Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rris fëmijën e tij jashtëmartesor (4)

  • 24 July 2019 - 15:22
Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rris fëmijën e tij jashtëmartesor (4)

- Sonte nuk mundem - thashë menjëherë. Edhe pse kishim një marrëveshje të bërë më parë, unë nuk isha në gjendje që t'i përmbahesha asaj. - Pse? Jemi marrë vesh - Krenari nuk kishte ndërmend që të hiqte dorë aq lehtë. - Nuk ndihem mirë - ia thashë të vërtetën. Me të vërtetë më dukej sikur tërë barra e kësaj bote më kishte rënë mbi kokë. - Do të vij te ti - tha Krenari. - Jo - thashë me të shpejtë. - Dua që të rri vetëm - i thashë, sa për të thënë diçka. - Në rregull - pasi ai i tha këto fjalë, e ndërpreva lidhjen. Thjesht, nuk isha në disponim që ta bëja një bisedë të tillë. Më ishte mërzitur çdo gjë. Bile as për të menduar nuk mundja. Mundohesha që ta gjeja ndonjë domethënie në ankthin i cili më ishte krijuar në kokë, por pa sukses. Piva një gllënjkë të madhe konjak, më pas edhe një tjetër. E kisha vështirë, thuajse të pamundur që të besoja se Mali ma kishte bërë atë që thoshte ajo vajza e panjohur. A duhej të dyshoja në fjalët e saj?

Ndoshta, por pamja e fëmijës më kishte ngelur veçanërisht në mendje. Ai kishte sytë e Malit, sy të cilët nuk i kanë shumë njerëz. A nuk ishte kjo një rastësi e madhe? ajo e dinte renditjen e të gjitha elementeve të kuzhinës time. Dinte çfarë mobiliesh kisha. Ndjeja sesi më rridhnin lotët faqeve. A duhej që të qaja për një njeri i cili ishte sikur Mali, nëse ishte e vërtetë kjo që dëgjova? Por, nuk mund të harroja tërë atë që kishim përjetuar bashkë. M'u kujtua sesi ishim takuar shtatë vjet më parë. Derisa kisha një karrierë të mirë, ai ishte në kërkim të punës. Kjo nuk më pengonte aspak. Pak pasi u njoftuam, u fejuam dhe ai u zhvendos te unë. Martesa pasoi si veprim i logjikshëm. Ajo ishte kurorë e dashurisë sonë, të paktën unë mendoja kështu. Mali ishte në kërkim të punës, bile ia nisi edhe punës si privat, por nuk i shkonte. Meqë unë kisha rrogë të madhe, papunësia e tij nuk ishte problem. Disa gjëra në atë moment m'u bën më të qarta. Ishte evidente sesi ai e kishte kaluar kohën derisa unë isha në rrugë dhe në punë. Veten time kurrë nuk e kisha konsideruar naive, deri më tani. Por, ishte evidente se më kishte ndodhur ajo nga çka kisha pasur më së shumti frikë. Isha bërë viktimë, pa e ditur fare këtë.

Derisa unë isha e magjepsur nga dashuria dhe derisa ndërtoja karrierën, ai bënte një jetë tjetër, një të tillë të cilën e fshihte nga unë, e për të cilën as që mund ta kisha ditur se ekzistonte. Isha e sigurt se ai më ishte besnik, e ai më paska mashtruar, kushedi çka paska bërë prapa shpinës time. Unë e mora vesh vetëm një pjesë të së vërtetës, e cila mund të bëhej edhe më e madhe. Ai më thoshte se nuk donte të kishte fëmijë me mua, por as mua nuk më ngutej që të bëja fëmijë me të, ndoshta duke pritur që ai ta gjente një punë, gjë që nuk ndodhi kurrë. Ai i paska harxhuar paratë e mia me gra të huaja. Kishte kualifikime të mira profesionale, prandaj ka të ngjarë që ai as që kishte kërkuar punë ndonjëherë. Ishte tepër dembel për të punuar, po get. Nëse kësaj i shtoheshin edhe ofendimet të cilat ajo vajza mi kishte thënë mua, atëherë më vinte që të bërtisja nga zemërimi. Më parë më dukej se nuk do ta harroja kurrë, por tani kisha mendim tjetër. Erdha në vete kur dëgjova zilen e derës. Mendimi i parë që më shkoi ndërmend, ishte se mos ishte kthyer ajo vajza. Por, jo. Ndjeva një lehtësim kur pash Krenarin. Ia hapa derën. Gjurmët e lotëve ende ishin evidente në fytyrën time. (vijon)

(Kosova Sot Online)