Roman dashurie: Mbrojtësi (36)

  • 16 korrik 2019 - 14:47
Roman dashurie: Mbrojtësi (36)

Por, gjysmë ore pasi ajo shkoi, unë doja të të shihja ty. Atëherë unë isha si i dhunuar dhe kuptova se ndjeja neveri ndaj asaj vajze, sikur ty ai kopili i pispillosur. Kisha nevojë për ty. Megjithatë, e prita të nesërmen dhe të thirra. A të kujtohet? - Po, doje të shkoje në darkën e ditëlindjes. Filloi t'ia lëmonte flokët. - U preka shumë kur më the se e kishe dikë tjetër. Nuk të besova në tërësi, por megjithatë kuptova se nuk doje të më shihje. Më pas thuajse çdo gjë mori rrjedhën e vet. Fillova të ndihesha disi vetëm në këtë banesë. Më pengonte fakti që ajo kishte qenë këtu.

- Të kuptoj, unë kurrë nuk kam kaluar rrugës së tij. - Për këtë shkak vendosa që ta blija banesën më të madhe. Dhe, hyra në kredi. - E biseda në restorant? - Përsëri më thirri. Kësaj here me të vërtetë nuk doja ta shihja. Por, ajo qante dhe më luste aq shumë, e ti ishe afër meje, saqë në fund bëra lëshim edhe atë vetëm për shkak se ai moment ma prishte momentin me ty dhe mendoja se ajo do të më linte rehat atë mbrëmje, vetëm nëse i thosha se mund të vinte. - A e kishte ajo çelësin tënd? - Po. Kur shkonte, me vete merrte çelësin rezervë. Me gjasë e dinte se përsëri mund të grindej me burrin. Atëherë vetëm e kisha marrë vendimin. Pasi të lash ty, punova pak, e më pas u ktheva këtu dhe i thashë që t'i merrte plaçkat e veta. Mavijosjet kësaj here ishin më pak evidente, por kishte mbetur pa dy dhëmbë. Kundërshtoi, por megjithatë erdhi me mua në veturë. E dërgova te familjarët e saj dhe ua tregova të gjitha. U prekën shumë, më falënderuan edhe pse dikur kishin menduar se unë isha njeriu më i keq për vajzën e tyre. Për fat, babai i saj është polic dhe di si të sillet me kriminelin, i cili mund ta kërkojë që t'i kthehet gruaja. Fundja, unë e bëra timen, nuk do të duhej më të mendoja për të. Ajo e puthi atë. - Ti je një Robin Hood i vërtetë. - A e di ti se unë, në këto momente, jam i dobët? - Me të vërtetë? - Po, por në raport me ty... Puthjet u renditën. Përnjëherë dysheku i tij u bë vendi më i rehatshëm në botë. Nuk kishte turp, nuk përmbahej. Iu dhurua sikur të ishte hera e parë. Donte që ta mbronte me ledhatimet e veta, që tani dashuria e saj të bëhej fuqi e cila do t'i tregonte se ishte në rrugë të drejtë. Dhe, i dukej se kjo i shkonte për dore.

KAPITULLI 35

Pasi Valdetja hyri në shtëpi, Ganja ishte duke vendosur rrobat në shportën e rrobave të palara. U gëzua kur e pa motrën, meqë nuk ishin parë më shumë se një javë. - Valdete, motër, assesi të të gjej këtu! Të thërras në celular, nuk ke qasje. Doja që ta thërrisja policinë. - Mos u mërzit, motër, ti e di me kë jam. - E di, por përsëri... I buzëqeshën njëra-tjetrës. Në fytyrë iu dukej se ishin gëzuar. - Nëse edhe ti zhvendosesh te Dreni, atëherë më së miri është që këtë banesë ta japim me qira. - Ndoshta do të shkoj tek ai, pasi ta blejë banesën. E ti? - Unë tanimë kam vendosur. Do të shkoj te Erxhani. Ai ka një shtëpi të madhe, nëna e tij nuk është e padurueshme dhe, së bashku, do të shkojmë në punë. - Duket që çdo gjë është në rregull? - Po, çdo gjë është e përkryer. U ulën në dhomë të ditës, derisa buzëqeshja nuk iu largohej nga fytyra. - Valdete, të thosha se ndonjëherë duhet të jesh më e hapur. - Po, po. Por, çdo gjë kërkon momentin adekuat. - Nuk shkojnë gjërat gjithmonë aq mirë, sikur në rastin tënd. - Gane, duket se, përfundimisht, që të dyja jemi të lumtura. - Vetëm që të vazhdojë kështu... - Hajde, bre Valdete! E, pse nuk do të vazhdonte?! A nuk mendon se, pas tërë asaj që kemi përjetuar në jetë, meritojmë që të jemi të lumtura? Menduan për prindërit e tyre të ndjerë dhe lotët iu rrodhën teposhtë. Ganja përqafoi motrën e saj më të vogël. - Sa të marra që jemi! Nuk do të qajmë tani, ne jemi të forta! - E vërtetë... Valdetja i fshiu lotët dhe mendoj se, për çdo femër, ndonjëherë është mirë që të jetë e dobët, meqë mu në atë moment mund të paraqitet ndonjë mbrojtës, sikur Dreni i saj. FUND 


(Kosova Sot Online)