Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rrisë fëmijën e tij jashtëmartesor (1)

  • 21 July 2019 - 15:24
Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rrisë fëmijën e tij jashtëmartesor (1)

Derisa ecja korridorit të sipërmarrjes në të cilën punoja si zëvendëse e drejtorit, hasa në sekretaren time. I kisha thënë asaj që të mos më kërkonte korridoreve, përpos nëse ishte diçka me rëndësi, por si duket shprehja "rëndësi" për të kishte domethënie tjetër. Ishte vështirë t'i kuptoje gjërat nga perspektiva e saj. Ajo ishte tepër e vyeshme, i kushtonte kujdes çdo detaji dhe në këtë aspekt nuk kisha asnjë vërejtje për të. - Zonja Puhije - derisa shqiptonte këto fjalë, ma dha një listë ku ishte i shkruar një numër i telefonit. - Çka është kjo? - e pyeta. - Nuk e di. Një person ju lutë që ta thërrisni. Thotë se ka një problem të natyrës personale - u ndie keq derisa i thoshte këto fjalë. Peshimi i saj herë në njërën, e herë në këmbën tjetër ndonjëherë me të vërtetë më shkonte në nerva. E dija se kishte ende diçka tjetër për të ma thënë. Prita që të fliste. Me gjasë ishte diçka që nuk do të më pëlqente, meqë hezitonte kaq shumë. - Bëhet fjalë për diçka në lidhje me burrin tuaj të ndjerë, Malin - përfundimisht tha. Çka donte ajo grua nga unë? Më kaploi një valë e zemërimit aq papritmas, sa që ia krisa një të qeshure histerike. Njerëzit me të vërtetë nuk kanë konsideratë ndaj askujt, e as ndaj dhembjes së ndokujt tjetër. Kishte një vit që më kishte vdekur burri, por ende kishte njerëz që kishin kërkesa ndaj tij, meqë arsye tjetër për këtë thirrje nuk mund të paramendoja.

- Faleminderit, Gresa - thash zyrtarisht. Nuk doja të tregoja sa më kishte prekur vdekja e Malit. Isha munduar që të vazhdoja me jetën dhe kjo më kishte shkuar për dore. Në fillim u dhashë pas punës, por unë nuk kisha vdekur bashkë me burrin tim. Doja të jetoja dhe - jetoja. Isha një femër e etur për dashuri, e këtë etje e shova pasi që takova Krenarin. Gjithçka tregonte se dashuria do t'i tejkalonte të gjitha pengesat, gjë që më gëzonte pa masë. Me letrën në dorë u nisa për në zyrën time. Zemra më rrihte fort. U ula. Shikova numrin e shkruar në letër, si dhe emrin e gruas. Nuk e kisha idenë se për çka mund të bëhej fjalë. Një pjesë e imja donte që ta thërrisja, derisa pjesa tjetër e refuzonte këtë. E lash letrën anash dhe thuajse e harrova tërësisht. Pa marrë parasysh për çka bëhej fjalë, ajo gjë nuk kishte asgjë të bënte me mua, jo pas një viti nga vdekja e tij. Gjatë ditëve në vijim e kisha harruar në tërësi numrin i cili vazhdonte që të qëndronte në zyrën time, bashkë me gjësendet e tjera. U befasova bukur shumë kur, para shtëpisë, më priste një femër e re, e cila mu drejtua me emër. - A njihemi? - e pyeta. Me gjasë kërkonte punë, apo diçka të ngjashme.

Me të vërtetë duhej të ishe e pacipë që ta prisje dikë para dere. - Jo, por e kam njohur burrin tuaj - më duhej të pranoja se vajza ishte me të vërtetë e bukur, thuajse e përkryer. Kishte trup të gjatë dhe me siguri sapo kishte mbushur të 20-tat. Ishte më e re se unë për më shumë se dhjetë vjet. Freskinë që e kishte ajo, mund të ta dhuronte vetëm rinia e hershme. Kishte vënë një grim diskret dhe ishte veshur me shije, pa e tepruar, ashtu sikur që vishesha edhe unë dikur. - A mund të bisedojmë brenda? - Të bisedojmë?! Për çka? - e pyeta. - Edhe unë kam njohur shumë njerëz, por askujt nuk i shkoj para dere. Si e dini ku jetoj? - e pyeta duke e shikuar në sy. (vijon) 

(Kosova Sot Online)