Ngjarje e vërtetë: Na ndanë ambicjet e prindërve të tij (1)

  • 07 September 2019 - 15:35
Ngjarje e vërtetë: Na ndanë ambicjet e prindërve të tij (1)

Ermira - më thirri nëna e Lekës me një ton të ashpër. Çka bëra tani? Gjithmonë më bënin vërejtje. Pa marrë parasysh sa mundohesha që t'ua bëja qejfin, më dukej se arrija efekt të kundërt. Sa do të zgjatë kjo? Për pesë vjet isha bërë urë e të gjithëve, por tani kishin filluar të më binin "vidat". - Po? - i thashë, pasi që iu afrova. - Shko vërteto a është gjithçka në rregull në dyqan - zëri i saj nuk duronte asnjë kundërshtim. - Shkruaj çka mungon dhe bëje një listë të magazinës - vazhdoi ajo pa mëshirë. Ndjeja zemërimin i cili më kaplonte. Fytyra në ra ngërç, duke u munduar që t'i luftoja ndjenjat. Dëshpërimin as që mundohesha ta fshihja, por Dinores kjo nuk i interesonte fare. Doja që mbrëmjen ta kaloja me djalin tim pesëvjeçar. Me vite të tëra punoja çdo ditë, derisa Dinorja përkujdesej për të. Më nuk do ta lejoj një gjë të tillë, i kisha premtuar vetes. Fëmija më rritej, e unë nuk isha pjesë e asaj rritjeje. Sonte do të bisedoj me Lekën. Tanimë kisha provuar ta bëja këtë disa herë, por si duket paskam folur me muret. Më nuk mundja kështu. Isha mbështetur me supe për muri. Nervat i kisha të tendosura sikur tela, e shëndetin seriozisht të dëmtuar. Martesa ime sikur nuk ekzistonte, derisa rolin tim të nënës e kishte marrë Dinorja. Asgjë nuk ishte sikur që do të duhej të ishte.

- A mundet këtë ta bëjë dikush tjetër?, vendosa që të kundërvihesha. - Çka? - tha Dinorja duke mu afruar. - Mosfalënderuese - murmuriti. - Jam e lodhur. Nuk më kujtohet kur herën e fundit e kam kaluar mbrëmjen me djalin tim. Çfarë dobie kam nga e tërë kjo? - e pyeta. Nuk ishte mësuar që t'i kundërvihesha. Ajo ishte kreu i familjes, që na i përcaktonte fatet tona. Burrin e kishte vetëm si marionetë, por edhe neve të tjerëve. Ajo kishte hapur një biznes, i cili shkonte mirë, por tërë barrën e tij e kishte bartur te ne. - Çka ke ti? - më tha, duke mu afruar te fytyra. Kishte 55 vjet, por dukej më e re se unë. Përkujdesej për vetveten, ishte e pushueshme. Kishte kohë për palestër, fitnes, për gjërat të cilat unë mundesha vetëm t'i ëndërroja. - Të kam bërë me kulm mbi kokë, përkujdesem për djalin tënd... Çka do të ishe ti pa mua? - më pyeti. Nuk doja të grindeshim. Bëra me dorë dhe shkova. Nuk kishte kuptim të hahesha me të. Duhej të qetësohesha. Betejën duhej ta filloja me Lekën. Këtë betejë e kisha bërë me vite të tëra, por pa qenë e vendosur sikur që isha në ato momente. Gjithmonë tërhiqesha, për hatër të "paqes në shtëpi". Nga dita në ditë kisha shpresuar se gjërat do të përmirësoheshin, por kjo nuk kishte ndodhur kurrë. Gjithmonë kisha obligime, nga mëngjesi e deri natën vonë. Kjo nuk arsyetohej me asnjë sasi parash. Por, kur mendoja pak më shumë, as që i kisha ato para.

Gjithçka shkonte për shtëpinë, për familjen. Puna familjare për mua ishte ferr i vërtetë. Nuk e di as vetë si i kreva ato punët që m'i caktoi Dinorja. Mendimet i kisha gjetiu. Unë nuk isha si ata. Nuk doja që të isha më e mira, më e pasura, doja që të isha nënë dhe grua, gjë që më së paku arrija të isha. Për ta kishin rëndësi fjalët e hallkut dhe për çka do të përmendej mbiemri i tyre, meqë gara për para te ta nuk pushonte kurrë. Çka iu duheshin tërë ato para? Këtë pyetje e bëja gjithmonë. Në atë shtëpi nuk kishte lumturi, nuk kishte buzëqeshje, nuk kishte harmoni. Ekzistonte vetëm Dinorja dhe të tjerët, që iu nënshtroheshin dëshirave të saj. Kur u ktheva në shtëpi Leka nuk kishte ardhur ende. Djali im, Roberti, flinte. Bëra dush dhe menjëherë u futa në shtrat. Më dhembnin gjymtyrët nga puna e tepërt. (vijon)

(Kosova Sot Online)