Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (1)

  • 12 gusht 2019 - 15:12
Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (1)

Deri në moshën 40-vjeçare bëra një jetë krejtësisht të thjeshtë, apo si do të thoshin të tjerët, normale. Nuk isha gjithmonë më e kënaqura, por nuk jam as nga ata që kanë arsye ta vajtojnë jetën e tyre. Pra, çka kisha atëherë? Dyzet vjet, një djalë 20 vjeçar, burrin, që të dy ishim mirë të arsimuar, të punësuar, kishim rroga të mira, i takonim shtresës së mesme, as tepër, e as pak. Mund t'ia lejonim vetes që të kishim dy vetura, ndonjë udhëtim dhe djalit shumë aktivitete. Mund t'i blija këpucët që më pëlqenin edhe pse kisha tjera në shtëpi, ku e njëjta gjë mund të thuhej edhe për fustanet. Kur më pëlqente ndonjë veshje, e blija pa marrë parasysh çmimin. Por, nuk kishim banesë në bregdet, as vilë në male, nuk kishim vetura luksoze, e edhe apartamentin e kishim të thjeshtë, modest. Pra, krejt normale dhe mesatare. Por, unë nuk isha bash e kënaqur. Kryesisht pakënaqësitë rridhnin nga mospajtimet me burrin. Shpesh grindeshim edhe rreth asaj se a ishte kafjalli që e kishim përgatitur, i shëndetshëm apo jo. Ai nuk kishte haber në përgatitjen e ushqimeve, por kjo nuk e pengonte që të më mbante ligjërata rreth shëndetit. Kushedi ku kishte dëgjuar se qumështi nuk është i shëndetshëm dhe, me çdo kusht, donte që të fuste restrikcione në kuzhinën tonë.

Më thoshte që djalit të mos i jap qumësht më. E, djalit tonë i pëlqente pa masë qumështi, si dhe të gjitha produktet e tij. Dhe. tani çka? T'ia kufizoj fëmijës dietën dhe t'ua komplikoj jetën të gjithëve, vetëm pse një budalla, kushedi ku, paska thënë se "qumështi i lopës është për viça, e jo për njerëz". Ja, po del se gjatë tërë historisë, njerëzimi paska qenë në lajthitje dhe, vetëm tani qenka zbuluar e vërteta. Moskuptime të tilla kishim gjithnjë e më shpesh. Nuk ishin grindje kushedi sa serioze, por ishin irrituese, të mërzitshme. Ai nuk ishte i dhënë pas pijes, nuk rrinte shumë jashtë shtëpisë, por as nuk ndihmonte kushedi sa shumë. Shumica e grave do të thoshin se burri im ishte - burrë sikur të gjithë të tjerët. Këtë e them edhe unë. Gjithçka te unë ishte mesatare, e rëndomtë. Derisa i mbusha të dyzetat. Isha duke punuar pas orarit në një publikim, si bashkëpunëtor profesional. Punën e kisha interesante, por edhe paguhesha mirë. në atë projekt kishte shumë bashkëpunëtorë, të fushave të ndryshme. Unë, matematikane me profesion, papritmas u gjeta në një vend me filozofë, muzikantë dhe artistë. Të gjithë këta ishin njerëz profesionistë dhe të përkushtuar ndaj punës që bënin. Njërin prej bashkëpunëtorëve, profesorin e violinës, nuk e kisha njoftuar, meqë ai nuk ishte në takimin e parë. Na duhej që t'i këmbenim ca materiale, prandaj u morëm vesh që më së miri do të ishte që, sy më sy, të diskutonim rreth kapitullit të cilin duhej ta shkruanim së bashku. Hyra në lokalin ku e kishim lënë që të takoheshim dhe, meqë aty ishin tre burra, nuk e dija se cili ishte njeriu të cilin e kërkoja. Në atë moment u ngrit njëri nga ta dhe mu afrua. - Mirëdita! Ju duhet të jeni Mina. Unë jam Zuka - tha ai, me një buzëqeshje të gjerë dhe me një shikim paksa ëndërrimtar.

Kjo edhe mund të pritej nga një muzikant. Dhe po, më duhet të pranoj se menjëherë arritëm ta vejmë një kontakt. Nuk ishte nga ata njerëzit e mërzitshëm, prandaj as nuk patëm ndonjë siklet gjatë bisedës. Unë në përgjithësi nuk e kisha problem që të bisedoja me njerëz të cilët sapo i kisha njoftuar. Në të gjitha temat isha deri diku e informuar, me përjashtim të sportit. Por, as Zuka nuk ishte i interesuar në sport. Biseda, e cila do të duhej të ishte profesionale, përnjëherë u kthye në një bisedë midis miqsh, që kanë mendime të përbashkëta për shumë tema. Ndihesha shumë mirë duke biseduar me të, tepër mirë. Këtë e mendoja pasi që u ktheva në shtëpi, si dhe e pyesja veten, pse e kisha njëfarë ndjenje të fajit? (vijon)

(Kosova Sot Online)