Roman dashurie: Mbrojtësi (35)

  • 15 July 2019 - 14:26
Roman dashurie: Mbrojtësi (35)

Unë mund të të them vetëm çka ndjej. Kur hyre ashtu si e pakokë në taksi, doja të të mbroja. Gjatë kohë pas asaj e bindja veten se kjo ishte gjëja e vetme që dua të bëj me ty, por ndodhi që, në një moment, diçka ndryshoi në mua dhe fillova të ndjeja diçka më shumë sesa miqësia. - Kurrë nuk ma ke treguar këtë. Unë mendoja se gjatë tërë kohës më mbroje. - Po edhe ashtu të kam ndihmuar. Një kohë nga disa njerëz tjerë, e një kohë edhe nga vetvetja. Ajo e shikoi e habitur. - Qysh ashtu? - Nuk ka rëndësi... Ai u kredh në mendime, duke shikuar në gishtat e saj në dorë. Por edhe Valdetja donte që të ishte e sinqertë deri në fund. Ia ngriti kokën.

- A ka kjo ndonjë lidhje me njëfarë vajze? Me Lulen? Drenit iu hap goja nga habia. - Si... prej ku di ti për Lulen? - Duket se Lulja po ashtu mbronte dikë. Respektivisht ty, por nga unë. Ia tregoi të gjitha. Bile i tha se mendonte se ai nuk do ta shikonte, po të mendonte se ishte e dhunuar. Foli edhe për dhuratën e ditëlindjes, i cili ende qëndron e mbështjellë në një pjesë të ormanit të saj. E pranoi edhe xhelozinë e saj dhe arsyen pse kishte shpikur të dashurin. Të gjitha ndjenjat i shndërroi në fjalë. Dreni nuk mund ta fshihte befasinë e vet. - As që ma kishte marrë mendja! Athua, pse nuk më ka treguar? Me siguri e ka ditur se, në atë rast, do ta shqelmoja dhe do ta nxirrja nga banesa, sikur ta dija se ia kishte hapur derën dikujt. Ajo të paska vlerësuar mirë, meqë as ti nuk më the asgjë. - Kush është ajo? Valdetja e bëri këtë pyetje me një frikë të madhe. duke pritur përgjigjen, sekondat i dukeshin sikur orë të tëra.

KAPITULLI 34

- Të kam treguar paksa rreth jetës sime përpara. Ta kam përmendur vajzën e cila më kishte braktisur derisa isha në borxh. Ajo është Lulja. Në ndërkohë u martua me një tip i cili është edhe më i keq sesa që isha unë atëherë. Një kriminel i rrezikshëm, një maniak për femra, një budalla. Kur ti e pe tek unë, ajo ishte shumë e rrezikuar. Më kishte thirrur atë mbrëmje, kur u grindëm unë dhe ti, kur të lash që të ngriheshe në rrugë. Kurrë nuk do t'ia fali vetes një gjë të tillë, por në atë moment kur e dëgjova sesi më luste dhe si qante në telefon, pas kaq shumë kohësh, me të vërtetë më preku në zemër. Shkova te ajo. E kishte rrahur burri. Fytyrën nuk ia kishte prekur, por trupin e kishte të tërin mavi. E solla në banesën time. Tha se do të rrinte derisa t'i largoheshin mavijosjet dhe se do të kthehej te familjarët e vet, që jetojnë në një vend të vogël, diku. Unë u pajtova që ajo të rrinte aty. Midis nesh nuk ndodhi asgjë, përpos disa puthjeve, të cilat isha unë që i ndërprisja, meqë kisha frikë se ajo mund të më lëndonte përsëri. Natyrisht, i thash që askujt të mos ia hapte derën derisa nuk isha aty, por po duket se nuk më paska dëgjuar. Atëherë mendova për ty dhe disi u theva. Atë vajzë dikur e kisha adhuruar, derisa ti fillove të më pëlqeje gradualisht. Kur u ktheva nga rruga për ditëlindjen time, e gjeta të veshur, me valixhe në dorë. Më tha se do të kthehej te burri. Kjo më zemëroi shumë. tentova ta pengoja me dhunë, por më kot. Nuk la gjë pa më thënë, midis tjerash edhe se jam budalla nëse kam menduar se do të ktheheshim në të vjetrën, sikur dikur, sesi ajo e donte burrin e vet dhe se më mirë që ai ta rrahë tërë jetën, sesa që unë, humbësi, të përkujdesesha për të. Pasi ajo u largua, kisha frikë se përsëri do t'i përjetoja ato gjëra që tanimë një herë i kisha përjetuar për shkak të saj. (vijon)


(Kosova Sot Online)