Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (6)

  • 07 gusht 2019 - 14:54
Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (6)

Vitet kalonin, e mua më afroheshin të dyzetat. Përkundër asaj që isha relativisht i ri, ndihesha sikur plak. Të gjitha ato dalje të natës, të gjitha ato vese dhe femra të shumta, që më kishin sfilitur. Kishte ditë që shikohesha në pasqyrë dhe frikohesha nga ajo që shihja. Gjithnjë e më shumë e pyesja veten se çka kisha nga jeta dhe cili ishte qëllimi i jetës sime. Vëllai dhe motra kaherë kishin formuar familje, kishin miq, kolegë, bashkëpunëtorë profesionalë dhe të njohur, të gjithë e kishin dikë afër vetes. Të gjitha ato femra me të cilat kisha qenë, nuk më kishin ofruar asgjë më shumë sesa raporteve sipërfaqësore, e as unë nuk dija të ofroja ndonjë gjë që do të mbahej mend.

Çdo ditë, pa marrë parasysh obligimet, kreacionet e reja, të çmendura, më dukej krejt boshe, e pavlerë. Doja dhe më duhej diçka më shumë. Nuk e dija çka ishte kjo me saktësi, por e dija se prisja shumë më shumë nga jeta. Ishte një mbrëmje e vonshme dimërore dhe isha duke shëtitur rrugëve të qytetit. Duke kaluar pranë kafenesë, e cila ishte ende duke punuar, vendosa që të hyja për të pirë diçka. U ula afër banakut. Pranë banakut qëndronte një grua. Flokët e gjatë, të verdhë, i binin supeve mirë të formësuar. Në dorë mbante një pije të fortë, të cilën e pinte dalë-ngadalë. Në fillim mendova mos ishte ndonjë shoqe e banakierit, por shpejt pashë se kjo nuk ishte kështu. Ishte e qartë se ajo femër ishte vetëm, sikurse edhe unë. meqë ishte e kthyer me shpinë, e pyesja veten se si dukej. E mbarova pijen time dhe, mu në momentin kur doja të ngrihesha dhe t'i afrohesha, ajo u kthye kah unë. Nuk ishte sikur femrat me të cilat punoja çdo ditë, nuk ngjante aspak në manekinet e pistave të modës. Nuk kishte vënë grim, e as shtresa të kremit, pudër, apo ndonjë preparat tjetër. Ishte një femër natyrore e bukur. E ngrita gotën dhe e përshëndeta. Ajo buzëqeshi. Këtë e mora si leje për t'iu afruar. Mora gotën, shkova afër saj dhe u prezantova. - Quhem Elvira - më tha, duke ma dhënë dorën e saj të vogël, e cila ishte tepër e nxehtë për atë natë të akullt. - Çka kërkon një femër kaq e bukur, e vetme, në mes të natës, në një vend si ky? - thashë fjalët e para që më ranë ndërmend. - Po e pres vdekjen e, derisa ajo të vijë, vendosa ta qesasja veten - tha ajo.

Përgjigjja e saj më tronditi. Mund ta prisja çdo përgjigje tjetër nga ajo, përpos kësaj. Heshta. Sado që doja të thosha diçka, nuk mundja. Kush, përpos njerëzve të mjerë, e presin vdekjen t'ju vijë? - Nesër në mëngjes gjërat mund të duken shumë më mirë, sesa që i përjeton tani. Mëngjesi gjithmonë është më i mençur sesa mbrëmja. Dita e re pa dyshim se do ta sjellë ndonjë lehtësim. Nata është e zezë, e dita e bardhë. Gjithmonë ka mundësi të reja - thashë pas një kohe të shkurtër. Nuk e dija për çka bëhej fjalë, por pikëllimi në sytë e saj ishte më se evident. Fillova të mendoja se kush, apo çka ka mundur ta pikëllonte atë aq shumë. - E nesërmja nuk do të sjellë asgjë më të mirë, sesa që është sonte. Dita e re nuk sjell nafakë të re për mua. Çdo ditë e re vetëm më afron edhe më shumë kah vdekja - më tha, e më pas buzëqeshi. Dhëmbët i kishte të bardhë, si margaritarë. - Si ka mundësi që një femër kaq e re të mendoj për një temë kaq të tmerrshme, sikur që është vdekja? - e pyeta. - Vdekja është pjesë përbërëse e jetës. Shumë njerëz hezitojnë që të flasin rreth saj. Mos je edhe ti njëri nga ta? - Nuk jam. Mund të bisedoj për çka të duash, e edhe për vdekjen, por kjo temë, megjithatë, nuk është e preferuara për mua. Disi më duket se ende jam relativisht i ri dhe, meqë ende nuk ka ardhur koha ime, as që mendoj për këtë. Por, mund të bisedojmë edhe për vdekjen. Fundja, më mirë të flasim për vdekjen, sesa të vdesim - ia futa kot. (vijon)

(Kosova Sot Online)