e më pak kohë kishte për Arianin, por thjesht, nuk mund të bënte asgjë. Me t'u rritur, Tomori filloi ta manifestonte haptazi urrejtjen të cilën nëna e tij ia kishte mbjellë në shpirt. Gjatë tërë kohës e luante rolin e fëmijës të lënduar dhe të braktisur. Në tërë këtë mesele, Ariani mundohej që ta respektonte të atin dhe vëllanë, e edhe Meritës ia bënte qejfin, e cila kurrë nuk kishte arritur t'ia zëvendësonte nënën. (vijon)

(Kosova Sot Online)