Ngjarje e vërtetë: Faji i nënës më la i dashuri (8)

  • 01 September 2019 - 15:17
Ngjarje e vërtetë: Faji i nënës më la i dashuri (8)

Bile as Roberti nuk më lajmërohej. Unë e thirra disa herë, por ai nuk ma çoi telefonin. Sjellja e tij më dukej fëmijërore. Nëna ma kishte shkatërruar të kaluarën, e tani ishte duke ma shkatërruar edhe të tashmen, por nuk do ta lejoja që ta bënte të njëjtën gjë edhe me të ardhmen time. Nëse donte para... Mohova me kokë. Sikur t'i jepja para njëherë, ajo nuk do të dinte të ndalej. Çka u bë me të gjithë ata dashnorë të saj? Ata u zhdukën me zhdukjen e bukurisë trupore të saj. Më nuk kuptoja asgjë. Sa pak ishte dashur që jeta jonë e bukur të shndërrohej në gërmadhë? Një vizitë, një moment i keq dhe, krejt për çka kisha menduar se ishte stabile, u zhduk sikur një flluskë kur shpërthen. Hapa derën e banesës. U befasova kur pashë Robertin. Nuk dija a ta puthja, a jo.

Qëndroja e pavendosur. Në njërën anë, ai nuk ishte përgjigjur në pyetjet e mia, e në anën tjetër kishte ardhur në banesën time. Nga shprehja e fytyrës së tij mundohesha që të merrja vesh diçka, por ajo ishte serioze, sikur e gdhendur në gur. - Duhet të bisedojmë - tha me seriozitet. - Natyrisht - i thash, duke ia hequr pallton dhe duke ia lënë anash çantën. Vazhdoja që të isha e hutuar. U ula në karrige duke mos e larguar shikimin nga ai. Roberti nuk u ul. - Çka dëshiron? - e pyeta. - Duhet t'i ndihmojmë nënës tënde - tha ai me zë të qetë. - Do ta bëjmë një plan si ta bëjmë këtë - tha ai me zë të qetë. - Plan? - e pyeta e habitur. Asnjë plan nuk vinte në shprehje. Çka kishte ai? Më dukej i verbër, përkundër syve të shëndoshë. Nuk më njihte aspak. - Unë do t'ia jap një pjesë të parave, e ti pjesën tjetër - sikur të flitej për ndonjë person tjetër, propozimi i tij do të ishte logjik. Por, jo për nënën time. - Ajo nuk dëshiron vetëm para. Ndjej se është kështu. Ajo dëshiron shumë më shumë, ta bëjë një jetë parazite. Le ta gjejë kë të dojë, por jo mua - thash me vendosmëri. - Nuk do të duhej të silleshe kështu - tha ai, derisa u mërrol. - E, si? - thash, duke u ngritur. Më kaploi nervozizmi. Ai nuk kuptonte, nuk e dinte si ishte nëna ime. Ajo nuk kishte ardhur për shkak të ndjenjave, por për shkak të babëzisë. Isha e sigurt se ajo do të kërkonte më shumë para. - Ajo ka nevojë për ndihmë - tha Roberti. - Ndihmoji, atëherë - shpërtheva. - Unë nuk do ta bëj këtë. Kurrë! - bërtita me tërë fuqinë time. Roberti e tundi kokën. - Midis nesh mbaroi çdo gjë - tha ai me zë të ulur, por të vendosur. - Nuk do të mund të jetoja me një njeri si ti. Fatmirësisht, me kohë pash se kush je - tha ai, duke dalë nga banesa ime sikur të ishte duke vrapuar në maratonë. Mbeta si e ngurtësuar.

Ai mendonte se nuk më njihte, por edhe unë mendoja ashtu për të. Pse insistonte aq shumë që t'i ndihmonim nënës sime? E dija se ai ishte i dhembshëm, por ai sikur nuk e kishte kuptuar të vërtetën. Në momentin kur mendoja se nuk mund të na ndante asgjë dhe askush, mbeta e tronditur nga realiteti. Pesë vite të përbashkëta u zhdukën pa lënë gjurmë. Në mua mblidhej zemërimi. Kisha përshtypjen se isha duke ecur gërmadhës së jetës sime. Do të doja që ime ëmë të ishte para meje ato momente. Do t'ia thosha të gjitha troç. Një pjesë e imja, ajo e brendshmja, e dinte sesi kishte ardhur deri te trashëgimia. Çka të bëja? Që të hiqja dorë nga kujtimet që i kisha? Ajo do ta shet pronën me një çmim qesharak. (vijon)

(Kosova Sot Online)