Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (4)

  • 15 August 2019 - 15:17
Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (4)

- Mina! Mina, mos më thuaj asgjë, të lutem. Më dëgjo së pari. Dhe, mos më ik para se të t'i them të gjitha - më tha ai me zë të ulët dhe disi të lodhur. U ula pa fjalë dhe, krejt që kisha vendosur më parë, i harrova. Pash fytyrën e tij të vuajtur dhe mezi u përmbajta që të mos e përqafoja dhe ta ngushëlloja. - Të thash se jam shkurorëzuar para më shumë se gjashtë muajve. Ajo martesë imja ishte dështim që nga vetë fillimi. Por, ajo dukej disi e përshtatshme dhe kishte ndjenja midis nesh, të paktën në fillim. Por, problemet me banesë, mungesë të parave... dhe më pas problemi kryesor, na ndanë. E, problemi kryesor ishte se nuk mund të kishim fëmijë, për fajin tim. Jam steril dhe këtë e di që nga koha e ushtrisë. Dhe, ajo e dinte këtë që nga fillimi, por me gjasë kishte menduar se do të përshtatemi me këtë. Por, ajo nuk kishte mundur.

Nuk ia dolëm që ta tejkalonim dhe u ndamë. Nuk u pikëllova fare për këtë. Bile, më tepër, mezi prita që të nxirresha nga ajo lidhje e pasuksesshme. Dhe, më pas "e nxora veten në treg". Çdo sistem një femër tjetër, të gjitha ishin të bukura dhe të dashura. Por, që të gjitha sipërfaqësore dhe të cekëta. Nuk ofrojnë asgjë tjetër pos trupit të vet. Unë kam nevojë për një femër me shpirt. E, më pas, të njoftova ty. Në tërësi përputhesh me tipin ideal të femrës që e paramendoj. I vetmi problem është që je e martuar. Nëse nuk mund të ma ofrosh dashurinë fizike, atëherë të paktën mos ma privo miqësinë tënde. Nuk të garantoj se nuk do të të vardisem kohë pas kohe, por nuk ke nevojë që të më japësh më shumë sesa që dëshiron. Vetëm mos më përjashto në tërësi nga jeta jote - tha ai, duke u ndalur paksa, ku unë pash shansin që ta shtoja edhe një rrethanë vështirësuese. - Zuka, nuk do të isha e sinqertë sikur të të thosha se nuk më vjen mirë ta dëgjoja këtë. Kjo që i kam pëlqyer një mashkulli të pashëm dhe interesant dhe, përfundimisht, kaq më të ri sesa unë. Me qëllim të kam mbajtur në lajthitje. Unë kam dyzet vjet, së shpejti edhe 41 dhe thuajse jam më e vjetër se ti për tërë një dekadë. Sikur ta kishe ditur këtë që në fillim, ndoshta kurrë nuk do të kishim ardhur deri te kjo bisedë - u ndala, duke parë se ai më shikonte me një shikim depërtues. - Shiko, e kam ditur se je më e vjetër sesa unë. Nuk kam ditur që dallimi është kaq i madh, mendoja 4-5 vjet. Por, për mua nuk kanë rëndësi as 6-7, apo edhe dhjetë vjet, kur të përjetoj si gjysmën time tjetër - tha ai. Bisedën e zhvilluam edhe disa orë. Unë harrova që kisha shtëpi dhe familje.

Edhe kamerieri na shikonte me habi. U hapa në tërësi, ia tregova të gjitha rreth martesës sime, rreth pakënaqësisë sime dhe atë që ndjeja për të. Ai më foli rreth viteve të humbura, rreth kërkimeve, muzikës e cila ishte e vetmja gjë që e bënte të ndihej i i realizuar. Pranova që ta kishim një lidhje platonike, meqë mendoja se kjo ishte e mundur. Nuk takoheshim shpesh, kryesisht gjatë ditës, meqë ashtu ishte më pak e dyshimtë. Derisa isha me Zukën, sikur të isha në një botë paralele, ku gjithçka është bukur dhe intensive, ngjyrat, aromat, format. Gjithçka kishte të bënte kryesisht me komunikim me emaila, ku e ledhatonim njëri tjetrin me fjalë të ëmbla dhe të sinqerta. E, në aspektin fizik, vetëm me prekje të duarve dhe me shikime të thella. Vetëm një herë u puthëm seriozisht - kur më çoi me veturë deri në punë - me ç'rast ma dha një puthje të gjatë dhe pasionuese. Nuk kundërshtova, por u dorëzova. Ajo puthje më shkaktoi kënaqësi të paimagjinueshme. Por, vendosa që më të mos rrezikoja, meqë çdo puthje e tillë ishte rrezik për diçka më tepër. (vijon)

(Kosova Sot Online)