Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rris fëmijën e tij jashtëmartesor (8)

  • 29 July 2019 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rris fëmijën e tij jashtëmartesor (8)

Rrugës për në shtëpi, mendova mirë e mirë. Sa forcë i ishte dashur asaj vajze që të më drejtohej mua? Atë mund ta kishte shtyrë në këtë veprim mjerimi, një gjendje me të vërtetë pa rrugëdalje. Ajo kishte mundur ta bënte këtë veprim shumë më herët, por nuk e kishte bërë, gjë që dmth se kishte shfrytëzuar të gjitha mundësitë e mundshme. Sikur të mos ishte gjendja e saj e pashpresë, prindërit e Malit me gjasë kurrë nuk do ta dinin se kishin një nip, e tani...

Gjithçka kishte fund të lumtur, më të lumtur sesa që mund të merrej me mend. Prindërit e Malit do ta njoftonin nipin e tyre, i cili do t'ua japë një qëllim të ri për të jetuar, jeta e vajzës do të jetë më e lehtë, e unë, përfundimisht, do të mund të shkoja rrugës sime, pa kurrfarë brejtje të ndërgjegjes. Sapo arrita në shtëpi, e thirra Krenarin. - A të dalim sonte? - e pyeta me zë të gëzuar. - E, kush mund ta refuzojë një ftesë të këtillë? - ma ktheu ajo me të njëjtin ton. Ai më dëgjoi duke qeshur. Me gjasë kjo duhet ta ketë befasuar. Ndryshimi nga dje ishte drastik. Qysh dje isha një grua e thyer, e sot sikur të isha ngritur nga hiri dhe të isha bërë një person krejt tjetër. Vendosa që ta harroja të kaluarën.

Nuk kishte kuptim ta fajësoja Malin. Ai kishte bërë atë që kishte bërë dhe, kjo nuk mund të ndryshohej. Për dallim prej tij, unë e kisha jetën përpara gjë që vallë, nuk mjaftonte që të isha e gëzuar? Tragjedia që i ndodhi atij mund t'i kishte ndodhur kujtdo, gjë që më bënte ta shijoja çdo moment të jetës, gjë që edhe e bëja. Kishte kohë që nuk isha ndier aq mirë. Ndoshta kjo kishte të bënte me shkakun që nuk e kisha përzënë atë vajzë, por kisha bërë atë që, ditën e parë, as nuk më kishte shkuar ndërmend. Edhe po të doja, nuk do të mundja. Isha tepër e lënduar dhe e tronditur, që të mund të mendoja. Nuk do të mund ta rrisja atë fëmijë, jo derisa ai e kishte nënën gjallë. Nuk doja ta merrja një rol i cili nuk ishte i imi, por në anën tjetër, isha më se e gatshme që t'i bëja fëmijët e mi, më e gatshme sesa ndonjëherë më parë. Shpresoja që Krenari të bënte ndonjë gjë në atë drejtim. U përgatita me gëzim dhe e prita ardhjen e Krenarit me një gotë në dorë. Të ardhmen e kishim përpara, e të kaluarën e kisha paketuar mirë dhe e kisha lënë prapa vetes. U nisa në jetën e re pa kurrfarë barre, i hapa duart e gatshme që ta pranoja dashurinë e re dhe e hapa zemrën për dashuri të re. Kur erdhi Krenari, u ktheva kah ai.

E dija se dukesha për mrekulli. Me të vërtetë kisha dhënë gjithçka nga vetja që t'i bëja përshtypje dhe t'i veja në pah të gjitha magjitë e një femre. - Ku do të shkojmë? - më pyeti, duke më shikuar i mahnitur. - A duhet të shkojmë diku, a? - e pyeta. Në bazë të shkëlqimit të syve të tij, kuptova se u befasua për të mirë nga propozimi im. - Kisha plane krejtësisht tjera - tha ai, duke futur dorën në xhep. - Çfarë planesh? - e pyeta, duke e shikuar me kureshtje. - Këto - tha ai, duke mbajtur në dorë një kuti të vogël. E dija çka donte të thoshte kjo. Më donte për veten e vet, deri në vdekje. - Pasi që mora vesh çka të kishte bërë Mali, fillova që të mendoja. Si mashkull dhe si dikush që të do, kam për detyrë që ta korrigjoj atë që të është bërë. Askush nuk do të ishte më i lumtur sesa unë, sikur të pranoje ta lidhje të ardhmen tënde me mua. Do të mundohem që plagët tua t'i shëroj me dashuri dhe besim, gjë që nuk do të ndryshojë kurrë. Natyrisht që pranova. Sa e rëndë që mund të jetë jeta, ajo po aq mund të jetë edhe magjike. E, unë doja që të kënaqesha në tërësi në këtë magji që ma solli jeta. 
(Kosova Sot Online)