Doni ta ndryshoni partnerin, filloni nga vetja!

  • 06 shtator 2019 - 16:35
Doni ta ndryshoni partnerin, filloni nga vetja!

Një histori e vërtetë dashurie është ajo e cila bazohet në reciprocitet, ku secili është i predispozuar të bëjë më të mirën për të ndryshuar së pari veten dhe për të bërë lëshime. E gjitha kjo bëhet natyrshëm, pa llogari, pa presione…

Ne mund ta ndryshojmë tjetrin pa e manipuluar dhe duke vendosur kushte, por duke i ofruar mundësi t’i shohë më qartë të metat, duke i dhënë një mundësi të dytë, më shumë kohë dhe duke e siguruar që të ndryshojë në mënyrën e vet dhe në praninë tonë.

Të pretendosh se ke të drejtën për ta ndryshuar tjetrin është një konfrontim direkt dhe i dëmshëm, pasi rrezikoni të dukeni kokëfortë. Për të shmangur rezultate të tilla delikate për marrëdhënien tuaj, mjafton të jeni të kujdesshme dhe jo direkte, duke u treguar e përmbajtur me sugjerime të matura. Të kemi parasysh se edhe vetë nuk ndryshojmë se na e kërkojnë të tjerët, por sepse kemi kënaqësi dhe interes që të jemi në harmoni me veten dhe me të tjerët.

Nëse një grua dëshiron që bashkëshorti i saj të kontribuojë në punët e shtëpisë, cila mund të jetë alternativa më e mirë? Ndoshta të mos e detyrojë atë t’i vishet punës me ankesa dhe kritika, por të reagojë duke mos u marrë dhe ajo për një kohë të gjatë me punët e shtëpisë. Ku i dihet… ndryshimi i sjelljes te vetja mund të rezultojë pozitiv në angazhimin e partnerit.

Nëse një burrë shpreson që gruaja e tij të bëhet më pak tekanjoze dhe të mos “qahet” për çdo gjë, do të ishte më mirë të mos bëjë të njëjtën lojë si ajo, por shumë mirë ai mund të heshtë dhe ta shmangë atë përkohësisht për t’i lënë të kuptojë gruas se sjelljet e saj nuk janë një mënyrë e drejtë komunikimi. Edhe në këtë rast burri, ndonëse ndihet i lodhur nga tekat e gruas, nuk përpiqet të ndryshojë atë, por zgjedh të ndryshojë sjelljen e tij për të pasur një rezultat pozitiv për të dyja palët.

Të ndryshojmë së pari veten dhe do të kuptojmë se tjetri ka shumë mundësi të vihet në veprim. Nëse do të mundnim të kishim dhuntinë e gjykimit të vetes ashtu si na gjykojnë të tjerët, do të shmangnim pafund konfliktet dhe kurthet që pretendojmë t’i vëmë partnerit.

(Kosova Sot Online)