Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (9)

  • 10 August 2019 - 15:05
Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (9)

Kisha pak kursime, por ato nuk më mjaftonin dhe, derisa isha duke menduar për këto gjëra, mora një thirrje nga Parisi, thirrje e cila rrallë të ndodhë. Ishte një ofertë profesionale për të cilën ëndërron çdo disenjator i ri. E pranova. Parisi në njëfarë mënyre është qytet i romantikës dhe ëndrrave, por unë vet nuk e përjetova si të tillë. Që nga dita kur shkova atje, e edhe gjatë gjashtë muajve vijues, jetoja vetëm për punë.

Revytë e shumta, udhëtimet në tërë botën, manekinet të cilat më parë i kisha parë vetëm në faqet e para të revistave të modës, koktejet dhe ndejat e plotësonin tërë kohën time. Fitoja më shumë sesa që kisha ëndërruar ndonjëherë, kurse ofertat e shumta të punës më vinin nga të gjitha anët.

Kisha marrë punë edhe për disa vjet, isha më se i kënaqur me rrjedhën e ngjarjeve. Kur një mbrëmje një aktore e njohur shprehu dëshirën që të "njoftohej" me mua, u befasova për të mirë. Ajo bleu thuajse tërë koleksionin të cilin e prezantova atë mbrëmje dhe ishte tërësisht e magjepsur me kreacionet e mia. Isha i nderuar dhe tepër i lumtur. Femra e cila mund ta blinte cilindo fustan në botë, kishte përzgjedhur mu kreacionet e mia. Më ftoi mysafir në vilën e saj, e kur mbetëm vetëm, më tha haptazi se i interesoja edhe si mashkull, e jo vetëm si disenjator.

Disa herë i fërkova sytë, për t'u bindur se isha zhgjëndërr. Isha me një femër të cilën e ëndërrojnë të gjithë meshkujt e botës, duke e konsideruar ikonë të bukurisë, e ajo donte që të ishte me mua. Natyrisht, nuk e refuzova. Disa ditë bëmë të gjitha marrëzitë që mund t'i bëjë një çift. Provova droga të cilat as që dija se ekzistonin. Ishte një periudhë e jashtëzakonshme, por e shkurtë. Sikur edhe shumë meshkuj para meje, edhe unë shpejt iu bëra bajat. Më braktisi ashtu si braktiset një valixhe, e cila është vjetruar aq shumë, sa që nuk mund ta përdorni më.

Kjo nuk më shkaktoi kushedi çfarë dhembjeje. Që në fillim e kisha ditur se do të vinte deri te kjo. Fundja, as që besoja në dashuri, e as në ndonjë emocion tjetër. Femrat që më binin në dorë, ishin afatshkurtra, më sillnin momente të gëzimit, e as unë nuk prisja ndonjë gjë më shumë. Unë i argëtoja ato, ato më argëtonin mua dhe gjithçka ishte mirë, derisa zgjaste. U njoftova me shumë personalitete të njohura, bëra shumë miq. Kur më skadoi kontrata e gjashtë muajve, fillova të mendoja a të vazhdoja që të qëndroja në Paris, apo të kthehesha në shtëpi.

Parisi më ofronte krejt atë që, në vendlindje, as nuk do të guxoja që ta ëndërroja, por në anën tjetër, jeta në atdhe të bënte më të lumtur. Nuk pranova kontratën e re, por vendosa që të kthehesha në shtëpi. Tërë punën që e bëja këtu, po të mundohesha pak më tepër, do të mund ta bëja edhe në vendlindje, thash me vete. Sapo u ktheva hapa biznesin tim dhe iu përkushtova deri në maksimum, duke investuar krejt çka kisha. Shumë kolegë të mi më dëshpëruan, por ndërskamcat e tyre nuk mund të më bënin asgjë. Tërë rrobat i shisja jashtë atdheut, sikur që më ftonin edhe në shumë revy nëpër botë. (vijon)

(Kosova Sot Online)