Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (9)

  • 20 August 2019 - 15:26
Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (9)

Ai dinte për lidhjen time me Zukën dhe nuk ishte kundër saj. Bile, disi mbështeste daljet dhe shoqërimet e mia, duke menduar se ashtu ishte duke më ndihmuar. Dhe po, ai më ndihmonte. Dhe, tani kur u ndava nga Zuka, im bir qëndroi me mua në darkë, shikoi me mua TV-në dhe u mundua që të më bënte të buzëqeshja. Natyrisht që atij nuk mund t'i tregoja çka më mundonte dhe pse, megjithatë, ai ishte vetëm një adoleshent i cili nuk dinte asgjë rreth jetës. Por, nuk mundja as t'ia fshihja se isha e pikëlluar dhe se më mundonte diçka. Rasti e deshi që, në atë periudhë të vështirë të jetës sime, gjeta punën e ëndrrave të mia, për një vit në Amerikë. Këtë e shihja si një rast të përkryer që të ikja nga kjo jetë dhe nga Zuka. Por, më tërhiqte edhe ajo që do të bëja. Mora djalin tim, pak gjësende dhe u nisëm për rrugë.

Nuk do të flas shumë këtu për atë vit, pos që do të them se çdo gjë shkoi më mirë sesa që kisha pritur. U përshtata mirë në punë, edhe im bir po ashtu ishte përshtatë në shkollë. Gjeta ca njerëz të mirë dhe një grua të mrekullueshme, e cila m'u bë këshilltare e jetës. Ajo ishte shumë më e moshuar dhe me një përvojë më të madhe jetësore, prandaj mi hapi sytë për disa gjëra. Pasi që ia tregova rrëfimin tim të pikëlluar me Zukën, më tha se kisha gabuar që kisha rënë pre e paragjykimeve dhe gjykimeve të rrethit. Duhej ta merrja atë që ishte e bukur, pa marrë parasysh se sa do të zgjaste. Kur do të më jepej një rast tjetër? Ndoshta kurrë më. Por, tanimë ishte bërë vonë. Zuka nuk më lajmërohej më. Kisha numër të ri të telefonit, e-mail të ri, jetë të re. Kushedi, ndoshta ka gjetur dikë tjetër. Kaloi gati një vit. Viti im i studimeve u zgjat edhe për një vit tjetër, e unë e pranova këtë gjë me të dyja duart. Por, atë verë, unë dhe im bir megjithatë shkuam në atdhe për festa, vizituam ata pak të afërm dhe shikuam si e kishim shtëpinë.

Një ditë duke shikuar nëpër dyqane, takova vëllain e Zukës. E njohëm njëri-tjetrin dhe, pasi që unë kisha filluar të largohesha, ai më erdhi prapa dhe më kapi për dore: - Mina, prit! U ndala papritmas. Çka donte të më thoshte ai? - Shoh që qenke kthyer. E di që ke punuar jashtë vendit. - Kam ardhur vetëm për festa, do të kthehem përsëri atje - mezi durohesha që të mos e pyesja sesi ishte Zuka. Por, e dija se nuk kisha të drejtë të pyetja për të, meqë ai me gjasë tanimë e kishte rregulluar jetën e vet.

- A po, a? - tha ai, duke u ndalur dhe duke mos ditur çka të më thoshte. - Më duhet të ngutem, më vjen një mik për darkë - u mundova të ikja, por ai përsëri më mbajti, duke më kapur për dore. - Nina, mos ik! Më duhet të ta them këtë. Të kërkova dhe më pas kuptova se ke dalë jashtë... - Pse më ke kërkuar? - Sepse, qyshkur nuk je me Zukën, ai ka ndryshuar tërësisht. Ka hequr dorë nga jeta, është dhënë pas alkoolit, ndoshta edhe drogës. Nuk e njeh po ta shohësh! Është duke e shkatërruar veten me qëllim. Mbeta e hutuar. Unë e paramendoja si të lumtur me ndonjë femër, duke lënë në tërësi prapa shpine lidhjen e kaluar me mua. (vijon)

(Kosova Sot Online)