Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (13)

  • 24 August 2019 - 15:39
Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (13)

- U mundova. Doja ta bindja veten se nuk je e vlefshme as sa edhe një mendim imi. Por, përsëri mendoja vetëm për ty. Mundohesha që të flija me femra tjera, duke i thënë vetes se ato janë më të reja se ti, më të bukura, por me asnjërën nuk përjetova ekstazën që e përjetova me ty. U përpoqa që të shoqërohesha edhe me femra intelektuale, duke bërë biseda shkencore, por kurrë nuk u frymëzova sikur gjatë bisedës me ty. Asgjë dhe askush nuk ishte sikur ti dhe me ty. Zuka ishte gjithnjë e më pak i dehur dhe gjithnjë e më i dëshpëruar në rrëfimin rreth ndjenjave të tij. Pa hezitim u hap ndaj meje, sikur edhe më parë, deri më tani, vetëm që tani unë isha shkak i mjerimit të tij, por edhe këtë ma tha pa hezitim. Pse unë kisha menduar që një gjë e tillë ishte e pamundur?

Unë kisha menduar që ai kishte vazhduar me jetën e tij. Për shkak të paragjykimeve dhe frikës nga kritikat, kisha shkatërruar jetën e tij, por edhe timen. Po ashtu, as unë nuk mund të bisedoja me meshkujt e tjerë, sikur që bisedoja me Zukën. Nuk e përjetoja seksin me të tjerët, sikur me të, gjatë kohës sa kisha qëndruar pa të, nuk e kisha ndier veten të plotë. Kryesisht, ditët e zeza ishin pas nesh. Kisha gabuar që nuk kisha marrë atë që më ishte ofruar, e më ishte ofruar një dashuri e madhe, e sinqertë. Isha frikësuar çka do të thoshin të tjerët dhe çka do të ndodhte pas një, dy, apo më shumë viteve. Nuk kisha pasur guxim ta mbroja qëndrimin tim, ndjenjat e mia dhe sjelljet e mia dhe tani më vinte keq për një gjë të tillë, meqë me këtë kisha dëmtuar vetëm veten dhe atë, dy persona që e donin njëri-tjetrin me dashuri.

Nuk ka rëndësi çka do të ndodhë, por ajo që është tani. Mund të ndodhë një tërmet i madh, apo Lufta III botërore, apo të vijnë alienët e të na ndajnë... Mund të ndodhte çfarëdo pa fajin dhe ndikimin tim, gjë që dmth se kisha marrë vendim të gabuar. Atë ditë vendosa që vetes dhe atij t'ua jepja një shans të ri. Dhe, nuk kishte rëndësi sa do të zgjaste. Unë do të mundohem që të zgjatë tërë jetën, meqë Zuka e kishte merituar këtë. Ai më do.

(Kosova Sot Online)