Roman dashurie: Lulet e djegura (13)

  • 29 July 2019 - 15:29
Roman dashurie: Lulet e djegura (13)

Clarke buzëqeshi, e gatshme që të punonte në zyrën e një kirurgu plastik, meqë ai atë punë bënte, sikur që pa në "Facebook". Ajo po ashtu e dinte se mundej edhe ai "t'ia shihte hairin" deri diku kirurgjisë plastike. "Nënë, unë posedoj një dyqan lulesh, nuk kam nevojë për punë", shpjegoi Clarke, duke u ndier e mërzitur. E ëma e saj kurrë nuk kishte besuar se e bija e saj ishte e aftë që ta udhëhiqte biznesin e vet, lëre më një dyqan lulesh. Ajo nuk shihte kurrfarë sigurie, apo parash aty. E, ajo as nuk ishte një punë praktike, sikur punët që kishte bërë ajo. "Mendova mos ishe e gatshme që të hiqje dorë nga ajo farë pune, por po shoh që ende je në gjendje të mohimit". Clarke ndjeu sesi iu skuq fytyra derisa arriti në rrugën për t'u kthyer te dyqani i saj. Gjendej në një rrugë të ngushtë, gjë që mund ta përdorte si arsyetim për t'ia mbyllur telefonin nënës.

"Biznesi më shkon shumë mirë, nënë, edhe nëse nuk e ke vërejtur këtë... Dhe, pse mendon se duhet të heq dorë nga ai? Nëse do ta bëja këtë, atëherë do të isha humbëse, nënë. E di, sikur që ishte babai?", tha Clarke me ashpërsi. Si mundej ajo grua që të ishte aq kontradiktore? Meqë biseda nuk kishte ndërmend të përfundonte, Clarke e mbylli telefonin, por kur iu afrua dyqanit, e kaploi një tmerr nga ajo që pa. Mezi e parkoi veturën disi dhe, duke e kapur kokën me duar, hapi gojën në shenjë habie dhe bëri një bërtitje të pazë. Nëpër xhamin e dyqanit shihte flakët që kishin kapluar atë, duke shkatërruar lulet, por edhe tërë lokalin. Ajo shikoi përreth, derisa hetoi dikë që e tërhiqte për mënge. Ishte Katie. Një bashkëpunëtore tjetër, Rita, si dhe disa konsumatorë qëndronin pran saj. Filluan që të dëgjoheshin sirenat, gjë që nënkuptonte se zjarrfikësit ishin duke ardhur. Zjarri ende nuk kishte përfshirë objektet e tjera, por edhe ato kishin filluar që të evakuoheshin dhe ajo ndihej sesi ishte në qendër të vëmendjes në mënyrën më të keqe të mundur.

Derisa shikonte punën e saj të mundimshme duke u zhdukur në zjarr, si dhe mënyrën e fundit që kishte për ta fituar dashurinë e nënës së saj, ajo ndjeu sesi Katie ia fërkonte shpinën, me qëllim që ta ngushëllonte. Për fat, zjarrfikësve nuk iu desh shumë që ta fiknin zjarrin, derisa shefi i tyre u ndal për të biseduar pak me të. "A jeni ju pronarja?", pyeti ai me një dozë pikëllimi në zërin e tij. Clarke pohoi me kokë dhe u afrua paksa. "A mund të më thuash se çka ka mundur ta ketë shkaktuar zjarrin? A ka mundësi të zjarrvënies së qëllimshme?", pyeti Clarke, duke u ndier si mos më keq. Por, asaj nuk i kujtohej askush që do të mund ta urrente aq shumë, sa që t'ia shkatërronte biznesin, përpos nënës së saj. Por, e ëma ishte avokate dhe nuk do ta merrte guximin që t'i fëlliqte duart e veta në atë mënyrë. Apo do ta bënte? "Duket qartë se kemi të bëjmë me një zjarr të shkaktuar nga rryma elektrike. Mund ta angazhoni ndonjë specialist për të parë saktësisht se çka kishte shkuar si nuk duhet, për ta rregulluar atë. Por, në këto lokalet këtu, zjarret e tilla janë të shpeshta. Mos e mundoni veten për këtë, zonjë". Ai i tha se duhej të priste disa ditë për të hyrë brenda, meqë era e zjarrit dhe e tymit ishte e rëndë dhe donte kohë që të largohej. Shefi i zjarrfikësve u largua, duke e lënë Clarke-un të vetme, duke mos ditur se çka do të bënte më pas. (vijon)

(Kosova Sot Online)