Optimizmi, sekreti i jetëgjatësisë së njeriut

  • 28 August 2019 - 18:23
Optimizmi, sekreti i jetëgjatësisë së njeriut

Parja e gotës gjysmë plot, mund të nënkuptojë një jetë më të gjatë.

Në këtë përfundim mbërrin studimi më i fundit, që sugjeron se optimistët jo vetëm që jetojnë në përgjithësi më gjatë, por kanë një shans më të mirë për të arritur 85-vjeç ose më shumë.

Nuk është hera e parë që optimizmi lidhet me përfitimet në shëndetin e njeriut.

Njerëzit më optimist për jetën, kanë një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe vdekjes së parakohshme. Por studiuesit thonë tani se optimizmi mund të luajë një rol me rëndësi në jetëgjatësinë e njerëzve.

“Shumë të dhëna, sugjerojnë që jetëgjatësia e pazakontë shoqërohet zakonisht me një shëndet të mirë dhe të jetuarit pa aftësi të kufizuara për një kohë të gjatë, prandaj gjetjet tona krijojnë një mundësi emocionuese që ne mund të jemi në gjendje të promovojmë plakjen e shëndetshme dhe elastike, duke kultivuar asete të tilla psikosociale siç është optimizmi”- thotë Levina Li, autore kryesor e studimit, nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Bostonit, SHBA.

Ndërsa një tezë e tillë, duhet testuar ende, Li vuri në dukje se studime të tjera, kanë treguar që nivelet e optimizmit mund të ngrihen. Në artikullin e tyre në ”Proceedings of the National Academy of Sciences”, Li dhe kolegët e saj raportuan se si analizuan të dhënat nga dy projekte të mëparshme kërkimore afatgjata, njëri që përfshinte infermieret femra dhe tjetri i fokusuar tek një grup burrash.

Të parat u vlerësuan për nivelin e optimizmit në vitin 2004, me pjesëmarrëset që kishin një moshë mesatare 70-vjeçe, studim që zgjati deri në vitin 2014. Për burrat, optimizmi nisi të matej në vitin 1986, mosha mesatare e tyre ishte 62 vjeç, dhe gjurmuan vdekjet e tyre deri në vitin 2016.

Ekipi ndau rreth 70.000 gra në 4 grupe me madhësi të barabartë, bazuar në rezultatet e tyre mbi nivelin e optimizmit. Ata krahasuan më pas jetëgjatësinë për ato që ishin më optimiste deri tek ato më pak optimiste, duke marrë parasysh faktorët, përfshirë moshën, seksin, racën, arsimin, depresionin dhe gjendjet e tjera shëndetësore që ishin të pranishme që në fillim të studimit.

Rezultatet tregojnë se grupi më optimist i grave, kishte një jetëgjatësi gati 15 për qind më të gjatë, se sa grupi më pak optimist. Rezultate të ngjashme u panë tek burrat, edhe pse optimizmi u mat disi më ndryshe. Kur ekipi krahasoi grupin e një të pestës së burrave, që kishin rezultatet më të larta të optimizmit me më pak optimistët, ata zbuluan se burrat më optimistë kishin një jetëgjatësi gati 11 për qind më të gjatë.

Studimi sugjeron që njerëzit që janë më optimist, mund të kenë ndërkohë një mënyrë jetese më të shëndetshme, prandaj analizat marrin parasysh faktorët, përfshirë nivelet e ushtrimeve fizike, dietën, pirjen e duhanit dhe alkoolit. Efektet që rezultuan ishin më të vogla – megjithëse ende të theksuara – me grupin më optimist të grave, që kishte një jetëgjatësi 9 për qind më të madhe, se sa grupi më pak optimist. Ndërkohë, një e pesta e burrave më optimistë, kishin një jetëgjatësi 10 për qind më të madhe sesa grupi që ishte më pak optimist.

Por të qenit optimist, nuk lidhej vetëm me një jetëgjatësi më të gjatë. Si për burrat, ashtu edhe për gratë, kjo ishte gjithashtu e lidhur më konkretisht me të jetuarit deri në moshën 85 vjeç ose më shumë – një “jetëgjatësi e pazakontë” kur merreshin parasysh sjelljet shëndetësore, me grupin më optimist të grave që kishin 20 për qind shanse më shumë për të arritur moshën 85 vjeçe ose më shumë.

Shumica e pjesëmarrësve në studim ishin të bardhë, dhe pak prej tyre kishin një status të ulët socio-ekonomik. Li thotë se nuk është ende e qartë se përse optimizmi është i lidhur me jetëgjatësinë. “Në studimin tonë, sjelljet më të shëndetshme, me më pak simptoma depresive dhe më shumë lidhje shoqërore lidheshin vetëm pjesërisht me optimizmi dhe jetëgjatësinë e madhe”- tha ajo, duke shtuar se ka të ngjarë të ketë mekanizma të tjerë në lojë, siç janë njerëzit optimistë që e përballojnë më mirë stresin.

(Kosova Sot Online)